Zbulimi, i një deklarate naive por edhe shumë të poshtër të ministrit të Albin Kurti, Hekuran Murati, nga Nol Nushi, aktivist i zellshëm i PSD-së, ka ngjallur debate pikërisht në ditën kur kishte lajmëruar të vinte në Kosovë, kryetarja e Gjykatës Speciale, plaka bullgare Ekaterina Trendafilova, e cila e anuloi vizitën, për shkaqe të padeklaruara nga ana e saj, apo e zyrës së kësaj gjykate antishqiptare.
Të gjithë reaguesit ia kanë parë për më madhe konstatimin e Hekuranit se “Ma mirë t’ i kishim paguar 20 mijë mercenarë dhe do e kishim çliruar vendin, sesa të merremi tani e të paguajmë para për veteranët”, por jo edhe fjalinë tjetër poshtëruese, nënçmuese, ku ka konstatuar se vetëm tre muaj paska pasur luftë të gueriles në Kosovë, aq sa ka zgjatur operacion luftarak i NATO-s. Me këtë konstatim në mënyrën më të poshtër të mundshme, ai ka injoruar se ka pasur luftë në Prekaz, në Reçak, dhe në qindra vend-luftime deri në kohën kur ka filluar bombardimi nga ajri i NATO-s, mbi caqet ushtarake e ekonomike të Serbisë.
Sipas bindjes së tij, jo aspak naive por nënçmuese e poshtëruese, ai vë në dyshim zgjatjen e luftës në Kosovë, për të cilën dinë shqiptarët dhe tërë bota, sepse dihet fillimi e mbarimi i saj zyrtar është: 28 nëntor 1997 – 11 qershor 1999.
Ky ministër, nuk ka shpjeguar se a kishte Qeveri në atë kohë, dhe kush do të mund t i blinte 20 mijë mercenarë, të cilët nuk i ka as krejt Legjioni i mercenarëve të botës.
Edhe sot në Ukrainë numri i mercenarëve nuk besoj se kalon në dy tre mijë, edhe pse Rusia jep informata për 10 mijë të tillë.
Sipas këtij konstatimi, paska qenë dashur që Ibrahim Rugova, dhe Bujar Bukoshi të kishin blerë 20 mijë vetë, me para, për ta çliruar Kosovën. Ja çfarë dije, ja çfarë mendësie, ja çfarë marrëzie kalkulon në trurin e tij ky mercenar i Albin Kurtit, kjo farë e zezë e kazanit të mbetjeve të Serbisë në Kosovë.
Ky konstatim i poshtër, mohon luftën e vërtetë dhe të organizuar çlirimtare, duke e paraqitur UÇK-në si njëlloj guerile, me siguri se ka lexuar ndonjë shkrim të ndonjë mercenari në “Bota sot”, apo Koha Ditore, dy mediet kryesore të Vetëvendosjes.
Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi, ka publikuar edhe një video-incizim në të cilën shfaqen edhe disa publikime të tjera të ministrit të Financave, Hekuran Murati e të cilat kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këto publikime ishte edhe një status i shkruar në vitin 2016, ku Murati kishte thënë se “statistikat po thonë që në luftën e Kosovës janë vrarë rreth 300 nga UÇK-ja. A ka mundësi me ditë me kënd kanë luftuar qeta 46.000 veteranë? Përpos kësaj ministri Murati kishte theksuar se “ka ardhur koha për një çlirim të dytë”. Duke shkuar edhe më larg, ministri Murati kishte thënë se në UÇK-ja ka pasur edhe “shtapiqa”, që kanë luftuar me zemër për vendin, duke menduar në Adem Jasharin apo te ndonjë tjetër. “Por nuk kanë munguar as ‘smokat’, e ‘qipsat’. Të gjithë ata që kanë luftuar njëmend ta gjejnë veten te Shtapiqi. Kurse këta të tjerët që e shohin veten tek smoki e çipsi, lirisht le t’i trembin mizat, se kanë tepër nën kapuç, kishte shkruar Hekuran Murati.
Këto gjykime e paragjykime të këtij ministri, japin për të kuptuar se cili është niveli i inteligjencës, arsimimit dhe edukimit të tij familjar, i edukatës qytetare, të mos flasim për edukatë kombëtare, sepse atë nuk e disponon.
Me qëndrimin e tij përbuzës e naiv, do të duhej të merreshin veteranët, nëse me të vërtetë janë të tillë, mirëpo kryesuesit e shoqatave të dala nga lufta nuk merren me këto “vogëlsira”, por kërkojnë vetëm paga më të larta mujore. Ata do të duhej të kishin organizuar protesta dhe të kërkonin dorëheqjen e këtij mercenari politik të Qeverisë Kurti, i cili paratë e buxhetit të Kosovës i konsideron si prona të veta dhe është më i zëshmi kundër rritjes së pagave të veteranëve.
Nuk e di si ndihen sot në Kosovë, pjesëtarët e UÇK-së, qofshin deputetë apo zyrtarë të lartë, nuk e di si ndihen edhe disa të burgosur politikë, të cilët janë pjesë e Vetëvendosjes edhe nuk kanë marrë pjesë në luftë por kanë një kapital burgu mbi kurriz, por e di si ndihen mercenarët e të gjitha ngjyrave, të cilët mendjelehtësisht po mendojnë se u ka ardhur dita ta shfryjnë mllefin kundër UÇK-së, kundër dëshmorëve e martirëve, kundër invalidëve e veteranëve.
Si ndihet sot kolegu i Hekuran Muratit, kryekuvendari, Glauk Konjufca, i cili ditë më parë i kallajisur dhe i pispillosur, kishte vizituar krerët e UÇK-së në Hagë me qëllim për ta larë veten dhe disa në Vetëvendosje që pranojnë se ka pasur luftë të UÇK-së. Glauku mendon se luftëtarët e lirisë i kanë harruar bëmat e shkrimet e tij kundër UÇK-së, kundër Drenicës si Perëndim Egër, si Divlji Zapad. Ai i porosiste gazetarët e gazetaret në debate, që kur të shkojnë në Drenicë, të marrin me vete jo vetëm një revole, por dy e më shumë madje edhe ndonjë bombë dore. Nuk e dinë se çfarë informatash i kishte ofruar SHIK-ut derisa ishte anëtar i zellshëm i atij shërbimi, nuk e dinë por me siguri se do të shpalosen edhe informata të tilla, të cilat do t i publikojnë ish kolegët e tij.
Nuk është vetëm Hekurani, hekuri i fortë i Vetëvendosjes dhe i koalicionit qeveritar kundër UÇK-së. Të tillë si ky hekuri i ri në moshë por senil në tru, janë edhe shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë, deputetë, kryetarë komunash dhe tërë një segment i fuqishëm dhe me shumë ndikim, që dashur pa dashur është në valë të njëjta me Vuçiqin, Daçiqin, Sheshelin e të tjerë. Dihen deklaratat e Donika Shvarcit, deklaratat e më hershme të Vjosa Raif Osmanit, të Drita Millakut, të Mimoza Kusarit, Gazmend Muhaxherit, Bajçinovcit, Ramabajes, Surroit dhe jo pak të tjerëve, të cilët, edhe nëse pranojnë që ka pasur një ushtri, ajo sipas tyre ka qenë e lodhët, që nuk ka pasur as bukë për të ngrënë, se lerë më armë për të luftuar, sikur thotë Veton Surroi, apo të tjerë që injorojnë në tërësi gjakun e derdhur për liri.
Kjo klasë njerëzish bashkëjetojnë, bashkëpunojnë, bashkë-qeverisin shumë mirë me disa luftëtarë të lirisë dhe disa ish të burgosur politikë në radhët e Vetëvendosjes.
Vetë fakti se askush prej tyre, asnjëherë nuk ka reaguar në deklarata të tilla skandaloze kundër UÇK-së, lë për të kuptuar se kush kujt po i nënshtrohet dhe cila është nga brenda Lëvizja Vetëvendosje.
Dhe Maja e Ajsbergut e këtij qëndrimi është mos-përmendja qoftë vetëm e emrave të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, në 14-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nga Albin Kurti, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, Donika Shvarci dhe shumë të tjerë.
Nuk duken vetëm të rastësishme, naive e debile deklaratat e fundit të Hekuran Muratit…