Ndërroi jetë Salë Kelmendi, nëna e Dëshmorit të Kombit Aziz Kelmendi

Ndërroi jetë Nënëmadhja, Salë Kelmendi, nëna e heroit të Kosovës, Aziz Kelmendi

Në moshë të shtyrë të pleqërisë, u nda nga jeta Nënëmadhja, Salë Kelmendi, një nënë e gjyshe, të cilën gjatë tërë jetës e kanë rrahur furtunat e pamëshirshme e të pa ndërprera, por kurrë dhe asnjëherë nuk e kishin thyer.

E lindur dhe e rritur në një familje të varfër por fisnike e atdhetare, ajo edhe pse e pa arsimuar, si të gjitha femrat e asaj kohe, në familje  e në rrethin e saj ishte pajisur me një edukatë kombëtare e patriarkale. Po me atë “pajë” tradite atdhetare, i kishte edukuar edhe bijtë e bijën e vetme, duke iu treguar ngjarje e ndodhi nga e kaluara dhe duke i frymëzuar me aktet e  veprave të  trimave e trimëreshave, që kishin dhënë jetën për liri e Atdhe.

Nënë Sala, i përket “armatës së madhe” të nënave të dëshmorëve, të cilat kanë edukuar e frymëzuar  bijë e bija, për t’ i dalë zot atdheut dhe për të mos iu nënshtruar pushtuesve e robëruesve.

Të papriturat e jetës kurrë nuk e kishin befasuar, sepse ajo ishte kalitur me to, sepse me kohë e kishte kuptuar se populli e do lirinë, ashtu si bima  ujin   e rrezet  e diellit, por liria e ka çmimin e shtrenjtë, pasi ajo do heronj e dëshmorë, të cilët janë digat që i përballojnë uraganeve dhe vihen në themelet e lirisë e pavarësisë së një kombi.

Sot me rastin e ndarjes nga jeta nuk mund të mos i përmendim çastet kur ajo me bashkëshortin e saj, Sadikun  rrugës së kthimit nga Gjermania, ishin ndalur në Kazermën e Paraqinit, në Serbi  për ta vizituar  djalin, Azizin,  i cili ishte në ditët e fundit të shërbimit të dhunshëm ushtarak. Po në vend se ta shihte e ta shtrëngonte  të gjallë në gjirin e saj,  ajo merr lajmin se djali nuk është në mesin e të gjallëve.

Pastaj, dhuna shumëfishohet dhe pasohet me një fushatë të egër të regjimit e besnikëve të tij. Një regjim i tërë kundër një familjeje.

E nënë Sala kishte detyrë të qëndronte të iu jepte zemër bijve dhe bijës, pa marrë para sysh dhunën dhe represionin mizor, sepse jeta duhej në vazhdonte, sepse rruga drejt lirisë nuk mund të ndërpritej, sepse jeta është luftë e pandërprerë…

I lehtë është dheu i Kosovës për Nënëmadhen, Salë Kelmendi!

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …