Në telegramin e Radios Kosova e Lirë dhe TV-Diellit, me rastin e inaugurimit të obeliskut horizontal: UÇK, në Reçak të Shtimes thuhet: Këto tri shkronja nuk janë vetëm një akrostih apo obelisk më shumë prej metali, por janë një “monument madhështor” që na përkujton gjakun e derdhur për liri, që na përkujton ditët e rënda si tunxhi nën robërinë serbe, krejt derisa këto tri shkronja kuptimplote të lirisë për herë të parë u përflakën në nën qiellin e Prekazit të Legjendarit, Adem Shaban Jashari dhe pastaj reflektuan e rrezatuan anë e mbanë Kosovës.
Banorët e Reçakut, rinia heroike e këtij fshati, si në të kaluarën e mëhershme ashtu edhe në kohën e luftës së UÇK-së dhe pas saj, në kohën e lirisë e deri më sot, nga viti në vit kanë kompletuar fragmentet e historisë sonë më të re, duke përjetësuar edhe fizikisht historinë reale, që ka ndodhur në këtë fshat.
Luftëtarët e lirisë së Reçakut, veprimtarët, invalidët, veteranët vazhdimisht kanë qëndruar e po qëndrojnë në krye të detyrës, duke përjetësuar historinë me monumente, shtatore, pllaka përkujtimore, monografi, filma dokumentarë, këngë e krijime artistike, dhe vit për vit duke shënuar përvjetorët e lirisë.
Reçaku, dikur fshati i vogël i Shtimes, tanimë ka hyrë jo vetëm në historinë madhështore të Kosovës e kombit përgjithësisht por edhe në diplomacinë, historitë dhe enciklopeditë botërore.
Monumentet e shumta të lirisë në Reçak, tani të begatuara edhe këto tri shkronja çlirimtare e fitimtare, do të ndriçojnë përjetësisht mbi këtë kodër, edhe pse forcat e territ, po bëjnë përpjekje ta zhvlerësojnë luftën tonë të drejtë për liri dhe ta mohojnë gjakun e dëshmorëve e martirëve.
Urime e përgëzime, Reçak i lirisë dhe i pavdekësisë, thuhet në fund të telegramit të Radios Kosova e Lirë dhe TV-Diellit.