leoni

Sylë Ukshini: Në 15 vjetorin e rënies së dëshmorëve Gursel Sylejmani dhe Bajram Sylejmani

Edhe në këtë shtator, si edhe në shtatorët që ikën, ndiejmë obligim të bëjmë homazhe për njerëzit e lirisë, për ata që mposhtën errësirën serbe dhe për ata që bënë kthesë historike në zhvillimet politike në dhe rreth Kosovës, Gursel dhe e Bajram Sylejmanin, për Fehmi e Xhevë Lladrovcin, si dhe e shumë e shumë luftëtarëve të tjerë të merituar të UÇK-së. Ata artikuluan bazën politike dhe filozofinë e lëvizjes kombëtare në Kosovë që kishte në themel refuzimin ndaj nënshtrimit serb, duke vlerësuar potencialin e brendshëm për të bërë që proceset politike në Kosovë të marrin kthesë pozitive.

Rrethanat në të cilat u vranë Gurseli e Bajrami, më 28 shtator 1998, janë një material për krijimin e eposit heroik, i cili do t´u përcillet gjeneratave të ardhshme. Megjithëse, bashkëluftëtarët e Gurselit e Bajramit nuk donin t´i linin së bashku, afër njëri-tjetrit për shkak të ndonjë të papriture dhe rreziku, kur ushtria dhe policia serbe, superiore në armatim, po marshonte drejt maleve të Jezercit, aty ku vepronin trupat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Nënzonës Operative të Nerodimes, vdekja i gjeti në një front dhe në një betejë.  Ndodhi kjo me 28 shtator të vitit 1998..

Duke ecur në gjurmët e figurave të shquara të lëvizjes kombëtare, Gurseli e Bajrami u përpoqën jo vetëm të luftonin për realizimin e aspiratave kombëtare, por mundësisht t´i çonin ato përpara më tej, në përputhje me rrethanat e reja historike që kalonte Kosova. Vec kësaj, ata vinin nga një familje me traditë patriotike dhe bujare, që kaherë kishte bërë emër në rajonin e Anamoravës. Në këtë kontekst, veprimtaria patriotike Bejta e Mexhit Sylejmanit, antikomunistëve të përbetuar dhe luftëtarë të devotshëm të lëvizjes kombëtare për mëvetësi, influencuan fuqishëm tek Hetemi, babai i Gurselit e Bajramit, i cili qysh në rini të hershme do të radhitet në formacionet e rezistencës antiserbe, që në ato anë drejtoheshin nga patrioti i njohur Hysen Terpeza. Kjo traditë atdhetare në familjen Sylejmani ishte kultivuar brez pas brezi, duke u bërë gjithsesi një burim frymëzimi edhe për të dy pjesëtarët e familjes Sylejmani, Gurselin dhe Bajramin.

Shpërthimi i demonstratave në pranverë të vitit 1981 në Kosovë, të cilat tronditën sistemin federalist jugosllav dhe ia hapën udhën procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Gurselin dhe Bajramin, edhe pse në moshë të njomë, i gjeti të përgatitur politikisht. Si Gurseli, që atëbotë ishte student i Akademisë së Artit në Shkup, ashtu edhe Bajrami, nxënës i shkollës së mesme, prej fillimit do të angazhohen në demonstratat e prillit 1981 dhe në të gjitha organizimet e atëhershme ilegale, duke marrë mbi veta angazhime dhe detyra të caktuara për sensibilizimin dhe mobilizimin e opinionit publik brenda dhe jashtë vendit, me synim që të  shpërfaqen më objektivisht objektivat historike të shqiptarëve të Kosovës në luftë kundër shtypjes dhe represionit jugosllav. Për këtë arsye pasojnë burgosjet e njëpasnjëshme: Gurseli burgoset në 1982 pastaj me 1987 burgoset së bashku me të vëllanë e tij të vetëm Bajramin, atëherë student i gjeologjisë në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, dhe më pas ndodhi burgosja e tretë më 27 mars 1989, ndërsa e katërta, në gjysmën e parë të vitit 1992. Vëllezërit Sylejmani nuk zmbrapseshin nga ideja e tyre, për jetësimin e idesë së lëvizjes kombëtare shtetëformuese, për nxjerrjen e Kosovës jashtë Serbisë, e cila në qershor të vitit 1999 u bë pothuaj realitet, falë projektit vizionar të UÇK-së, lufta e së cilës meriton dhe duhet të ndriçohet në mënyrë gjithëpërfshirëse mirëfilltë shkencore.

Shpërbërja e sistemit komunist dhe pozita e shqiptarëve

Fundi i shekullit XX i gjeti shqiptarët me probleme shumë të mëdha të pazgjidhura dhe me një perspektivë shumë të paqartë. Ekonomikisht ata mbetën populli më i varfër i Evropës dhe politikisht mjaft të përçarë. Shqiptarët, përkatësisht klasa e tyre politike, në këtë situatë nuk ishte në gjendje t´u përgjigjej sfidave zhvillimore të kësaj kohe. Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e sistemit komunist në Lindje të Evropës dhe në Jugosllavi, fenomene këto që shqiptarëve u shkaktuan vuajtje të tmerrshme, përveç që hapën perspektivë të re si për popujt tjerë të Lindjes, nxorën në dritë edhe nevojën për një zgjidhje të çështjeve të pazgjidhura. Por, pozita e shqiptarëve të Kosovës pas rënies së komunizmit në ish-jugosllavi u keqësua edhe më, në vend që të ndryshonte për të mirë. Nacional-shovinistët serbë, të prirë nga liderët ish-komunistë, përdorën tërë infrastrukturën e shtetit për të degraduar statusin  e Kosovës.

Pas mungesës së rezultateve të politikës joviolente, ideja për t´u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, si në organizimet klandestine, po ashtu edhe nga subjektet politike të etabluara në fillimvitet 90-ta. Ndërkohë, Gurseli dhe Bajrami vazhdojnë të mbajnë lidhjet e tyre me organizatat klandestine të kohës, brenda dhe jashtë Kosovës, duke qenë përherë të gatshëm t´i bashkëngjiten rezistencës së armatosur, si alternativë për bërjen e lirisë evropiane në Kosovë, aty ku, me dekada të tëra, u përthyen dy ide e filozofi antipode, bërja e lirisë nga shqiptarët, dhe mbytja e kësaj ideje nga regjimet represive serbe. Në anën tjetër, faktori ndërkombëtar dhe qendrat e vendosjes, në këtë mes edhe NATO-ja, nuk vepruan për aq kohë në Kosovë deri sa faktori i brendshëm prishi status quonë politike, e cila ishte konservuar nga klasa politike në Prishtinë, që refuzimin dhe humbjen e dinjitetit i kishte bërë si normë  të sjelljes së shqiptarit kundrejt infrastrukturës represive serbe.

Bashkësia ndërkombëtare, veçmas disa vende të rëndësishme evropiane ende mbështesnin idenë e „hapave të vegjël“, që do të çonin drejt përmirësimit gradual të situatës në Kosovë. Në këtë kontekst, nuk qenë të pakta ato qendra ndërkombëtare të vendosjes që shqiptarëve u sugjeronin të hiqnin dorë nga ideja e pavarësisë dhe të pranonin një lloj autonomie në kuadër të Jugosllavisë së mbetur, duke varur shpresën se gjatë fazës së ristrukturimit të Ballkanit e të hapësirave të ish-Jugosllavisë mund të demokratizohej Serbia. Ndodhi kështu një deformim dhe zhvendosje idesh dhe parimesh: Kosova kërkonte përkufizimin e vijës së ndarjes me Serbinë, kurse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkonte ndryshimin e regjimit në Beograd. Natyrisht, këto ishin dy alternativa të ndryshme me njëra-tjetrën, jo vetëm për shkak të ngarkesave historike, por edhe për faktin se në Kosovë ishte krijuar bindja se jeta e përbashkët me serbët në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur ishte bërë e pamundur, pavarësisht nga regjimi që ndodhej në pushtet.

Po  kështu, një pjesa e shqiptarëve të Kosovës, të prirë nga partitë e atëhershme politike, alternativën e luftës e shihnin si të pamundur, madje vetëvrasëse. Në këtë rrethanë, në Kosovë u krijua një atmosferë e brendshme antiluftarake, duke justifikuar se një konfrontim i shqiptarëve me shtetin serb do të shkaktonte katastrofë me përmasa më tragjike se në Bosnjë. Me këtë qëndrim, u krijua një ndasi e madhe brenda vetë Kosovës dhe vunë në dilemë bashkësinë ndërkombëtare. Disa, edhe sot, duan të thonë se një faktor limitues ishte qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare kundër opsionit luftarak në Kosovë deri në fund të viteve  nëntëdhjeta. Por, zhvillimet e mëvonshme argumentuan se përkrahja ndërkombëtare ishte në përpjesëtim të drejtë me atë që ndodhte në Kosovë dhe me zhvillimet që ndodhnin këtu. Parimisht, askush nuk do të jepte mbështetje për luftë, nëse faktori vendor dhe klasa politike, si faktor vendimmarrës, nuk ishte e gatshme të radikalizonte format e veprimit dhe t´i hynte rreziqeve që mund të sillte një luftë eventuale.

Optimizmi i rremë dhe iluzioni se po bëhej diçka për bërjen e lirisë së Kosovës, morën goditje përfundimtare me Konferencën e Dejtonit, me ç´rast Kosova jo vetëm që u anashkalua në këtë konferencë, por ajo shërbeu si mjet kompromisi për të arritur marrëveshje me Milosheviqin rreth Bosnjës. Bashkësia ndërkombëtare u tregua e pandjeshme me Kosovën. U bë e qartë se shpresat e bashkësisë ndërkombëtare për paqen në ish-Jugosllavi nuk u linin shumë vend kërkesës së kosovarëve për pavarësi. Në bisedime nuk u ftua asnjë përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës dhe u injorua tërësisht fakti se çështja e Kosovës kishte nevojë për zgjidhje të ngutshme. Defaktorizimi i Kosovës ishte i frikshëm, ndërsa klasa politike mundohej edhe më tej të ruante pozicionin e saj me retorikë eufemiste. Në këtë fazë, zhvillimet politike në Kosovë ishin tepër të ngadalshme dhe aspak premtuese. Por, në anën tjetër, në ilegalitet tashmë kishte filluar konsolidimi i strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, mund të thuhet se Dejtoni u bë pikë kthese për zhvillimet në Kosovë.

Fillimi i luftës

Në shkurt të vitit 1996 në shumë qytete u bënë njëkohësisht sulme me bomba, përgjegjësinë e të cilave e mori Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila deri atëherë ishte e panjohur për shumicën e shqiptarëve, madje, edhe për lidershipin politik në Prishtinë. Sipas shumë vëzhguesve, shtytjen kryesore të ngjitjes në skenë të UÇK-së ia dhanë trazirat në Shqipëri, pas kolapsit të firmave dubioze priramidale. Në vitin 1997 UÇK-ja kishte konsoliduar pozicionet e saj në zonat malore të padepërtueshme. Më në fund, më 28 nëntor 1997  luftëtarët  e maskuar të UÇK-së u shfaqën për herë të parë botërisht në varrimin e një mësuesi shqiptar, i cili ishte vrarë nga njësitet serbe, për të shpallur se UÇK-ja ishte e vetmja forcë që luftonte për çlirimin e Kosovës.

Në janar të vitit 1998, UÇK-ja zgjeroi radhët dhe ndërmori një varg sulmesh, të cilat shkaktuan kundërpërgjigjen e njësiteve serbe. Në këtë kohë ndodhi edhe sulmi i parë mbi familjen Jashari në Prekaz të Drenicës. Njësitë e policisë speciale serbe, të ashtuquajturat „ njësitet speciale antiterroriste „ sulmuan fshatrat dhe pozicionet e UÇK-së. Në Drenicë, në qendër të zonës së kryengritësve, me tanke, artileri, helikopterë dhe mitralozë. Veprimet e forcave serbe u drejtuan drejtpërdrejt kundër popullsisë civile shqiptare. Përmes ndëshkimit kolektiv dhe frikësimit synohej të pengohej rritja e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Popullsisë synohej  t´i bëhej e qartë se çdo përkrahje e kryengritësve do të ndëshkohej ashpër, dhe se lufta e armatosur nuk kishte asnjë perspektivë. Mirëpo, edhe pas masakrës së 28 shkurtit në fshatin Likoshan dhe masakrës tjetër më 5 mars në Prekaz të Ulët, ku u vranë afro 60 pjesëtarë të familjes Jashari, ku në mesin e tyre ishte edhe Adem Jashari, i njohur si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që gëzonte respekt të madh në radhët e luftëtarëve të qëndresës. Sulmet e ashpra serbe synonin të shuanin nga faqja e dheut familje të tëra të lidhura me UÇK-në.

„ Vdekjet në familjen Jashari e lanë Kosovën tejet të tronditur. Vite të tëra të zemërimit të grumbulluar tashmë shpërthyen dhe në të gjithë Kosovën filluan demonstratat. Brenda pak javësh gjithçka filloi të ndryshonte: statuskuoja që kishte qëndruar që nga viti 1990, filloi të shembej dhe të gjithë u befasuan nga ajo që po ndodhte… “, shkruan analisti i njohur Tim Judah.  Përveç Drenicës UÇK-ja filloi të zgjerohej edhe në zonat tjera në Kosovë.

Në këtë periudhë, shumë veprimtarë dhe luftëtarë të rrethinës së Ferizajt, Kaçanikut dhe të rrethanave të tjera, menduan se kishte ardhur momenti për ngritjen dhe konsolidimin e njësiteteve të UÇK-së në këto anë. Në fillim të gjysmës së dytë të vitit 1998, kur në Kosovë ishin shtuar veprimet dhe konfrontimet e kryengritësve shqiptarë me trupat qeveritare serbe, edhe në rrethinën e Ferizajt formohen njësitet e parë të UÇK-së të Nënzonës Operative të Nerodimes.

Gurseli dhe Bajrami ishin ndër të parët dhe ndër njerëzit më kyç për ngritjen e këtyre njësiteve, për konsolidimin e tyre, për zgjerimin e radhëve me ushtarë të rinj të UÇK-së, që nga qarqe të caktuara vendore dhe ndërkombëtare në fillimin e saj shikohej me mosbesim, gradualisht vazhdoj të ndërtonte rrjetin e saj, jo vetëm në regjionin e Drenicës, por edhe në regjionet tjera të Kosovës. Pas çdo lagjeje, pas çdo shtëpie të rrënuar vëzhgonin të gatshëm luftëtarët e UÇK-së për të goditur çdo depërtim të mëtutjeshëm të forcave serbe.

Mbi të gjitha, ofensivat e njëpasnjëshme serbe në fillim të verës 1998 krijuan një situate të re në hapësirën e Kosovës. Njësitet ushtarake dhe paraushtarake, si dhe policore serbe depërtojnë nëpër vendbanimet shqiptare, artileria e trupave serbe pamëshirshëm shkatërron çdo gjë që qëllon përpara. Në anën tjetër popullata shqiptare, e pambrojtur nga askush, lëshon vendbanimet dhe ia mësynë malit apo vendeve jashtë zonave të luftës.

Ofensivat e Beogradit përpiqeshin të arrijnë efekte shumëdimensionale, demostrimin e potencës ushtarake, thyerjen e moralit të shqiptarit, mbjelljen e frikës kudo, futjen e zhgënjimit dhe humbjen e shpresës se mund të bëhet liria me mjete luftarake kundër Serbisë dhe infrastrukkturës së saj ushtarake e policore.

Në këtë fazë, veprimet strategjike nuk janë të orientuar vetëm kundër popullatës civile, por edhe në shpërbërjen e dhunshme të faktorit ushtarak shqiptar, që nga dita në ditë po fitonte një identitet dhe legjitimitet ndërkombëtar.

Atëherë kur ushtria serbe po marshonte në drejtim të Jezercit, Gurseli dhe Bajrami qëndronin në pozicionet e tyre, mbi një kilometër larg njëri tjetrit. Por, si në legjendë, vetëm pak kohë pasi kishte gjetur vdekjen Bajrami nga plumbat e ushtrisë serbe, Gurseli vazhdonte rezistencën e tij, pa ditur se në pjesën tjetër të fushëbetejës kishte humbur vëllanë e tij të vetëm dhe vetëm pas pak minutash vdekja e mori edhe Gurselin.

Përfundim

Veçori dalluese e gjithë veprimtarisë së Gurselit dhe Bajramit është se ata, ashtu si në jetën e përditshme, kanë qenë konsekuent në jetësimin e pikëpamjeve dhe ideve të tyre dhe deri në fund do të mbeten në këtë linjë. Me këtë besim dhe me guximin e jashtëzakonshëm që karakterizonte vëllezërit Sylejmani përparuan në fushën e shkencës, laboratori i krijimtarisë artistike të Gurselit është jashtëzakonisht i pasur, Bajrami, gjeologut të ri e me perspektivë, kishte karakter thellësisht shkencor,  dhe me angazhimin e tyre politik e luftarak dhanë një kontribut madhor në luftën e madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të arritur lirinë e evropiane të Kosovës, Gurseli e Bajrami e kishin po ashtu të qartë me kohë se duheshin tejkaluar ndasitë e brendshme, duheshin thyer mentalitete e pikëpamje të vjetërsuara politike, duhej organizuar një front gjithëpërfshirës kundër regjimit represiv serb.     Të gjithë këta elementë flasin që vetëdija historike prodhon vetëbesim, dhe vetëbesimi prodhon forcë dhe një popull i vjetër sikurse populli i Kosovës duhet ta kërkojë forcën edhe në historinë e tij. Prandaj, Lufta e UÇK-së mbetet projekti më madhor i shqiptarëve të Kosovës në shekullin në 20. Prandaj, edhe roli dhe kontributi i  Gurselit dhe e Bajramit, si dhe e të gjithë përfaqësuesve tjerë më të rëndësishëm të UÇK-së,  përgjithmonë do të jetë pikë referimi për të gjithë brezat, të cilët tek vëllezërit Sylejmani shohin themeltarët e lirisë sonë dhe simbolin e vlerave të larta politike dhe kombëtare. Natyrisht, kjo trashëgimi historike është një vlerë e veçantë edhe për historinë më të re të Kosovës; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …