Përmes aktiviteteve të shumta, Komuna e Malishevës, sot po shënon 16 Qershorin-Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve, datë e cila si në asnjë vend tjetër lidhet me datën e çlirimit, datën e rënies së dëshmorit të parë dhe rënies së dëshmorit të fundit. Të gjitha aktivitetet janë mbajtur nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Në këto aktivitete, krahas strukturave komunale, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të institucioneve tjera në Malishevë, si dhe koordinatori i qendrës kulturore kosova-shkupi në Turqi, Rexhep Gunduz, një aktivist i njohur shqiptar në këtë vend. Aktivitetet kanë filluar në orët e paradites, ku është ngritur flamuri kombëtar në qendër të qytetit të Malishevës, e më pas janë bërë nderime dhe homazhe, pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, pastaj në varrezat e dëshmorëve, në Malishevë, në Kleçkë dhe në Prekaz. Më pas është bërë edhe përurimi për dëshmorin e kombit Mentor Gashi në Kijevë.
Në ora 14:00, është mbajtur manifestimi qendror, në shtëpinë kulturës “Tahir Sinani”. Në këtë manifestim, fjalë rasti kanë mbajtur i pari i Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi dhe Sinan Gegaj në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe më pas, janë ndarë edhe çmimet tradicionale për Trimëri dhe Heroizëm “Imer Krasniqi” që ju është ndarë post mortum ish ushtarëve të UÇK-së, Shefqet Paçarizi dhe Shpejtim Hazrolli, pastaj çmimi për kontribut në arsim “Hamdi Berisha”, që ju ndarë mësuesve Kapllan Krasniqi dhe Hamdi Berisha, si dhe çmimi për kontribut në shëndetësi “dr.Shpëtim Robaj”, për Ismet Morina (post mortum) dhe Gëzim Krasniqi.
Në fjalët e rastit të mbajtur në manifestimin qendror, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka folur për kontributin e Malishevës në luftën çlirimtare, rolin që ka luajtur Malisheva gjatë luftës, për dëshmorët dhe sakrificën e popullatës së Malishevës, si dhe për zhvillimin dhe ndërtimin e pasluftës. Po ashtu, duke folur për luftën, kryetari Kastrati, përmendi edhe masakrat e kryera në Malishevë, ku deri më sot, nuk është gjykuar askush dhe kërkoi edhe njëherë, publikisht, që organet përgjegjëse ti sjellin para drejtësisë, autorët dhe urdhërdhënësit për të gjitha vdekjet e civilëve të pafajshëm. Po ashtu kryetari Kastrati e përsëriti kërkesën për lirimin e krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi, foli në mënyrë kronologjike për luftën e popullit shqiptar për çlirim, si dhe për kontributin e Malishevës si territor në luftën për liri dhe pavarësi, kontribut i cili u vlerësua si shumë i madh dhe i pamohueshëm.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Sinan Gegaj, foli për vlerat e luftës dhe veprat e dëshmorëve të kombit, si dhe për kontributin e Malishevës në përgjithësi gjatë luftës. Në fund të këtij manifestimi është mbajtur edhe një program i pasur kulturor dhe artistik, nga aktori i njohur, artist i popullit-Mirush Kabashi dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.Aktivitetet e sotme, përfundojnë në orët e mbrëmjes me një koncert të madh në parkun e qytetit në Malishevë.