leoni

Ministri Stavileci konfirmon mbështetje për transportin hekurudhor

“Jemi dëshmitarë që kemi realizuar tri projekte më të mëdha në Kosovën e pasluftës, dy autostradat dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe mendoj që në këto dy drejtime kemi arritur një nivel, i cili është i krahasueshëm jo vetëm me shtetet e rajonit, por edhe me disa prej shteteve të BE-së”, kështu ka deklaruar Blerand Stavileci ministër i Zhvillimit Ekonomik gjatë një vizitë që ka zhvilluar në Ndërmarrjen Publike Infrakos.

Ai më tej ka falënderuar punëtorët e transportit hekurudhor si dhe menaxhmentin që përkundër vështirësive, kanë arritur të mbajnë të gjallë njërin ndër transportet më të rëndësishme sidomos transportin e mallrave.

Ministri Stavileci tha po ashtu se në këtë drejtim Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me BERZH dhe Bankën Evropiane Investive ka bërë një hap të rëndësishëm duke përmendur kështu Linjën e 10 hekurudhore që e lidh  Kosovën me Maqedoninë në jug dhe me Serbinë në veri.

“Ne kemi fonde të zotuara edhe nga dy institucione bankare shumë prestigjioze BERZH dhe Banka Evropiane Investive që të na mbështesin dhe ta realizojmë këtë projekt”, ka thënë ai.

Sipas Stavilecit realizimi i këtij projekti jo vetëm që do të mundëson  lidhjet me shtetet e rajonit, por edhe  Evropën  ku edhe do ta  bëjë këtë sektor më tërheqës për operator në momentin që liberalizohet tregu.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik mbështetë këto Ndërmarrje  në veçanti Infrakos, nëpërmjet dy kategorive; përmes investimeve kapitale dhe subvencioneve. Ne edhe këtë vit do ta mbështesim këtë ndërmarrje, por besoj se në vitet e ardhshme më nisjen e realizimit të projektit të Linjës së 10 dhe projekteve të tjera që janë në plan mendoj që ky sektor do të mund të ringjallet në tërësi”, ka thënë Ministri Stavileci.

Nga ana e tij, Agron Thaçi Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Infrakos, duke falënderuar ministrin Stavileci për vizitë tha se stafi që ai menaxhon janë  të përkushtuar që ta mbajmë dhe mirëmbajmë rrjetin hekurudhor të Kosovës, duke shtuar se me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës kanë filluar edhe planet, projektet zhvillimore për rehabilitimin dhe modernizimin e linjave hekurudhore.

“Nëse të gjitha shkojnë sipas planit mund të them se në janar të vitit të ardhshëm do të fillojnë në praktikë punët në rehabilitimin dhe modernizimin e Linjës së 10 hekurudhore. Mirëpo së bashku me Qeverinë nuk do të ndalemi vetëm në këtë linjë por do të vazhdojmë në bazë të listës prioritare, të cilën e ka miratuar Qeveria e Kosovës”, tha Thaçi.

Ndryshe, në listën prej 11 projekteve infrastrukturore që i ka aprovuar Këshilli Kombëtar për Investime që kanë hy në listën e kualifikuar për të absorbuar fonde nga organizatat ndërkombëtare financiare janë gjashtë projekte të transportit hekurudhor në mesin e tyre edhe linjën hekurudhore qe e lidh kryeqytetin me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …