Pas më shumë se dy dekada nga lufta në Kosovë dhe shkëputja e saj nga Serbia me ndihmën e SHBA-së dhe disa vendeve perëndimore, shumica dërmuese e shqiptarëve, dhe jo vetëm, janë të çuditur, por edhe të pezmatuar nga fakti se katër prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së ndodhen sot të burgosur në Hagë.
Çudinë dhe nervozizmin i shtojnë akoma më shumë fakti se të burgosurit në fjalë akuzohen për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, ndërmarrje që u mbështet moralisht, politikisht dhe ushtarakisht nga fuqitë kryesore të Perëndimit.
Atëherë, mëdyshjet e shqiptarëve vërtiten rreth pyetjeve: Nëse lufta e udhëhequr prej të akuzuarve ishte “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, si ishte e mundur që politika dhe diplomacia mendjemprehtë perëndimore nuk e pikasi këtë gjë dhe ia lejoi vetes të bëhet moralisht, politikisht dhe ushtarakisht “bashkëfajtore” me të akuzuarit?! A njeh historia njerëzore ndonjë rast që një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë kundër shtypësve, dhunuesve dhe shpërngulësve të një popullsie të jetë udhëhequr nga kriminelë, pra nga autorë “krimesh kundër njerëzimit” dhe “krime lufte”?! A njeh historia njerëzore ndonjë luftë ku nuk ka pasur eksese (teprime, tejkalime) dhe a njeh kjo histori raste kur drejtuesit kryesorë të një lufte çlirimtare akuzohen dhe dënohen për veprime të gabuara apo kriminale që gjatë asaj lufte, nën presionin e saj psikologjik dhe praktik, individë të veçantë në përbërje të ushtrisë t’i kenë kryer ato?!
Përse një akuzë e tillë duhej bërë gati pas dy dekadash dhe, madje, pasi shumë akuza të tjera të ngjashme dhe kundër bashkëdrejtuesve të asaj ushtrie janë provuar si të pavërteta juridikisht?!
Shqiptarit të zakonshëm, shqiptarit naiv apo edhe atij të lexuar, përballë një realiteti të tillë nis t’i krijohet bindja se në botën ku jetojmë, një populli të vogël, një populli të ndarë dhe të shtypur nuk i lejohet të krijojë ushtri dhe as të luftojë kundër gjendjes në të cilën ndodhet dhe as kundër shtypësve të tij, përndryshe një ndërmarrje e tillë quhet kriminale.
Një populli të vogël dhe të nëpërkëmbur nuk i lejohet të ngrejë krye kundër padrejtësive. Edhe po ngriti krye, kjo duhet bërë me masë, domethënë deri në atë shkallë sa të mos tronditë themelet e pushtuesit e shtypësit të vet, dhe këtë masë duhet ta përcaktojnë, në mos sundimtarët e tij, miqtë e vjetër e të rinj të sundimtarëve.
Kur një popull i vogël të ngrihet për të luftuar pushtuesit dhe vrasësit e tij, ky popull duhet të ketë shumë kujdes që të dallojë mirë miqtë dhe shërbëtorët e pushtuesit që ndodhen brenda gjirit të vet, t’i marrë ata me të mirë, t’i nderojë, mos t’ua shkelë të drejtat e spiunit, bashkëpunëtorit dhe ndihmësit të pushtuesve.
Një popull i vogël dhe i nëpërkëmbur duhet të dijë se po guxoi të luftojë kundër pushtuesve dhe shtypësve të vet dhe, nëse gjatë kësaj lufte mund të ndodhin “eksese” nga ndonjë luftëtar apo njësi e ushtrisë së të shtypurve, përgjegjësinë do ta mbajnë drejtuesit kryesorë të luftës që s’i parandaluan këto eksese, pavarësisht ku ndodheshin kur ato u kryen, dhe si të tillë do të akuzohen e gjykohen si kriminelë nga gjykatat e krijuara dhe të përbëra nga miqtë e vjetër e të rinj të pushtuesit.
Populli i vogël dhe liridashës duhet të mësojë se, edhe po ndodhi që fuqitë e mëdha rreshtohen pro tij, nga qejfi apo halli, dhe e sulmojnë pushtuesin nga ajri, prapëseprapë ushtria dhe lufta e popullit të vogël mund të shpallet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Nëse populli i vogël nuk e ka të qartë a do të jenë bashkëpunëtorë dhe bashkëfajtorë në këtë ndërmarrje kriminale edhe fuqitë e huaja që u solidarizuan me të dhe e ndihmuan, atëherë le të pyesë prokurorët e akuzës dhe gjyqtarët e ardhur nga vendet ndihmuese.
Populli i vogël nuk duhet të çuditet nëse lufta e tij shpallet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka deklaruar shpalljen e pavarësisë nga populli i vogël si legjitime dhe në përputhje me normat ndërkombëtare. Ky popull duhet të kuptojë se një luftë e njëjtë, por e bërë nga një popull i madh do të shpallej vlerë heroike dhe historike ndërkombëtare dhe drejtuesit e saj si shembuj të atdhetarit dhe liridashësit për pjesën tjetër të botës.
Populli i pushtuar dhe i shtypur për shekuj, më e pakta, nën indiferentizmin cinik të të mëdhenjve të globit, duhet ta dijë që, nëse “ekseset” e luftës së tij për liri janë krejtësisht të papërfillshme krahasuar, për shembull, me bombardimet e popullsive civile të Drezdenit e Hamburgut apo masakrat civile në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Aleatët, prapëseprapë këto eksese do të shpallen “krime kundër njerëzimit”, madje edhe “krime lufte” edhe nëse janë kryer jashtë teatrit të luftës dhe pasi lufta kishte përfunduar.
Populli i vogël dhe i përbuzur duhet ta ketë të qartë se, edhe atëherë kur pushtuesi i vret dhe i përdhunon mijëra bij e bija, detyron gjysmën e popullsisë të shpërngulet nga trojet e veta, sërish ky popull i vogël duhet të ruaj gjakftohtësinë dhe të mos burgosë, torturojë apo vrasë qoftë edhe një ushtar pushtues apo ushtar vullnetar spiunues të pushtuesve. Popullit të vogël dhe udhëheqësve të tij nuk iu lejohet të bëjnë çfarë kanë bërë ndër shekuj e çfarë po bëjnë edhe sot popujt e mëdhenj dhe drejtuesit e tyre. Nëse dëshiron të bëhet popull i qytetëruar dhe modern, populli i vogël duhet t’iu nënshtrohet lajkave dhe presioneve të fuqive të mëdha për të bërë ndryshime të posaçme kushtetuese dhe të pranojë që institucionet hetuese, gjurmuese dhe gjykuese që kanë selitë jashtë territorit të tij dhe nuk kanë asnjë prokuror apo gjykatës të kombit të vet, mund të konsiderohen pjesë e sistemit të tij të drejtësisë dhe të japin vendime “të drejta” në emër të tij dhe kundër qytetarëve të tij, madje edhe pasi iu ka mbaruar afati kushtetues i veprimtarisë së këtyre institucioneve.
Ky popull duhet t’i mirëkuptojë gjykatësit “e vet”, të cilët i mbajnë drejtuesit e luftës në burg gjatë procesit gjykues për shkak se ata paraqesin “rrezikshmëri të madhe shoqërore”, brenda dhe jashtë territorit të shtetit të tyre, megjithëse kanë mbi 20 vjet që kanë qenë bashkëpunues dhe luajalë me bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk dihet të kenë kryer ndonjë krim nga mbarimi i luftës e deri tani.
Në këtë kuadër, edhe intelektualët e popullit të vogël (ata të bindurit kundrejt të mëdhenjve), duhet të pranojnë pohimin “juridik” perëndimor se Gjykatë (Dhomë) e Posaçme nuk do të thotë Gjykatë e Jashtëzakonshme, edhe pse në dy gjuhët kryesore, anglisht dhe frëngjisht, fjala “e posaçme” është sinonim me fjalën “e jashtëzakonshme”.
Pas gjithë këtij procesi “mirëkuptimi”, populli i vogël, i mënjanuar dhe i përbuzur, si ai kosovaro-shqiptar duhet të pranojë të harrojë të kaluarën, të harrojë kush i ndau, vrau e përçau dhe t’ia besojë të ardhmen e vet nipave të atyre që i bënë padrejtësi historike, duke hequr dorë nga këshilla e Mehmet Shpendit* të Shalës që, “Besnikëria do me thanë, besnik banu, besë mos me xanë”.
Populli i vogël, pra populli kosovaro-shqiptar duhet të parashikojë se ata që e ndihmuan të çlirohet nga pushtuesi dhe vrasësit e tij, mund të vijë dita që të mos e lejojnë të shkelë pa viza në vendet e tyre, ndërkohë që ish-ministrin e regjimit pushtues e vrasës mund ta konsiderojnë partner të besueshëm politik dhe t’i premtojnë pranimin e vendit pushtues në “familjen evropiane”, anipse ish-ministri pushtues, sot president, betohet se do të luftojë për t’ia kthyer Kosovën vendit të vet. Populli i vogël, përfundimisht, duhet të kuptojë se në këtë botë ka dy standarde gjykimi moral, politik dhe juridik: njëri për të mëdhenjtë e të fortët dhe tjetri për të vegjlit e dobëtit. Kaq gjë mund ta bëjë edhe populli i vogël. Por këtij populli të nënçmuar nuk i ndalon dot të kujtojë klithmën e Asim Qerimit të Kutelit, i mbetur pa liri e vatan se ia morën me armë dhe gjak në duar:Agrarët! Xhandarët! tuxharët!, të cilët të gjithë tok u bën shokë. (DITA)