Fjala e kryetarit Latifi në mbledhjen komemorative, kushtuar poetit tonë të madh, Xhevdet Bajraj

Fjala e kryetarit Latifi në mbledhjen komemorative, kushtuar poetit tonë të madh, Xhevdet Bajraj:

IKU SHUMË HERËT KOLOSI I POEZISË SHQIPE, XHEVDET BAJRAJ

Të pikëlluar familjarë të poetit tonë të madh Xhevdet Bajraj, miq e shokë, bashkëpunëtorë dhe ju dashamirës të fjalës artistike, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të thella për vdekjen e këtij kolosi të letërsisë shqipe!

Poetët janë ndërgjegjja e shoqërisë.

Pikëpamjet e tij letrare, filozofike, morale e estetike janë pasqyrim i një niveli të lartë të përgjegjshmërisë së tij si intelektual e pjesëtar i etnikumit tonë. I vetëdijshëm për gjendjen e shoqërisë dhe rolin e poetit – intelektual në këtë mjedis shoqëror, Xhevdeti e kreu me përkushtim detyrën si njeri në këtë univers, paçka se e privoi veten nga kënaqësitë e shumta të jetës. Përfaqësues i denjë i kombit, Xhevdeti mori me vete ngado që shkoi dashurinë për tokën dhe njerëzit e tij. “Copëzat e tij të qiellit” përbënin universin krijues, që përbënte edhe vetë qenien identitare të tij. Mbi kurriz barti mallin për njerëzit dhe atdheun, duke u bërë një lloj ambasadori për vendin e tij. Rahoveci zë një vend me peshë në jetën dhe krijimtarinë e tij, prandaj qytetarët e këtij vendi e kanë për detyrë t’ia bëjnë të gjitha nderet që i takojnë. Ai e dëshmoi dashurinë e madhe ndaj nesh, duke e bërë të njohur botërisht këtë vend të vogël, por me shpirt të madh. Ndër parimet e tij humane e fisnike ishte se, duhen mbrojtur njerëzit që i duam, prandaj ai e barti mbi supe e në shpirt Rahovecin dhe njerëzit që i donte. Dhe kjo nuk është gjë e vogël për një njeri të këtyre përmasave intelektuale e krijuese. Në mesin tonë vetëm fizikisht nuk do të jetë më ky kalorës i poezisë shqipe. Shpirtërisht, ai do të jetë, jo vetëm me ne, por edhe me brezat që do të vijnë pas nesh, sepse në raftet tona të librave do ta kemi përherë të gjallë dhe frymëzues. Sado që dhimbja është e madhe, ne do ta përballojmë, sepse plagët do t’na i mëkojë fjala e tij artistike, e gdhendur me aq mjeshtri e dashuri. Xhevdeti na iku në kohën kur ende kishte shumë për të thënë. Fjala e tij poetike, e thellë sa oqeani që e ndante nga familja, shokët, miqtë dhe vendi i tij – Kosova, do ta ndriçojë shpirtin e çdo shqiptari e artdashësi. Ta kesh pjesë të kombit një poet si Xhevdet Bajraj është pasuri e paçmuar. Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij, sepse këtu ishte rritur e edukuar, këtu kishte njohur dashurinë e parë dhe këtu ishte mbrujtur me dashurinë për atdheun e tokën e të parëve. Poezia e Xhevdetit është sinonim i dashurisë e respektit për njeriun dhe si e tillë pritej me padurim çdo botim i përmbledhjeve të tij. Thjeshtësia në sjellje me njerëzit dhe gjykimi i urtë e i përmbajtur, qenë ndër cilësitë e tij morale, prandaj nëpër rrugët dhe kafenetë e Rahovecit do të ndjehet mungesa e hapave të tij, e kollës së tij dhe e fjalës së ëmbël e motivuese. Çdo poezi e tij ka qartësinë e komunikimit me publikun, çiltërsinë dhe thjeshtësinë. Poezitë e tij të lënë pa frymë dhe të shkaktojnë një ndjesi magjike. Është pikërisht poezia e tij që do të jetë lidhja jonë e përhershme me Xhevdetin, poetin tonë të dashur që shkoi në amshim me mallin e pashuar për njerëzit dhe tokën e tij. Ai konsiderohet vlerë kombëtare dhe Rahoveci mund të duket i vogël për këtë emër të madh. Gjithsesi, ne jemi krenar dhe të lumtur që një poet i përmasave të tilla doli nga gjiri i këtij populli të ndershëm e punëtorë. Duket se të jetuarit me këta njerëz e ka bërë të këtillë Xhevdetin. Jetën dhe krijimtarinë e formësoi këtu, duke përvetësuar cilësitë më të mira morale e njerëzore. Këto cilësi duket se i kanë shërbyer për të krijuar letërsi të madhe dhe ia doli mbanë me sukses. Kjo krijimtari mund të konsiderohet edhe si vlerë universale, sepse e tillë është poezia e bukur – pronë e të gjithëve. Ne do të vazhdojmë ta shijojmë këtë poezi dhe do të krenohemi përgjithmonë që Xhevdeti i takoi këtij nënqielli dhe do ta mbajmë përherë si vlerën tonë më të çmuar. Edhe një herë i shpreh ngushëllime të sinqerta komunitetit të artistëve, shokëve e miqve të tij dhe sidomos familjes së të ndjerit, bashkëshortes Vjollcës, djemve Gentit e Lorikur, vëllaut Fadilit, motrave, nipave dhe mbesave. I paharruar qoftë kujtimi për poetin tonë të madh, Xhevdet Bajraj!

Rahovec, 30 qershor 2022

Smajl Latifi

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …