Aksioni i zhvilluar tash e sa muaj i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Ferizajt, që rezultoi me ndalimin dhe shoqërimin në Polici të dhjetëra personave, është një aksion për të cilën Komuna e Ferizajt, fillimisht i falënderon për bashkëpunimin si dhe i përgëzon Policinë e Kosovës duke i inkurajuar këta të fundit që të vijojnë kontrolle të tilla edhe në të ardhmen për të rritur sigurinë në shkolla, që paraqet synim të përbashkët të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Ferizajt dhe Policisë në Ferizaj. Kjo, në kuadër të bashkëpunimit e koordinimit të përditshëm të aksioneve mes institucioneve komunale dhe Policisë në dobi të rritjes së sigurisë publike. Kujtojmë se ky aksion ka ndaluar një numër personash, kryesisht frekuentues përreth objekteve shkollore, ku gjatë kontrolleve në lokale, shtëpi banimi dhe objekte përcjellëse u janë gjetur edhe armë të ftohta dhe është konstatuar përdorimi nga ana e tyre i substancave narkotike. Andaj me këtë rast, inkurajojmë organet e drejtësisë që në procedurë ligjore të mbajnë përgjegjës dhe të ndëshkojnë konform legjislacionit në fuqi të gjitha shkeljet që nxirren si përfundim nga procesi hetimor dhe gjyqësor. Drejtoria e Arsimit, kaherë ka ngritur këtë shqetësim, duke i ofruar bashkëpunim të plotë organeve të sigurisë dhe drejtësisë. Për këtë çështje, përveç aktiviteteve vetëdijësuese, Drejtoria e Arsimit, ka përgatitur dhe ka të gatshëm projektin e veçantë, që do të lansohet që nga 1 shtatori i këtij viti, ku objektet shkollore do të mbikqyren nga kompani të specializuara të sigurimit fizik, si masë kjo preventive dhe nxitëse e rritjes së sigurisë në shkolla. Lidhur me këtë rast, inkurajojmë dhe apelojmë edhe tek prindërit, mësimdhënësit dhe çdo qytetarë, që ka informacione për zhvillimin e dukurive të tilla negative brenda apo përreth objekteve shkollore, që të denoncojnë rastet e tilla në Polici dhe Drejtorinë e Arsimit, që bashkërisht të kontribojmë në rritjen e sigurisë në shkolla.