Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisioni për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate të përbashkët e konsiderojnë të dëmshme dhe në kundërshtim me frymën e solidaritetit dhe unitetit evropian tendencën që liberalizimi i vizave dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës të diskutohet jashtë vendimit të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku është konkluduar se Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
Më datë 27 qershor 2022 është mbajtur mbledhja e komisioneve ndërparlamentare “Politika e Zgjerimit të BE-së, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia”, e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, z. David McAllister, në bashkëpunim me Njësinë e Dialogut Legjislativ të Drejtorisë për Marrëdhëniet me Parlamentet Kombëtare, ku përveç deputetëve të PE-së, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate dhe atyre të kandidatëve potencialë.
Në këtë mbledhje, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Olivér Várhelyi, në fjalën e tij deklaroi që Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje, ku pos tjerash citoi: “Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”.