Mentor Isë Humolli (5.3.1976 – 19.5.1999)

Mentor Isë Humolli (5.3.1976 – 19.5.1999)

Në anën e djathtë të rrugës që çon nga Prishtina për në Besianë, aty rrëzë Kulinave të Lupçit, rrezatojnë rreze lirie dy monumente përjetësie, dy lapidarë të ngritur mbi gjakun dhe eshtrat e dëshmorëve vëlla e motër: Mentor e Elfete Humolli. Elfetja e rënë më 1 shkurt të vitit 1990 aty pranë lumit kryeneç të Llapit, kurse Mentori i përjetësuar në Kosharen heroike të kufirit njëshekullor të robëruesit serb, më 19 maj të vitit 1999, ringjallën në kujtesën e popullit shqiptar legjendën e Konstandinit dhe Doruntinës. Konstandini i nënë Sevdijes e i babë Isës, bëri nëntë vjet udhë për të arritur te e motra, e cila ishte ndarë prej tij nëntë vjet më parë, kur në atë ditë të acartë të shkurtit atyre u vlonte gjaku në dej për liri. “Ku është Mentori?” –kishte pyetur Elfetja e plagosur nga brenga për të vëllain, para se t’i mbyllte sytë. Pengun e kësaj ndarjeje, mentori e mbajti nëntë vjet, duke mos shqitur për asnjë moment shikimin nga vendi ku po pushonte e motra dëshmore. “Vetëm mendojeni vëllezërit dhe motrat e kujt jemi!” – u thoshte ai gjithmonë vëllezërve e motrave të tij, pas rënies së Elfetes.
Dëshmori Mentor Humolli ka lindur më 5 mars të vitit 1976, në një familje me nam të mirë të Lupçit të Poshtëm të Besianës. Prindërit e tij, Isa e Sevdia, lindën, rritën dhe edukuan me shumë përkushtim pesë vajza e katër djem: Luljetën, Elfeten, Serbezen, Mentorin, Sahadeten, Vlorën, Muhametin, Jetonin e Arianitin.
Në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit kreu shkollimin fillor, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme ekonomike, në rrethanat kur shkolla shqipe në Kosovë ishte shpallur e ndaluar dhe ndaj saj ishte zbatuar segregacioni i tipit racist nga Serbia pushtuese. Pastaj u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku krahas studimeve punoi pandërprerë në ndërmarrjen familjare për prodhimin e produkteve të miellit. Pasi i vdes i ati, Isa, më 1995, Mentori merr edhe rolin e kryefamiljarit, mbi supet e të cilit bie barra e sigurimit të ekonomisë së familjes. Përveç kësaj barre në ato vite të dekadës së fundit të shekullit 20, ai tregoi një solidaritet të madh duke ndihmuar financiarisht funksionimin e shkollës dhe të arsimit në gjuhën e vet amtare. Ai ndihmoi edhe me bursë të rregullt një numër studentësh. Si student mori pjesë në protestën e madhe studentore të 1 tetorit 1997 në Prishtinë, si dhe në protestat e muajve në vazhdim të organizuara në mbështetje të Ushtrisë }lirimtare të Kosovës, pas epopesë së Prekazit e të qëndresës së Legjendarit Adem Jashari.
Këto nuk ishin ballafaqimet e para të Mentorit me instrumentet e forcës të pushtuesit serb. Ai ishte rritur dhe kalitur në flakën e rezistencës së vazhdueshme e të pandërprerë të popullit shqiptar të Kosovës kundër shtypjes dhe sundimit serb, që nga viti 1981. Në kujtesën e tij fëmijërore ishte ngulitur persekutimi nga milicia, i familjes Humolli, edhe me rastin e arrestimit dhe dënimit të djalit të mixhës, Fatmirit, së bashku me shokët, për shkak të veprimtarisë së organizuar në mbrojtje të të drejtave të Kosovës.
Ndonëse i ri vetëm 13-14 vjeçar, ai kishte marrë pjesë edhe në protestat dhe demonstratat e gati dhjetë viteve më parë kundër shtypjes e dhunës serbe, kur Kosovës iu mor me forcë statusi i autonomisë që gëzonte. Mentori kishte qenë në mesin e protestuesve dhe përkrah saj edhe në ditën e rënies të së motrës, Elfetes. “Mentori shpëtoi, e për të tjerët nuk e di!” – i kishte thënë vajza e mixhës, Drita, e cila po ashtu ishte në mesin e protestuesve, nënës së Mentorit, Sevdisë, pas plojës që kishin shkaktuar vrasësit militarë serbë, më 1 shkurt 1990 në fshatin Lupç.
Dalja e Ushtrisë }lirimtare të Kosovës në frontin e hapur të luftës çlirimtare në Kosovë, pas betejës së Ludoviqit në Nëntor të vitit 1997 dhe pas Epopesë së Prekazit në Mars të vitit 1998, e entuziazmoi edhe djaloshin Mentor Humolli, duke shtuar te ai bindjen për hakmarrjen ndaj pushtuesit jo vetëm për vrasjen e së motrës, Elfetes, por për të gjitha të zezat e shkaktuara mbi popullin shqiptar gjatë një shekulli të tërë. Mentori ishte i përgatitur për ta mbështetur luftën çlirimtare, prandaj në çdo minutë angazhohej, mendonte dhe vepronte në dobi të kësaj lufte. Ai kishte informacione të hollësishme lidhur me zhvillimet në terren, sepse djali i mixhës së tij, tashmë veprimtar shumëvjeçar i çështjes kombëtare, Fatmiri, ishte i inkuadruar drejtpërdrejt në frontin e luftës, e po ashtu edhe djali i hallës, dëshmori Hyzri Talla. Kishte raporte të ngushta edhe me tezakun e nënës, dëshmorin Mentor Ratkoceri, po ashtu nga Lupçi.
Rënia e Hyzriut, në zemrën e Mentorit shtoi edhe më shumë urrejtjen ndaj armikut dhe gatishmërinë për ta luftuar atë. “Ku të jetë fati e të vdesësh si Elfetja e si Hyzriu!” – thoshte ai sa herë që flitej për luftën dhe sakrificat që i kërkon liria.
Pas fillimit të sulmeve nga ajri të NATO-s kundër forcave pushtuese serbe, në mars të vitit 1999, këto të fundit shfrynë tërë dufin shovenist duke zbatuar edhe strategjinë e spastrimit etnik të Kosovës përmes dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga vatrat dhe trojet e tyre. Kjo strategji përfshiu edhe familjen e Mentorit, e vendosur në një banesë në Prishtinë, e cila më 4 prill të vitit 1999 u detyrua të shpërngulet për në Maqedoni duke kaluar nëpër ferrin e Bllacës dhe prej atje për në drejtim të Korçës. Në çastin kur shkel brenda kufirit të Shqipërisë, nga malli dhe ndjenja e atdhedashurisë për shtetin amë, Mentori puth dheun e tij. Pasi e vendos familjen (nënën, motrat dhe vëllezërit) në qytezën e Ersekës, Mentori kishte vendosur të shkojë në frontin e luftës ku liria e atdheut lind nga gryka e pushkës. Ai niset së bashku me Fitim Tallën drejt Bajram Currit, ku do të mobilizoheshin në radhët e Ushtrisë }lirimtare të Kosovës. Meqenëse UÇK-ja kishte filluar zbatimin e operacionit për thyerjen e kufirit, Mentori e Fitimi sistemohen në Pikën e Padeshit. Në ato ditë prilli luftimet në kufi ishin të ashpra, kurse qëndresa e çlirimtarëve shqiptarë heroike. Mentori ishte i vetëdijshëm për faktin se fati i parë për luftëtarin është vdekja, prandaj, në një çast derisa po merreshin me bashkëluftëtarët e rënë, i drejtohet Fitimit me fjalët: “Kështu e ka lufta. Sot këta, nesër ne!”.
Përballjen me forcat e armikut në zonën kufitare të Koshares, Mentori e vazhdoi rreth një muaj ditë, deri më 19 maj 1999. Në këtë ditë, në rrethana gjithnjë të pasqaruara, zjarrit të topave të forcave pushtuese serbe kundër pjesëtarëve të U}K-së në këtë pikë kufitare iu shtua edhe një rrebesh sulmi ajror nga aeroplanët e NATO-s. Në zjarrin e këtij bombardimi ra edhe dëshmori Mentor Humolli. Më 19 maj 1999, në Padesh ranë edhe dëshmorët: Afrim Gashi, nga Ajvalia e Prishtinës; Xhafer Lipoveci nga Mitrovica, Tafil Osmani nga Gjakova, Afrim Stojaku nga Arbana e Prizrenit, Aziz Gashi i Balincit të Malishevës, Bejtë Kajdomçaj nga Dedaj e Gjakovës, Fatos Limani nga Prishtina, Fisnik Ibrahimi nga Sharri, Hysni Temaj nga Kuzhnini i Prizrenit, Ilir Hoxha nga Arbana e Prizrenit, Izet Morina nga Astrazubi i Malishevës, Leonard Palucaj i Klinës, Luan Gashi i Hoçës së Vogël të Rahavecit, Mejdi Korani i Pozheranit të Vitisë, Sali Çekaj i Broliçit të Pejës e dëshmorë të tjerë.
Bashkëluftëtarët e varrosën Mentorin në Koshare. Më 23 korrik të vitit 1999, u bë rivarrimi i tij npranë varrit të së motrës dëshmore, Elfetes, në Lupç të Poshtëm. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …