Filloi asfaltimi i rrugës Malishevë-Carrallukë

Ka filluar asfaltimi i rrugës Malishevë-Carrallukë, e gjatë rreth tri kilometra. Kjo rrugë, lidhet me rrugën Malishevë-Prishtinë dhe fillon nga varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe lidhet me lagjen e Krasniqëve në Carrllukë, ndërsa ishte njëra prej kërkesave të kamotshme të banorëve të këtij fshati, pasi kjo rrugë ka rëndësi edhe ekonomike për banorët, por edhe historike, pasi është prej rrugëve të rëndësishme të UÇK-së, që është shfrytëzuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Punimet në asfaltimin e rrugës, i kanë parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, z.Enver Hoti dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, z.Ahmet Morina, të cilët janë takuar me kryetarin e fshatit, z.Rrustem Hoti, dhe me banorët tjerë të kësaj pjese të Carrallukës, të cilët i kanë uruara për rrugën.

“Jam shumë i kënaqur që po realizoj njërën prej kërkesave më të rëndësishme të banorëve të Carrallukës dhe uroj që kjo rrugë, të jetë në shërbimin tuaj, pasi ky edhe është qëllimi ynë si institucion, që qytetarëve t’iu ofrojmë kushte sa më të mira për jetë”, ka thënë kryetari Begaj, me këtë rast.

Edhe deputeti Hoti, i ka uruar banorët, ndërsa kryetar i fshatit, Rrustem Hori dhe banorët e Carrallukës, e kanë falënderuar kryetarin Begaj dhe qeverinë komunale, për këtë investim kapital dhe shumë të rëndësishëm për banorët e fshatit, pasi kjo pjesë e rrugës, është prej rrugëve me më së shumti rëndësi për banorët, pasi përveç shkurtimit të rrugës, kjo zonë ka rëndësi të madhe edhe për zhvillimin ekonomik, pasi nga tani qasja është shumë e lehtë për të gjithë.

Sipas drejtorit të urbanizmit, Ahmet Morina, rruga është e gjatë 2760 metra dhe është duke u asfaltuar nga buxheti komunal i Malishevës, e që ka një shumë prej 125 395 €uro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …