Financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), është lansuar projekti NATURKOSOVO. Projekti tre vjeçar NATURKOSOVO (2022-2024) ka një buxhet rreth 1,8 milion euro, që ka për qëllim të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik dhe stabilitetin e komuniteteve përfituese lokale. Komunat që do të mbështetën ne këtë projekt janë komuna e Junikut, Pejës dhe Deçani. Projekti do të ketë përmbajte kryesisht në turizëm, e që do të ndihmoj në mbrojtjen dhe promovimin e shtigjeve malore “ Via Dinarica “. Kryetari i komunës z. Ruzhdi Shehu, me një fjale rasti theksoj se bjeshkët tona janë të njohura si një thesar me bukuritë e tyre natyrore të jashtëzakonshme, dhe me një potencial të madh turistik. Ato me shekuj kanë qenë burimi i rëndësishëm i mbijetesës, dhe zhvillimit për qytetarët tonë.
Fjalimi i plotë i Kryetarit të Komunës së Junikut z. Ruzhdi Shehu
Të nderuar të pranishëm, Më lejoni që në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Junikut të falënderoj Ambasadorin Italian në Kosovë, Shkëlqesisë së tij Z. Antonello De Riu. Ministren e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Znj. Rozeta Hajdari, Përfaqësues të Agjencisë Italiane për bashkëpunim dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor, Shefe e zyrës Znj. Stefania Vizzaccaro, Koordinatorin e projektit – Z. Matteo Mancini, Përfaqësues nga Organizata Celim, z. Valon Mejzini, Kryetari i Komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Komunës së Deçanit z. Bashkim Ramosaj, Përfaqësues të institucioneve , zonja dhe zotërinjtë. Është kënaqësi të jemi pjesë e lansimit të projektit “NaturKosova” i cili ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e shtigjeve malore “Via Dinarica”me qëllim të zhvillimit e qëndrueshëm të komuniteteve lokale në pjesën lindore të Bjeshkëve të Nemuar, respektivisht të Komunës së Junikut, Pejës dhe Deçanit. Bjeshkët tona janë të njohura si një thesar me bukuritë e tyre natyrore të jashtëzakonshme, dhe me një potencial të madh turistik. Ato me shekuj kanë qenë burimi i rëndësishëm i mbijetesës, dhe zhvillimit për qytetarët tonë. Qytetarët tonë kanë bashkëjetuar me bjeshkët gjatë tërë vitit. Junikasit janë bjeshkatarë me traditë dhe bjeshka për neve është ndjenja e përkatësisë! Gjurmët shekullore të njerëzve tonë në bjeshkë janë shndërruar në legjenda, sikur ajo LIQENI DHE DASHI, toponime si GURI i ÇIKES ose në shtigjeve që kalojnë nëpër këto male madhështore, e që mbartin me vete histori mijëravjeçare të komunikimit tonë me njeri-tjetrit në male, qytete e pazare. Këto shtigje kalojnë në kanione të thella, shpella të pa eksploruara, lumenjtë të kristaltë, maja të thepisura malore dhe lëndina panoramike alpine.
Sot, në një kohë tjetër në jemi të interesuar që këto histori t’i gjurmojmë, ti dokumentojmë dhe ti kthejmë si narracion për këdo që vjen në këto troje: bjeshkatarë, udhëtare, hulumtues, turistë etj. Ata, këto tregime do t’i gjejnë jo vetëm si të shkruara por edhe si përjetime kulturore në traditat vendore – muzikën, vallet, kuzhinën, mikpritjen dhe urtësinë e njerëzve tonë. Sot, ne si komunë jemi thellësisht të përkushtuar që të punojmë bashkë me të gjithë partnerët që këtë thesar, ta ruajmë, ta mbrojmë që ta kemi si resurs për zhvillim lokal të qëndrueshëm. Falënderojmë Agjencinë Italiane për bashkëpunim dhe Zhvillim për financimin e këtij projekti, po ashtu mbështetësit tjerë Organizata Celim, Organizatën Utalaya, Klubin Alpin Italian dhe shoqatën italiane per turizmin e përgjegjshëm.