Tahiri dhe Haxhiu, PDK: Trusti pritej të kalonte, Vetëvendosje me presion dhe në mënyrë arbitrare e ndërpreu seancën

Tahiri dhe Haxhiu: Trusti pritej të kalonte, Vetëvendosje me presion dhe në mënyrë arbitrare e ndërpreu seancën

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri së bashku me deputetin Bekim Haxhiu, në një konferencë për media kanë ngritur shqetësimin për ndërprerjen në mënyrë arbitrare të seancës nga Kryetari Konjufca, pikërisht në momentin që pritej debati për trustin.

Tahiri ka thënë se pushteti i udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti, po gjejnë metoda për ta penguar votimin e trustit në Kuvendin e Kosovës.

 “Kjo iniciativë, e nisur qysh moti nga PDK dhe e parashtruar nga deputeti Haxhiu, ka qenë artikulim i kërkesave qytetare. Për javë të tëra kemi diskutuar për ta sjellë në këtë pikë votimin e trustit. Por, pikërisht kur erdhi momenti për të diskutuar për trustin, në mënyrë të paprecendtë u ndërpre seanca e Kuvendit. Këtë e vendosin deputetët, jo në mënyrë arbitrare Kryetari i Kuvendit.”, ka thënë Tahiri.

 Më tej, ai ka shtuar se kjo është e papranueshme sepse është një kërkesë e qytetarëve të Kosovës.

 “Janë 696 mijë qytetarë të Kosovës që do të përfitonin nga 10 deri në 30 për qind të tërheqjes së kursimeve të tyre nga Trusti. Nëse Qeveria do të kishte përkushtim kaq të madh për punë të tjera, si e kanë për bllokimin e debatit për trustin, vendi ynë do ti kishte punët më mirë dhe nuk do të kishim fare nevojë për të tërhequr trustin.“, ka thënë Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se qytetarët kanë mbetur të zhgënjyer nga Kryetari i Kuvendit i cili ndërpreu në mënyrë arbitrare senacën e Kuvendit, kur pritej dikustimi për trustin sepse ai pritej të kalonte sot.

“Gjendja e qytetarëve, kriza ekonomike, po bëhet e papërballueshme. Sot kishte një optimizëm në Kuvend për ta votuar projektligjin sepse kemi biseduar me shumë deputetë për ta votuar këtë projektligj, këtë kërkesë qytetare. Por, nga frika që ky projektligj do të kaloj sot, me presionin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza  Kusari-Lila, Kryetari Konjufca vendosi ta ndërpresë seancën. Besoj shumë që ky projektligj do të kalonte sot prandaj është e prapranueshme ky presion që po u bëhet edhe deputetëve të caktuar nga Qeveria për të mos e votuar këtë projektligj.”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Më tej, ai ka thënë se qytetarëve nuk duhet tu ndalohet tërheqja e parave të tyre, kur këtë e kanë bërë edhe eksponent të Vetëvendosjes dhe vet Drejtori i Trustit herën e parë.

“I ftoj deputetët dhe Kuvendin që nesër të mos e pengojnë këtë projektligj, këtë diskutim. Çdo ditë që vonohet votimi i këtij projektligji, kriza e qytetarëve do të rritet. Qeveria dhe kjo mazhorancë po shndërrohet në një prej faktorëve që po rëndon edhe më shumë situatën ekonomike të qytetarëve. “, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Në fund, Kryetari i GP të PDK-së ka thënë se nëse edhe nesër ky projektligj nuk kalon, dhe nëse Qeveria nuk merr ndonjë masë konkrete për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, qoftë përmes përmirësimit të pagës minimale ose formave të tjera, do ta rishikojnë mundësinë që këtë projektligj ta sjellin përsëri në Kuvend në muajin nëntor.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …