Në mbrëmjen, e cila ende përcëllonte nga vapa e ditës dhe përcillej me një mungesë ajri të pastër, dy taborët e mëdhenj kishin marrë pamje të një qetësie përpara furtunës mizore, e cila nuk vinte nga natyra, as nga Zoti, por nga sundimtarët, që pretendonin të ishin zotër në tokë, secili në të drejtën e fuqinë e vet. Edhe pse nuk ishte caktuar dita e sulmit, një ditë më parë, tre lajmëtarë të Sulltanit, kishin depërtuar në Kampin e krishterë të Llazarit dhe kishin përcjellë propozimin e Sulltan Muradit të Parë, ku thuhej: “Është ftesa jonë e fundit që të dorëzoheni, të mos derdhim gjakun kot, të pranoni vasalitetin, ashtu sikur shumë prijës tuaj dhe të Bizantit dhe të mos na pengoni në rrugën tonë drejt veriut e perëndimit. Nëse dorëzoheni dhe lidhim paqe, nuk do të hakmerremi për krimin e shëmtuar që na keni bërë tri vjet më parë në Pallaçnik. Nëse nuk i përfillni kërkesat tona, më 15 qershor do të nis lufta të cilën, me emër të Allahut do ta humbisni ju, duke derdhur gjakun rrëke”.
Në kohën kur lajmëtari kishte përfunduar leximin e ofertës së Sulltanit, prijësi Vojvoda Kosaniq i kishte fyer ata duke i kërcënuar se të nesërmen, trupat e tyre do ta mbulonin lumin e Sinisë dhe të Llapit, pastaj do të bëheshin mish për sorra e zhgaba, që do të vinin e do të ushqeheshin me kërmat turke edhe nga krejt Azia.
Natën e 14 qershorit të viti 1389, në Kodrën përballë kampeve, në Rezidencën e Mbretit Llazar, ishin tubuar të gjithë prijësit në tavolinën e madhe, të shtruar enkas me pije e mish, me qëllim që ajo darkë të shënonte takimin e fundit të Mbretit me prijësit, por edhe një konsultim paraprak, lidhur me betejën që do të fillonte në mëngjesin e ditës pasuese. Ishte nata, që më vonë në kujtesën e të krishterëve do të kujtohej si Dita e Parashikimit për flijim apo e Vidovdanit, sikur thuhet në traditën serbe.
Nga Rezidenca, e cila ishte në anën lindore të kështjellës së vjetër të Pirustinëve të kohës së Dardanisë, vërehej perëndimi i diellit në majat e Qyqavisë.
Në ballin lindor të tavolinës së madhe ishte ulur Mbreti në fronin e ngritur më lartë se tavolina në formë të P-isë greke, ku ishin ulur sipas radhës, posteve dhe rëndësisë, të gjithë të ftuarit.
Mbreti Llazar, në pjesën ballore të tavolinës, para fronit e kishte vendosur shpatën, mburojën dhe helmetën mbretërore, ndërsa kurorën e mbante në kokë. Afër tij ishte ulur mbretëresha, Melisa, pastaj Patriarku, Danillo dhe kryeprifti Mihail. Në anën e majtë ishin ulur, Vuk Brankoviqi, dhëndri i Mbretit, pastaj Ilija Kosanoviqi, Plaku Bogdan i Jugut, Krajmir Vojvoda, Milan Toplica, Prijësi Vukotiq i Bosnjës e të tjerë.
Në anën djathtë, ishte ulur dhëndri i dytë i Llazarit Gjergj Ballsha i Dytë, Gjon Kastrioti, Ivan Palishi i Kroacisë, Tvrtko Kotromaniqi, Konstandin Uglesha, dy bijtë e rinj të Llazarit, pastaj ishin vendosur dy karrige të zbrazëta për dy vasalët e Turqisë, Konstandin Dragoshi e Marko Kraleviqi, të cilët kishin premtuar se do të luftonin kundër turqve, por nuk kishin arritur në Fushën e Kosovës. Po ashtu në këtë radhë ishte ulur edhe Mojsi Arvanitasi me dy vëllezërit dhe krejt të fund fare, fill i vetëm ishte ulur Mirosh Danai, i quajtur nga serbët, Millosh Kopiliqi.
Sapo kishte perënduar dielli prapa maleve të Qyqavisë, mugëtira e ditës së përvëluar nga nxehtësia dhe vapa e padurueshme kishte lëshuar puhiza të ajrit të nxehtë, që shpërndahej bashkë me pluhurin e ditës, të ngritur lartë nga rrugëtimet e qindra mijëra njerëzve nga të dyja kampet. Ishte përhapur një pluhur aq i dendur dhe me një erë të rëndë sa vështirësonte edhe frymëmarrjen, por edhe pamjen e terrenit.
Pasi ishte konstatuar se të ftuarit kryesorë ishin të pranishëm, në takimin e fundit para fillimit të luftës me turqit, fjalën e kishte marrë Mbreti Llazar.
Ai ishte ngritur nga froni dhe kishte ngritur dollinë e parë, në gotën e arit. Atë e kishte ngritur për brezat e parë, pastaj për plakun Bogdan të Jugut me nëntë bijtë e tij, pastaj për Vuk Brankoviqin, Kosaniq Ivanin, Millan Toplicën e të gjithë trimat që sipas tij ishin të gatshëm të luftonin dhe të vdisnin qysh në mëngjes për Mbretin e tyre. Secilit prej trimave u kishte përmendur e lavdëruar nga një mëritë të veçantë, por nuk kishte përmendur asnjë nga emrat e aleatëve, edhe pse ata ishin të pranishëm madje në radhët e para, krejt afër tij.
Pastaj kishte thënë se nëse do ta pinte gotën për trimëri, atë do të pinte për Millosh Kopiliqin, por jo për nderin e besnikërinë e tij dhe iu kishte drejtuar me fjalët:
– Me shëndet Millosh, me besë dhe i pabesë!.
– Ti nesër do të më tradhtosh në Fushë të Kosovës!.
– Ti, do t’i bashkohesh Sulltan Muradit!.
Të gjithë prijësit kishin shikuar nga Mirosh Danai, duke pritur se si do të reagonte pas akuzës për tradhti, nga vetë mbreti.
Miroshi ishte ngritur në këmbë i veshur me rroba kalorësie, me flokët lëshuar përposh pa helmetë në kokë dhe iu kishte drejtuar Mbretit e të pranishmëve:
– Të faleminderit ty o mbret Llazar, për bekimin e trimërisë të cilën duket se ma pranon, por nuk të falënderoj për fjalët që m’ i the, dhe për akuzën e pabazë me të cilën po kërkon të më poshtërosh, këtu në prani të të gjithë princave.
– Ju me prijësit tuaj më keni detyruar të shkoj te Sulltani, sepse nuk na keni pranuar gjuhën, besën e traditën tonë, sepse keni nxjerrë ligje që na trajtojnë si kafshë e jo si njerëz. Ma keni vrarë babanë, prijësin më besnik të Mbretit Dushan, vetëm që të mos arrinte t’ ia thoshte me gojën e tij Papës, në Avinjon sesi jeni sjellë me ne. Keni helmuar edhe mbretin Dushan, sepse donte të lidhej me Papën për një kryqëzatë të përgjithshme kundër Turqisë, dhe në krye të saj ai të emërohej kapiten i saj.
Na keni vrarë e na keni plaçkitur, na i keni dhunuar gratë e nuset tona, na i keni ndarë dysh me shpatë fëmijët tanë, vetëm sepse nuk flasim gjuhën tuaj dhe nuk u bindemi zakoneve tuaja. Mbreti Juaj, Dushan, kishte nxjerrë një ligj që lejonte zhigosjen në fytyrë e në trup. Në Zakonikun e drejtësisë suaj që keni vënë në vend të Biblës shkruan: “I za jeres latinskuju; shto su se obratili hristijani va azamistvo, da se vazvrate va hristijanstvo. Ako li se kto obrete prečuv i ne vazvrativ se va hristijanstvo, da se kaže kako piše u zakoniku svetih otac. I kto se obrete jeretig, žive va hristijaneh, da se žeže po obrazu i da se prožene; kto li ga ima tajiti, i trazi da se žeže”. (Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet ta konvertojë një të krishterë (ortodoks) në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje…”. “Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse, e në rast se nuk dëgjon të pagëzohet, atij do t’i merret gruaja, fëmijët e shtëpia, do të katandiset në mjerim e do të detyrohet të emigrojë…”). Dhe kjo është vetëm njëra nga zezonat që na keni bërë, në emër të ligjit tuaj që nuk njeh as mësimet elementare të Biblës.
Në muajt e fundit, derisa po përgatiteshim për luftë, pesë fshatrat tona ia falët dhëndrit Brankoviq si miraz për bijën tuaj, Marën. Krimet që i keni bërë popullatës sonë janë të panumërta dhe nuk kemi kohë t’i themi të gjitha sot e këtu.
Është Ati ynë i madh në qiell, i cili qysh nesër do t’ i ndëshkojë të gjithë për krimet që i kanë bërë. Nesër do të jetë ferri i kësaj bote dhe shumë prej nesh, nuk do të shihemi kurrë më, për së gjalli.
Unë nuk jam tradhtar i fesë dhe këtë do ta dëshmoj nesër, sepse vetëm unë jam ai që do të futem te çadra e Sulltanit. Ju nuk mund të arrini as te balli i vijës luftarake, sepse unë e njoh Sulltanin dhe ai më njeh mua.
– Të njeh sepse je tradhtar, je turk, kishte bërtitur, Vuk Brankoviqi dhe kishte nxjerrë shpatën nga mielli, por Llazari kishte kërkuar të dëgjohej, Mirosh Danai dhe të mos i merrej fjala.
– E ke nxjerrë atë shpatë edhe njëherë tjetër kundër meje, por është ky Mbreti Llazar që ta ka shpëtuar kokën dhe të ka bërë dhëndër. Ai nesër do ta kuptojë dhe do të bindet vetë se çfarë njeriu të pa besë i ka besuar. Nesër do të duhet shpata, nëse ta mbanë të luftosh. Ti je ai që do ta pranosh vasalitetin dhe nuk do të futesh fare në luftë, iu kishte drejtuar Brankoviqit. Ky tjetri, kishte drejtuar dorën nga Gjergj Ballsha, do të ikë nga fusha e betejës, sepse asnjëherë nuk ka luftuar kundër turqve dhe nuk e merr me mend si bëhen ata një me erën, kur sulmojnë.
Unë dhe vetëm unë jam ai që mund të ia marr shpirtin Sulltan Muradit, kishte thënë dhe ishte larguar nga Kuvendi.
Duke parë përçarjen dhe duke iu besuar fjalëve të Mirosh Danait, Mojsi Arvanitasi me dy vëllezërit ishin larguar nga darka dhe iu kishin bashkuar Miroshit, për të cilin kishin dëgjuar, por e kishin parë për herë të parë.
Sapo kishte zbritur nga kështjella e rrënuar e Pirustinëve, kishte parë vëllanë, Fitoshin Gjin Muletën, Gjergj Alpushin dhe pesë kalorës të cilët e kishin pritur në vendin e caktuar paraprakisht.
– Ke të fala bese e nderi nga Thanas Arianiti, prijës Mirosh Danai. Kemi ardhur me porosinë e tij, si truproja besnike, dhe tash po e kuptojmë se qenkeni i rrezikuar nga të dyja anët. Unë jam Miftar Zenebishi, apo Dimitri, ushtari i Thoma Mavrotit. Këtu kemi sjellë edhe një dervish plak, të cilin e morëm në rrugë, meqë kërkonte të mësonte ku ndodheshit ju, pasi edhe ky ka një porosi.
– Mirë se keni ardhur vëllezër të mi. E dija se Thanasi nuk do të më linte vetëm. Po ku ndodhet ai, ke ndonjë lajm?.
– Prijësi Bajazid, sado që i do të dytë nuk lejoi që ata të vinin në ekspeditën tonë, me arsyetimin se ata duhej ta ruanin Pallatin, bashkë me prijësin Orhan dhe së bashku me bostanxhinjtë e tjerë, në mungesë të Sulltanit.
– Po ku është dervishi që keni sjellë?
– Ja atje po kryen lutjet e mbrëmjes. Ne po shkojmë në kamp dhe po iu bashkohemi forcave tuaja. Kemi nevojë të çlodhemi nga rruga e gjatë që kemi bërë.
Sapo ishin larguar të gjithë dervishi me mjekër të bardhë e kishte përshëndetur prijësin Mirosh, me dorë në zemër, pastaj kishte bërë kryq. Edhe pse nuk ishin parë disa vjet, Miroshi e kishte njohur Damjanusin dhe aq shumë ishte gëzuar sa i dukej që zemra do t’ i dilte nga vendi.
– O At i nderuar, të falem o Zot, që qenke ndër të gjallët dhe që je lajmëruar në çastin më vendimtar të jetës sime. Po më duket se qielli është hapur të më përpijë. E kishte shtrënguar aq fort në kraharor sa i kishte shkaktuar edhe dhembje, Damjanusit asokohe 78-vjeçar.
Miroshi me Damjanusin ishin nisur drejt çadrës. Ai kishte kërkuar nga rojat ta ftonin edhe Fitoshin, Bdek Zografin, Gjin Muletën dhe Mojsi Arvanitasin.
Pasi ishin përshëndetur të gjithë dhe kishin shprehur gëzim pa masë me ardhjen e Damjanusit, njeriut aq të nderuar e të respektuar, fjalën e kishte marrë i sapoardhuri.
– Bijtë e mi, nuk kam moshë për rrugë të gjata, por nuk munda pa ardhur, edhe pse ka një muaj që jam nisur me një grup dervishësh, nga të cilët u ndava tinës sapo i pashë kalorësit që kërkonin të mësonin vendqëndrimin Tuaj. E njoha dhe më njohu ushtari besnik i Toma Mavrotit. E di se është një natë vendimtare, por sonte, prej shumë nga ju gjumë nuk ka andaj, hani e pini sa më shumë, në mënyrë që të jeni të përgatitur për betejë, varësisht nga zhvillimet e ditës së nesërme.
– Nuk jemi në ballët të betejës o Ati ynë. Ata kanë shprehur hapur dyshimin dhe është fat që kemi një situatë të tillë kritike, sepse do të më sulmonin të gjithë, veçmas Brankoviqi dhe Balsha. Nga frika se do t’ i bashkohesha ushtrisë së Muratit ata janë tërhequr, mirëpo po na mbajnë në shënjestër dhe kudo kanë futur njerëz të tyre për të mësuar lëvizjet tona, kishte thënë, Mirosh Danai.
– Pse është ky dyshim aq i madh o kapedan, kishte pyetur, Mojsi Arvanitasi. Të gjithë të krishterë jemi dhe po luftojmë në mbrojtje të vendeve tona, jo për të pushtuar të tjerët.
– Nuk i njihni rrethanat te ne, o vëlla Mojsi, iu kishte përgjigjur, Bdek Zografi. Ne përveç fesë nuk kemi asgjë të përbashkët me rashjanët, këta serbë e sllavë, të cilët ka afër dy shekuj që kanë pushtuar trojet tona dhe nuk na trajtojnë njerëzisht, por kanë nxjerrë edhe ligje për të na sunduar e për të na poshtëruar. Këta na vrasin kudo ku na gjejnë të ndarë, na dhunojnë femrat, na i vrasin tinëz fëmijët, janë njerëz të ligj, por ja që sot na ka bashkuar një rrezik tjetër edhe më i rëndë.
– Sapo kam dëgjuar prijësin Mirosh se çfarë i tha Mbretit Llazar, unë me dy vëllezërit e mi dhe të gjithë kalorësit iu kemi bashkuar juve. Sikur na thoni ju do të veprojmë.
– Duhet të kemi një të madh kujdes vëllezër, thotë Gjin Muleta. Jemi mes dy zjarresh dhe të dyja na djegin. Ma thotë mendja se kësaj radhe duhet të ruhemi e të mos rrëshqasim. Nëse fitojnë rashjanët, ne të humbur jemi, nëse fitojnë turqit po t iu bashkohemi atyre tradhtarë do të na quajnë.
– Nuk ka fare rëndësi si na quajnë, o bijtë e mi. Ne jemi në rrugën e drejtë të Jezu Krishtit, por nuk mjafton kjo. Edhe këta pushtuesit tanë, në emër të Krishtit na vrasin e na dhunojnë, sepse duan të sundojnë mbi të dobëtit, sepse duan të na bëjnë si vetë. Nesër, meqë nuk na kanë caktuar në ballin e luftës, por na kanë lënë si forcë rezervë, duhet nga dy sy të bëjmë katër e të mos dëmtohemi kot. Dy muaj më parë me “Vëllazërinë tonë të fshehtë” jemi takuar në Prizrend dhe nga analiza që iu kemi bërë rrethanave duke u mbështetur në njerëzit tanë besnikë, madje duke ditur epërsinë e madhe të forcave turke, të cilat gjatë katër muajve kanë pushtuar pjesën prej Adrianopojës e deri në këtë fushën tonë të bekuar, jemi të sigurt se do të pësojmë një humbje të rëndë dhe të pariparueshme për shumë kohë. Kjo forcë ka mundur mongolët, po e mbajnë në rrethim Kostandinopojën, ka pushtuar Anatolinë, fiset sasanide. 17 vjet më parë fituan në Marizzë, një fitore spartane, që nuk e kishte pritur askush. Bota jonë në perëndim dhe Papa edhe pse ka ndihmuar me para e me mjete, nuk beson në fitore, andaj edhe nuk i ka dërguar ushtritë e veta. Ajo mori mësim nga humbja në Marizzë. Ai e di se sllavët nuk dinë të luftojnë, dinë vetëm të vrasin, të dhunojnë të bëjnë krime. Edhe principatat e Bizantit nuk pranuan të bashkohen në flamurin e Mbretit Llazar. Vetëm Gjergj Ballsha i Dytë dhe Gjoni i Kastriotëve u bashkuan. Më dhimbset Gjoni se ai nuk i njeh sa duhet rashjanët, ndërsa Ballshajt janë vasalë të pashpallur të tyre dhe kanë miqësi të shumanshme. Lufta është e humbur vëllezër, ka mbetur vetëm të derdhet gjaku rrëke, i të gjithë atyre që do të luftojnë. Andaj, kam bërë rrugë të gjatë, dhe kam ardhur me detyrë për t iu porositur të përmbaheni, të mundohemi ta gjejmë rrugën, e cila do të na dëmtojnë më pak. Nuk është me rëndësi si na quajnë, ata të cilët i njohim kush janë, kishte thënë në fund të fjalës së tij Damjanusi.
– Fjalë me vend o Ati ynë i madh, kishte aprovuar, Mirosh Danai dhe kishte vazhduar. Pasi po shihet se kjo nuk ka për të qenë lufta e jonë dhe nuk do të përfitojmë asgjë, pse atëherë të shkojmë si cjapi te kasapi. Të presim deri atje ku mund ta mbajmë situatën në duart tona.
– Nëse situata që do të zhvillohet nesër do të kërkojë diçka tjetër nga ne, unë propozoj ta ruajmë krahun e Gjon Kastriotit, kishte shtuar Mojsi Arvanitasi.
– Ai është radhitur me Brankoviqin e Ballshën, ata sipas të gjitha gjasave nuk do të futen fare në luftë. Por edhe unë pranoj ta mbështesim Gjonin nëse rrezikohet të humb kokën, ai apo trupat e tij, kishte përmbyllur Kuvendin, Mirosh Nikollë Danai.
…
Pjesën e mbetur të natës deri në agim, Mirosh Danai e kishte kaluar me Damjanusin, i cili ishte pajtuar që Miroshi të depërtonte te Çadra e Sulltanit dhe të kërkonte vasalitetin, por nuk ishte fare i sigurt se mund të arrinte diçka.
– Kam një bar këtu, biri im që të jep forcë dhe ta kthjellon mendjen, por nuk të mbanë shumë gjatë. Do të marrësh në orët e para ditës, në një sasi që ta kam caktuar. Pas disa orësh, merre edhe këtë rezervën, vetëm nëse ndodhesh ngushtë në betejë, sepse pastaj do të ndihesh shumë keq. Pasi të takohemi, në mbrëmje do ta japë kundër-barin dhe do të çlirojë nga dëliri. Këtë bar e kanë përdorur spartanët kur ishin rrethuar nga persët.
– Të falem Ati im, në emër të Atit tonë që është në qiell e për të gjithë shpirtrat e njerëzve tanë, të cilët aq shumë kanë pësuar nga rashajnët, se nesër e parandiej një fitore, qoftë fizike apo shpirtërore. Do të depërtoj lehtë te sulltani dhe do të kërkoj të më pranojë si vasal, por si do t’ ia bëj nëse ma jep këmbën e jo derën?
– Zoti qoftë me ty biri im, duhet të shkosh pa mbaruar beteja, nëse vonohesh nuk do të besojnë. Punët e luftës i di më mirë se unë. Bari që ta kam dhënë do të ndihmojë shumë. Tani shko e fli dy tri orë, para se ta marrësh barin sepse më nuk të merr gjumi…
Me të aguar dita Mirosh Danai ishte ngritur nga gjumi shumë i kthjellët dhe shumë i fortë dhe nga bari paraprak për gjumë që i kishte dhenë Damjanusi. Kishte vetëm një brengë të madhe në shpirt se si do të pritej nga Sulltani dhe a do të pritej fare. E dinte se së bashku me Sulltanin ishte edhe shejhul-islami, njeriu më i afërm i Lala Shahinit, edhe pse ai kishte vdekur.
…
Me të arritur në kampin ku kishte vendosur trupat e tij, Miroshi kishte ftuar komandantët dhe pasi ishte konsultuar me ta, kishte vendosur që pjesa dërmuese e forcave të rrinin rezervë, pa hyrë në betejë. Ai kishte të dhëna të besueshme se komandanti i rreshtimit strategjik të njësive, gjenerali polak, Nandor Pollanskij me urdhër të kreut të luftës, forcat sulmuese të Mirosh Danait i kishte lënë për fund, jo për t’i kursyer, por nga frika e dezertimit të tyre, me qëllim të mos shkaktimit të hutisë, me rastin e kalimit në taborin armik. Kishte qenë vetë Bdek Zografi, i cili pasi ishte marrë vesh me Miroshin, kishte përhapur fjalë se gjoja trupat e Danait ishin pajtuar të sulmonin të parët, me qëllim që të kalonin në anën e Sulltanit. Kjo kishte bërë me qëllim që prijësit krishterë të mos lejonin trupat e tij të vendoseshin në radhët e para të luftimeve.
Miroshi ishte tejet i sigurt se beteja do të përfundonte në sulmin e parë të turqve, meqë i dinte mirë taktikat e luftës së tyre, epërsinë që kishin ata në numër të ushtarëve dhe taktikat e luftës, me veshje të lehta, që ishte një favor për ta shpartalluar kalorësinë e këmbësorinë e veshur me pancir, në ditë vape dhe me një peshë tepër të madhe ngarkuar në trupat e tyre. Ai kishte marrë vendim që të maskohej me rroba e pancir në mënyrë që të mos e diktonin, ndërsa vëllanë, Fitoshin e kishte lënë në ballët të forcave për finalen e betejës. Vëllezërit ishin shumë të ngjashëm nga pamja dhe në rast nevoje Fitoshi do të paraqitej si Miroshi, për të shkaktuar habi te forcat e Llazarit.
Dita e përleshjes së dy botëve, dita e rënies së pamëshirshme të dhjetëra mijëra kokave
Me agun e parë, afër tre çerek ore pa lindur dielli, kishte filluar ezani i përforcuar me zërat shpërthyes të qindra myezinëve dhe kjo ishte krijuar rrëmujë në kampin e forcave të krishtera, të cilat sakaq ishin zgjuar dhe ishin vendosur në pozicione, që i kishin sistemuar e planifikuar përballë turqve, në kohën kur ata do të ndodheshin përballë diellit, ndërsa atyre u binte në shpinë dhe u qartësonte goditjen me shigjeta. Kjo ishte strategjia e komandantëve të krishterë, në përpjekje për ta bërë diellin aleat të natyrshëm, pa mendur për kundër efektet.
Kampi turk i luftës kishte një gjerësi prej tre mijë hapave, ndërsa thellësia e taborëve të para, nuk shkonte as në dyqind hapa. Kontingjentet mes veti kishin njëqind hapa largësi nga njëri tjetri. Në radhitjen e trupave, fillimisht kishin vendosur shigjetarët të kombinuar me këmbësorë, pastaj kalorësit dhe në fund këmbësoria. Forca rezervë, ndodhej te shatorët, ndërsa një pjesë e akinxhinjve ishte barrikaduar anash, me qëllim për të mbrojtur krahët nga ndonjë forcë befasuese e të krishterëve, që mund të ishte stacionuar gjatë natës, nga malet afër. Një pjesë e rezervës ishte brenda qytetit, Vicianum. Çadra perandorake ishte në mesin e shatorëve e ruajtur në çdo anë. Brenda çadrës e cila ajrosej me dhjetë shpërndarës të freskisë së ajrit, që e lëviznin shërbëtorët zezakë, rrinte në minderin e tij, Sulltan Muradi i Parë me Shejhul-islamin dhe trupa e rojave të brendshme. Djali i tij, Sulltan Bajaziti, ishte kryekomandanti i luftës. Ai vëllait të tij, Jakubit i kishte dhënë detyrë speciale ta ruante babanë e moshuar, pasi nuk e kishte bindur dot të qëndronte në Edrene, jo vetëm sepse ishte i moshuar, por edhe sepse do t’i kishte duart më të lira për komandimin e luftës.
Kampi i forcave të krishtera ishte përafërsisht sa ai i turqve, por pa forca në prapavijë. Ata kishin shpërndarë rezervat larg vijave të frontit, për t’ ua marrë anën forcave turke dhe për t’ i rrethuar, mirëpo nuk kishin llogaritur në shpërndarjen taktike, paraprake të forcave turke, të cilat ishin marrë vesh do të vepronin sipas zhvillimeve, meqë terreni ishte i rrafshët, ndërsa rojat vëzhgonin nga disa katapulte, që i kishin vendosur turqit gjatë natës në vende të caktuara.
Të krishterët kishin vendosur në radhën e parë kalorësinë e blinduar me mburoja hekuri e me pancirë, për të cilët e dinin se nuk e shponin dot shigjetat turke,
madje disa nga kalorësit e njohur, po me pjesë metalike kishin veshur edhe kuajt e tyre.
Pas kalorësisë ishte vendosur këmbësoria e madhe në numër, por e ngarkuar me pancirë që vështirësonin lëvizjen dhe rëndonin trupin, në ditët me vapë të padurueshme, Shumica syresh nuk i kishin venë helmetat në kokë, sepse edhe kokat u zienin nga vapa.
Në kohën kur dielli kishte ndriçuar horizontin, forcat e kalorësisë së krishterë kishin mësyrë me shpejtësi, duke u përpjekur që sa më parë të arrinin këmbësorinë, e cila gjatë natës ishte afruar edhe njëmijë hapa më afër kampit të krishterë me një lëvizje tejet të ngadaltë, që nuk ishte hetuar as nga sytë e vëzhguesve të krishterë, gjatë natës.
Sapo kalorësit ishin afruar brenda rrezes pesëqind hapa, këmbësorët turq kishin drejtuar mburojat e metalit të lehtë që flakërinte si pasqyrë me pamje konkave e konvekse dhe që ua merrte sytë ushtarëve të krishterë, edhe pse ata marshonin me shpejtësi marramendëse.
Që në takimin e parë me rrezet e forta të diellit të ndeshura në mburojat e ngritura përnjëherësh, që flakërinin në thyerjen e rrezeve të ditës, kalorësia e krishterë kishte filluar të marshonte sa djathtas, aq majtas, pa arritur përqendrimin, ndërkohë që kishin rënë përdhe dhjetëshet e para duke penguar radhët në vazhdim.
Sapo ishin afruar në rrezen e goditjeve të shigjetave, harkëtarët turq, të vendosur së bashku me këmbësorinë kishin goditur kuajt dhe nga goditja e parë kishin rënë për tokë qindra kalorës së bashku me kuajt e tyre. Kalorësit e tjerë, duke qenë se marshonin në radhët e ngjeshura, pengoheshin në kuajt e shtrirë përdhe dhe nuk bënin dot përpara. Po ashtu, ata ndesheshin me rrezet e ashpra të diellit, që shpërndanin mburojat, të cilat vetëtinin dhe u merrnin shikimin. Duke parë se kalorësia po dëmtohej me shpejtësi të paparashikueshme, Komanda e krishterë kishte urdhëruar prapakthimin e tyre, me qëllim për të pritur mesditën, kur nuk do të kishte efekt të ndriçimit diellor. Ata ishin befasuar me kundër përdorimin e rrezeve të diellit nga ana e turqve, metodë kjo e njohur nga luftëtarët e krishterë, por e pa menduar me kohë.
Në fushë të betejës kishin mbetur disa qindra të vrarë e shumë më tepër të plagosur. Përpjekjet për të nxjerrë të plagosurit i kishin bërë të pamundshme shigjetarët turq, më të stërviturit e kohës, të cilët nuk kishin lënë të afroheshin asnjë luftëtar të kampit armik në rrezen e veprimit të fuqisë së goditjes së shigjetave, nga harqet e punuara sa me mjeshtëri, po aq edhe me materie të fortë metalike.
Mbreti Llazar ishte konsultuar me kreun komandues të luftës, veçmas me strategun polak, Nandor Pollanski, i cili ishte hutuar nga veprimi tejet inteligjent i forcave armike. Në kohën kur ai i kishte thënë mbretit se duhej pritur të kalonte dhe një orë, kur do të anashkalohej efekti verbues i mburojave nga efekti i rrezeve të diellit, komandanti turk, Sulltan Bajazidi kishte urdhëruar të gjitha kontingjentet të bënin para edhe për njëmijë hapa. Fillimi i marshimit të tëra kontingjenteve kishte krijuar një huti të papërshkrueshme në kampin e krishterë. Gjon Kastrioti i cili ndodhej në këshillin e luftës, ndërsa Gjergj Balsha së bashku
me Vuk Brankoviqin në forcat rezervë të këmbësorisë e të kalorësisë, iu kishte afruar mbretit Llazar dhe kishte folur.
– Jo më kot kisha propozuar që turqit t’ i sulmonim gjatë natës, sepse ata janë ardhës dhe ende nuk e kanë mësuar terrenin. Në mëngjes do t’i kishim zhdukur ashtu sikur bënë turqit me ushtrinë e Vukashinit në Marizzë, por ju nuk më dëgjuat.
– Ke të drejtë, prijës i nderuar. Unë mora mendimin e Vukut e të Gjergjit që donin të ndanin mejdan me turqit, duke i besuar strategjisë së tyre, dhe tani ende pa filluar mirë beteja kemi humbur me shumë se njëmijë kalorës e po aq kuaj ndërsa turqit na erdhën edhe njëmijë hapa më afër.
– Mbret i nderuar propozoj të largoheni nga fusha e Betejës, sepse i kemi vetëm njëmijë hapa larg forcave armike. Nga të dyja anët kanë ngritur gjatë natës edhe katapulte dhe mund të godasin pikërisht këtu ku jemi. Edhe truproja i Mbretit Llazar, Bozhidar Nikoliq me disa luftëtarë të zgjedhur kishin propozuar që mbreti të tërhiqej në drejtim të Rezidencës, e cila ishte më afër malit, për çdo rast, madje nga atje përcillej më mirë zhvillimi i betejës. Mendimin për largimin e Llazarit e kishte mbështetur edhe komandanti kryesor polak. Ai kishte ftuar në konsultim krerët e luftës për të marrë masa dhe për të mos lejuar forcat turke të përparonin në fushën e betejës.
***
Në kampin turk ishte rritur shkalla e mobilizimit dhe vetëm priteshin urdhrat kur do të mësynte këmbësoria e rregullt dhe në vend të saj të pozicionoheshin akinxhinjtë rezervë. Djali i Sulltan Muradit të parë, prijësi Jakub i kishte bërë të ditur babait, në tendën e madhe se forcat turke kishin përparuar në pozicione, kishin verbuar këmbësorinë armike me mburoja fakfoni duke i shkaktuar humbje të mëdha në kalorës e kuaj, ndërsa forcat turke kishin vetëm disa të plagosur.
– Tani të sulmoni, të mos presim natën e errët se nuk dimë nga t’ ia mbajmë, Fitorja duhet të arrihet para perëndimit të diellit, biri im, dërgoja këtë lajm Bajazidit. Prijësi ishte larguar rrufeshëm ndërsa Sulltani iu kishte drejtuar shoqëruesve në shator.
– Kishim një lajm nga një qafir se do të na sulmonin natën dhe kësaj iu kam frikësuar më së shumti, sa as gjumin nuk e kam bërë, por ja që Allahu ua mori mendtë dhe pritën ditën, kur do t’ i verbonim me mburojat tona, kishte thënë Sulltani i sigurt të fitore, sepse nuk kishte pësuar në asnjë nga ekspeditat e tij të deriatëhershme. Kishte afër tridhjetë vjet në krye të Perandorisë
– Ashtu si ka shkruar Allahu do të bëhet, Padishahu im i nderuar, kemi aq ushtarë sa ta pushtojmë gjysmën e Ballkanit kishte thënë shejhul-islami, i cili rrinte shkujdesur duke menduar se lufta ishte fituar, ende pa filluar mirë.
…
Me rastin e përparimit të forcave turke, Mirosh Danai me njëqind kalorësit e tij kishte qenë rezervë dhe asnjëri nga ata nuk ishte dëmtuar. Ishte pozicionuar në dalje të të kodrës dy mijë hapa afër lumit të Sinisë, me qëllim për të mos lejuar forcat rezervë të akinxhinjve të përparonin në drejtim të vendit, ku po zhvillohej
beteja. Me të rifilluar sulmi i përgjithshëm i forcave turke, fillimisht me kalorësi e pastaj edhe me këmbësori, ai kishte porositur Gjergj Alpushin dhe Ndrenik Gashanin që të marshonin kur të jepej urdhri dhe të mos nguteshin me kuajt e tyre, meqë edhe ashtu ata ishin caktuar për të qenë forcë rezervë.
-Unë po largohem, dhe pasi të konstatoj humbësin, të cilin edhe di qysh tani do të paraqitem para rojës së Sulltanit.
– Të marrësh një dhjetëshe këmbësorësh për çdo rast princ i nderuar.
– Në asnjë mënyrë. Kam me vete këto rroba dervishësh por të jetë nevoja do të futem në kampin turk dhe nuk më njeh askush. Nuk është kjo lufta ime, as lufta jonë, unë pres marrëveshje me fitimtarin për të shpëtuar njerëzit e mi. Në rast të fitores së Llazarit do të na zhdukin të gjithëve, sepse më kanë shpallur tradhtar dhe “Kali të Trojës” në mesin e vëllezërve të krishterë.
– Dëgjo Gjergj nëse nuk kthehem gjallë i thuaj Fitoshit të kthehet në Korpilian, të ketë në kujdes Damjanusin dhe të marrin masa mbrojtëse, në të gjitha pikat bashkë me kalorësit e mi, sepse mbretëria rashjane po merr fund.
– Ashtu do bëhet prijës, por ti na duhesh i gjallë, ta kesh mendjen te ne, i kishte thënë Ndrenik Gashani.
…
Në orët e mesditës kishin filluar përleshjet fyt për fyt të kalorësisë së dy ushtrive. Forcat turke kishin depërtuar me lehtësi në radhët e krishtera, sepse ishin stërvitur që gjatë kohës së galopimit të kalit të goditnin me shigjeta e me hanxhar sipas nevojës. Furisë së forcave turke nuk i kishin përballuar forcat e krishtera, të cilat ishin më të shkapërderdhura. Atyre u kishte hyrë frika në palcë nga depërtimi i shpejtë i turqve, pastaj befasia që u kishin bërë me mburojat verbuese.
Në orët e para të pas ditës, forcat turke kishin hyrë thellë në kampin e këmbësorisë së krishterë dhe lufta zhvillohej me shpata, hanxharë të gjatë, ushta e heshta me sëpata e mjete të ndryshme metalike. Veshjet me pancirë të luftëtarëve të krishterë kishin qenë aleati më i fortë i turqve, meqë ata sado që ishin të blinduara, lëvizjet për sulm e në mbrojtje i kishin shumë të ngathëta. Jo pak luftëtarë me kohë kishin hequr rrobat e mburojat metalike dhe ishin lëshuar furishëm në sulm kundër turqve. Shumë prej tyre kishin zhveshur edhe rrobat nga brezi e sipër.
…
10 mijë trupat e kalorësisë dhe të këmbësorisë së Vuk Brankoviqit ku bënin pjesë edhe forcat e Gjergj Ballshës dhe të Gjon Kastriotit, duke parë përparimin e pandashëm të forcave turke, kishin marrë vendim të prisnin, që turqit të pakësoheshin në numër dhe ata të ndesheshin, vetëm kur të konstatonin se fitorja ishte e sigurt.
– Nuk duhet të presim më shumë, Brankoviq, i kishte thënë Gjergj Ballsha.
– Kësaj i thonë tradhti ndaj mbretit e ndaj Krishtit iu kishte drejtuar, Gjon Kastrioti.
– Strategjisë, e cila çon në fitore nuk i thuhet tradhti, miqtë e mi të mirë. Unë dua fitore të sigurt. Ka qindra mijëra ushtarë Evropa, pse nuk na i dërgoi sot. Edhe ata që na i dërgoi i verbuan turqit ende pa filluar beteja. Komanda iu dha një
polaku, i cili nuk ka parë kurrë më parë ushtarë turq, as e di strategjinë e forcën e tyre. Tekefundit, nëse konstatojmë se do të humbim do të dërgojmë një delegacion për bisedime paqeje te Sulltan Muradi i Parë dhe jo të lejojmë të na vrasin të gjithëve. Në luftë ka fitore, por ka edhe humbje, e cila pastaj mund të sjellë një fitore edhe më të madhe.
– Por ne nuk kemi hyrë fare në luftë, Brankoviq.
– Ne jemi rezerva, këtë rol do ta kemi deri në fund.
– Nuk do të dërgojmë delegacion pa hyrë në betejë dhe pa i provuar forcat, kishte thënë Gjon Kastrioti.
– Nëse futemi në betejë nuk ka më nevojë për të dërguar delegacion te Sulltani, por këtu do të bëhet një mal me kufoma sa as lumi i Sinisë nuk do t i zë, kishte thënë me bindjen e dezertorit, Vuk Brankoviqi.
– Atëherë unë po i marr forcat e mia dhe po iu bashkohem atyre që po derdhin gjak.
– Jo Gjon, jo, i kishte thënë prerë Gjergj Ballsha. Ne iu kemi bashkuar Aleancës dhe nuk do të ndahemi. Kryekomandanti ynë është Vuk Brankoviqi. Vetëm ai ka të drejtë të marshojë me forcat tona. Gjon Kastrioti ishte zemëruar tejmase por nuk kishte rrezikuar më tej i vetëdijshëm se mund të pësonte me humbje koke nga Brankoviqi.
– Do të na këndohet kënga e tradhtisë ndër shekuj, kjo është tradhti, ne erdhëm për të luftuar, jo për t u tërhequr ende pa mbaruar lufta, kishte thënë Gjon Kastrioti.
– Dëgjo mik, mund të marrësh forcat e t’i dërgosh në vdekje të sigurt, unë nuk të ndaloj, por dije ama se asnjë i gjallë nuk do të shpëtojë. Më mirë rob, se varr, thuhet në raste të tilla. Shumica e prijësve të Bizantit janë vasalë të Sulltanit. Ata nuk erdhën të na bashkohen. Pse duhet të vdesim, kur nuk jemi as një për qind të sigurt se do të fitojmë, kishte pyetur Vuk Brankoviqi? Ku është Marko Kraleviqi, Konstandin Dragoshi, ku janë të tjerët?
Gjergj Ballsha iu kishte bindur urdhrit të kunatit të tij, ndërsa Gjon Kastrioti me një duzinë kalorësish iu kishte bashkuar radhëve për mbrojtjen e krahut të luftës ku gjendej Mbreti Llazar, i cili nuk kishte pranuar të largohej nga balli, ku ishin zhvilluar luftimet fyt për fyt…
Vrasja e Sulltanit dhe e Mirosh Danait
Në orët e pas ditës kampi i krishterë ishte shpartalluar ndërsa forcat e Vuk Brankoviqit nuk kishin sulmuar nga prapa forcat turke, por vetëm kishin taktizuar duke lëshuar në luftime vetëm grupe të caktuara kalorësish dhe jo ashtu sikur ishte marrë vesh kreu i luftës. Përparimi dhe fitorja e forcave turke kishte filluar të jehonte me zërat: Allahu Ekber, hajr allah”, ndërsa forcat e aleancës iknin nga mundnin, ose dorëzoheshin te komandantët turq.
Mirosh Danai pasi kishte marrë barin që i kishte përgatitur, Dmanjanusi, ishte ndier më i fortë se një tigër i cili kishte pushuar në freskun afër lumit. I dukej
vetja se po fluturonte dhe nuk po shkelte nëpër tokë. Me kohë kishte konstatuar se fitorja e forcave turke po bëhej realitet, andaj ishte afruar te kampi turk, me çallmën në kokë. Me lehtësi kishte gjetur Shatorin e Sulltanit dhe në gjuhën turke iu kishte drejtuar rajave të sigurisë. Kishte kërkuar ta takonte Sulltanin, duke i treguar lajmëtarëve se kush ishte dhe me urdhër të kujt po paraqitej. Miroshi me kohë i kishe marrë të gjitha masat. Një thikë të vogël por helmuese nga ato që ia kishte dhënë Damnajusi, e kishte futur thellë në brez nga ana e poshtme dhe sipëri kishte vënë parzmoren e brezit, meqë nuk ishte i sigurt se Sulltani do t’ ia jepte dorën, apo këmbën.
Pasi lajmëtarët i kishin treguar Sulltanit se kush po kërkonte ta pranonte në Çadër ai kishte lejuar ta sillnin para, Mirosh Danain.
Miroshi ishte futur në çadër, i kishte marrë temenanë Sulltanit, i kishte puthur cepin e hiramit dhe ishte larguar tre hapa, sipas zakonit.
– Sulltan i madhërishëm, kam qenë para jush para shumë vitesh, në Adrianopojë dhe u kam shërbyer me një ushtri timen për shumë vjet. Gjatë asaj kohe prijësi, Vuk Brankoviq ma ka pushtuar vendin tim dhe mi ka vrarë shumë njerëz, meqë ne me sllavët kemi vetëm fenë e përbashkët por jo edhe gjuhën e zakonet. Ata na trajtojnë si robër dhe ne nuk kemi arsye të luftojmë në radhët e tyre. Duke qenë të sigurt në fitoren Tuaj unë me kalorësinë time jemi caktuar në rezervë, meqë mbrëmë Mbreti Llazar më ka shpallur tradhtar dhe mikun tuaj. Erdha të ofroj besnikëri dhe vasalitet i kishte thënë në gjuhën turke, me shpresë se Sulltani do të tregohej i drejtë dhe do ta përkrahte një aleat të hershëm, edhe pse ai kishte qenë mercenar. Sulltani e kishte shikuar mirë për t’ ia blerë mendjen…
– Pse nuk erdhe në mëngjes, apo më herët, por tash që po shihet qartë fitorja, iu kishte drejtuar Shejhul-islami i cili kishte dëgjuar për të nga Lala Shahin pashai.
– Nuk erdha më herët, sepse po të më diktonin sllavët do të na vrisnin të gjithëve dhe nuk kisha ndonjë rrugë tjetër, por të prisja fundin e luftës, me besimin e patundur të fitores Suaj. Ushtarët e mi nuk i kanë lënë të futen në luftë nga frika se do të bashkoheshim me ju. Ja ku jam padishah i nderuar, në shërbimin tuaj tani e tutje…
– Imam Efendi, si thua ti, t’ ia japim dorën apo këmbën këtij arnauti shumë trim, por jo edhe besnik. Ky që sot i ka tradhtuar të vetët, këtë mund të na bëjë nesër edhe neve!
– Ashtu është padishah i nderuar. Ai që tradhton të vetët, ai tradhton tërë botën.
– Ky është qëndrimi ynë, arnaut Mirosh. Kokën po ta falim, por jo edhe besimin.
– Eja ma puth këmbën në shenj se pranon robërinë për vete dhe për njerëzit tuaj, iu kishte drejtuar Sulltani në prani të suitës së tij.
– Evet Sulltan efendi, por para se ta puth këmbën kam këtu një letër, të cilën e ka shkruar djali juaj, Sulltan Bajaziti dhe dua ta lexoni. Pastaj ngadalë dhe duke e marrë veten nga situata e pa rrugëdalje kishte hequr parzmoren e metalit nga brezi kishte nxjerrë thikën e vogël me maje të helmuar dhe me një shpejtësi tigri iu kishte vërsulur Sulltanit plak duk ia shpuar barkun me disa goditje, derisa rojet e kishin rënë sipër dhe e kishin pezulluar. Sulltani kishte kaluar krizat e para dhe në çastin kur truprojat po bëheshin gati t’ia shkurtonin kokën, ai kishte ngritur dorën dhe urdhëruar të prisnin. Pasi e kishte marrë pak veten, iu kishte drejtuar Miroshit.
– Përse me sulmove, ti, që pak para më luteshe. E sheh sa i panjerëzishëm e tradhtar që je?
– Nëse qenka njerëzi të vrasësh dhjetëra mijëra njerëz brenda ditës, unë njerëzinë time e tregova, duke vrarë vetëm vrasësin e qindra mijëra njerëzve të pafajshëm. Tani do të vdes i qetë, sepse këtu në tokën time ta varrosa edhe fitoren e përgjakur, Sulltan Murad!.
Pas pak Sulltani kishte kërkuar t ia shkurtonin kokën, dhe ta shihte atë me sytë e tij derisa të vdiste, para se të vdiste edhe vetë.
Rojat perandorake me shpejtësi rrufeje ia kishin shkurtuar kokën, Mirosh Danait dhe e kishin vendosur në majën e një heshte në hyrje të shatorit, në kohën kur përpëlitej të jepte shpirt, Sulltan Murati i Dytë, i cili nuk e kishte gëzuar fitoren, por vdiste i qetë se atë do ta gëzonte Perandoria dhe bijtë e tij.
Lajmi për vrasjen e Sulltanit, nuk ishte lejuar të shpërndahej, por disa nga ushtarët në mbrojtje të Shatorit të madh e kishin përhapur lajmin se Sulltanin e kishte therë me thikë, një i krishterë i veshur me rroba turke, të cilin e kishte pranuar në çadër, vetë Sulltani.
Në orët e pasdites, furia e luftimeve ishte zhvilluar në kampin ku kishte qëndruar elita e krishterë në krye me mbretin Llazar. Afër tij luftonin më besnikët dhe luftëtarët më të sprovuar. Në mesin e tyre ishte edhe Gjon Kastrioti, i cili edhe i kishte bërë me dije Llazarit se Vuk Brankoviqi po priste fundin e betejës me qëllim për ta pranuar vasalitetin e Sulltanit. Pas disa çastesh, kur një pjesë e forcave të Fitoshit ishin lëshuar në sulm, dikush kishte përhapur lajmin se atje po luftonte edhe Mirosh Danai, meqë të dy vëllezërit përngjanin shumë me veti, sikur të kishin qenë binjakë.
Ndërkohë, me lejen e Miroshit, drejt vendit ku po zhvillohej beteja vendimtare e asaj dite ishte nisur edhe Mojsi Arvanitasi me vëllezërit dhe me të gjithë kalorësit e tij. Në mbrojtje luftonin edhe nipat e Bogdanit të Jugut dhe një pjesë e elitës së luftëtarëve të krishterë në krye me Nandor Pollanskin. Të gjithë prisnin kur do të sulmonin forcat e Vuk Brankoviqit e të Gjergj Ballshës, por ata vetëm herë pas herë dërgonin nga 50 deri 100 kalorës të depërtonin në vijën e luftimeve.
Në kampin e krishterë ishte përhapur lajmi se një i krishterë e kishte therë Sulltan Muratin në çadrën e tij dhe të gjithë kishin klithur emrin e Millosh Kopiliqit. Lajmin e kishte marrë edhe vetë Mbreti Llazar, pikërisht në kohën kur ushtria turke kishte lëshuar në veprim kalorësinë elite, në krye me prijësin, Bajazit.
-E paska mbajtur fjalën, njeriu i besës dhe ne e quajtëm të pabesë. I besuam tradhtarit Brankoviq, i cili na la të lahemi me gjak dhe vetë po pret fundin e betejës. Mallkuar qoftë rodi i tij nga brezi në brez, kishte thënë Mbreti Llazar, në kohën kur edhe e kishte kuptuar se nuk do të dilte gjallë nga rrethimi, i cili po ngushtohej deri në ngulfatje.
Luftimet ishin zhvilluar ballë për ballë, në kohën kur mijëra forca të akinxhinjve kishin depërtuar prapa kampit të krishterë, me qëllim për ta ndaluar marshimin e mundshëm nga forcat rezervë të Vuk Brankoviqit, i cili e kishte kuptuar me kohë humbjen, ndërkohë që po përgatiste një delegacion, për ta ngrehur flamurin e bardhë dhe për t’i shprehur vasalitet Sulltanit.
Luftimet ishin kufizuar në taborin e krishterë, ku trupat e të dyja palëve po binin një pas një. Rrethimi i vendit te kështjella e rrënuar e pirustinëve nga forcat turke kishte bërë që shumë nga kalorësit të dorëzoheshin por ushtria e pamëshirshme turke nuk kursente askënd. Nuk ishte dhënë me kohë urdhri për tërheqje meqë ishte pritur marshimi i forcave të Vuk Brankoviqit. Mbreti kishte mbetur në rrethim dhe vetëm ishte pritur koha kur dikush do ta valëviste flamurin e bardhë të dorëzimit, por luftëtarët e Llazarit nuk kishin pranuar të dorëzoheshin. Në çastin kur ishte konstatuar se nuk mund të rezistohej më gjatë një pjesë e kalorësisë kishte thyer një pikë të dobët të forcave turke dhe ishte nisur drejt lumit Sinisë, me qëllim që të krijonte një korridor për tërheqjen e Mbretit dhe elitës kalorësiake.