leoni

Kompania Rajonale për Mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj bëhet me 8 kamionë të rinj

Gjatë ditës së sotme në sheshin e qytetit “Adem Jashari”, në Ferizaj, është bërë ceremonia e pranim dorëzimit të kamionëve për mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave në rajonin e Ferizajt.Në këtë ceremoni ka marrë pjesë Ambasadori Jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani i cili bëri dhurimin e këtij donacioni, ministri i Ministrisë së Mjedisit , Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës , Liburn Aliut, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi si dhe Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu. Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar Ambasadori Jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, i cili ka thënë se ndjen kënaqësi të veçantë që sot po bën shpërndarjen e këtyre kamionëve e që sipas tij, ky është kontingjenti i trete dhe i  fundit i shpërndarjes në kuadër të programit të zhvillimit ekonomik dhe social i nënshkruar në vitin 2019.

“Është kënaqësi e madhe që po dorëzojë sot 8 automjete për grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Ferizaj, Kaçaniku dhe komunës së Shtimes. Ky është grupi i fundit i pajisjeve që po dorëzohet me një vlerë prej 1.9 milion euro me qëllim të forcimit të kapacitete për bartjen e mbeturinave në rajonin e  Ferizaj”, ka thënë Mizutani.

Këtë donacion shumë lart e ka vlerësuar edhe ministri i Mjedisit dhe  Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.

E nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, është shprehur se ndihet i nderuar në këtë ceremoni të veçantë, në këtë ditë po kaq të shënuar për mjedisin, për pastërtinë, për të gjelbërtën.

May be an image of 4 people

“E veçanërisht ndihem i nderuar, që Komuna e Ferizajt, është mikpritëse e kësaj ngjarje, duke qenë komuna qendrore e Regjionit të Ferizajt. Padyshim, është një ide, një punë konkrete, një investim i rëndësishëm që na mblodhi sot. Është Qeveria e Japonisë, miqësia e saj me Kosovën, që u dëshmua për të satën herë me radhë, me punë e projekte të përbashkëta e konkrete që bëri që edhe sot, në këtë shesh, të kemi një arsye madhore të mblidhemi. Të mblidhemi për të pranuar një kontigjent të rëndësishëm e të nevojshëm të kamionëve për mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave. Kështu, duke rritur ndjeshëm, kapacitetet tona ekzistuese teknike e cilësinë e shërbimit në mirëmbajtjen e qytetit dhe fshatrave.  E gjelbërta, mbrojtja e investimi për mjedisin, projektet unike në këtë lëmi e masivizimi i hapësirave të gjelbërta si në qytet dhe në fshatra, paraqet pikë qendrore të vizionit tonë qeverisës”, është shprehur Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se në këtë drejtim do të shumëfishohen projektet e punët e mira. “Padyshim, në këtë kuptim është i domosdoshëm investimi edhe në mirëmbajtjen e hapësirave të tilla. Është kjo makineri e sofistikuar, janë këta kamionë që pranojmë sot, pasuria, vlera e shtuar që do ta bëjnë flotën tonë të automjeteve për mirëmbajtjen e qytetit dhe fshatrave, edhe më të pasur, edhe më efikase, edhe më shërbyese për qytetarët tanë. Për mirëmbajtjen e qytetit, duhet të vëmë theksin tek domosdoja e dyanshme, si vetëdije e si veprim. Është binomi mes qytetarit dhe autoritetit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e territorit nga mbeturinat, që duhet të funksionoj, edhe si vetëdije e detyrë qytetare, edhe si vetëdije e detyrë institucionale. Kujdesi për mjedisin, hedhja e mbeturinave në orare dhe vende të caktuara, denoncimi i rasteve të ndotjes së ambientit, është pashmangshmërisht e padiskutim detyrë e të gjithëve. Natyrisht, duke qenë hisedarë të dy polet e lartpërmendura, me bashkëveprim harmonik, edhe suksesi në këtë drejtim, nuk do të mungoj. Shikuar në rrafshin lokal, Ferizaj ka bërë përparime të dukshme në mbrojtjen e mjedisit. Kjo duke qenë komuna me më së shumti gjoba mandatore të shqiptuara për ndotësit e mjedisit, po kështu edhe duke qenë fitues në gara për mjedis të pastër, që rezultoi ditë më parë, me një tjetër donacion nga GIZ-I gjerman dhe MMPH, me kamionë për grumbullimin e mbeturinave”, tha Kryetari Aliu. Mirënjohje për Qeverinë Japoneze ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi si dhe Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu. Në fund u bë edhe nënshkrimi i ceremonisë për dorëzimin e kamionëve për kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …