Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, bashkë me ish drejtorët e Spitalit Rajonal të Ferizajt, Dr. Mufail Hasani, Dr. Skender Shabani, Dr. Bejtush Jaha, Dr. Sylejman Metushi dhe Dr. Jeton Zeqiri, në hapësirat e objektit të ri në ndërtim të Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, kanë mbajtur një konferencë për media. Në këtë konferencë, ata folën për bllokimin e ndërtimit të spitalit të Ferizajt, mos angazhimin e Qeverisë dhe nevojën e madhe që kanë qytetarët e Ferizajt për këtë spital. Deputeti Reçica u bëri thirrje Qeverisë, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Financave dhe të gjithë deputetëve që vijnë nga rajoni i Ferizajt që të angazhohen maksimalisht që ky projekt të përfundojë sa më parë. Nga shtatë qytetet kryesore të Kosovës, vetëm Ferizaj nuk e ka një qendër spitalore të mirëfilltë, me kapacitetet e mjaftueshme. Këta doktorë këtu afër meje, u janë gjendur në kohën më të vështirë ushtarëve të UÇK-së dhe civilëve tanë. Me këta është themeluar Spitali i Ferizajt më 1999. Fatkeqësisht, projekti i menduar nga viti 2013 dhe i nisur nga viti 2017, Ka mbetur në gjysmë. Me planin dinamik, ky spital është dashur të përfundohet saktësisht një vit më parë, me 15 qershor 2021.”, ka thënë Reçica.
