Edhe sot ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore kundër aktivistëve të Vetëvendosjes lidhur me rrokullisjen e veturave të EULEX-it. Seanca nuk është mbajtur pasi shumica e të akuzuarve nuk kanë qenë të pranishëm dhe Policia nuk ka arritur t’i sjellë në Gjykatë. “Për pjesën dërmuese të të akuzuarve kam dhënë urdhër të sillen me detyrim, por Policia nuk i ka gjetur dhe jemi të detyruar që ta ndërpresim seancën”, ka thënë gjyqtari, Vesel Ismajli. Ai nuk ka caktuar seancë tjetër, sepse pret ta shqyrtojë mundësitë për të siguruar prezencën e të pandehurve. Gjykata ka lëshuar urdhër për sjellje me detyrim për deputetin Glauk Konjufca, sekretarin organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, zëdhënësin Frashër Krasniqi dhe të tjerë të akuzuar në këtë rast. Seancat më herët kanë arritur të mbahen vetëm kur zyrtarët e Vetëvendosjes kanë qenë në paraburgim ose janë arrestuar paraprakisht nga Policia. Në seancën e sotme kanë qenë të pranishëm vetëm 7 nga 27 të akuzuarit. Krerë dhe aktivistë të Vetëvendosjes akuzohen për dëmtim të pasurisë në vitin 2009 kur gjatë një aksioni kishin rrokullisur shumë vetura të EULEX-it, si shenjë të kundërshtimit të një marrëveshjeje protokolli ndërshtetëror, që misioni evropian e kishte nënshkruar me Serbinë, por jo edhe me Kosovën të cilën, EULEX-i nuk e njeh si shtet, por vazhdon ta trajtojë si provincë të Serbisë.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …