Ka hyrë në ditën e gjashtë protesta qytetare kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shkupit e Sofjes, e cila po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Ndërkohë rotestuesit paralajmëruan bllokada në mbarë vendin nga nesër pasdite, raporton Anadolu Agency. Në marshin e mbrëmjes së sotme, demonstruesit ndryshuan rrugën. Ata filluan para qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por më pas në vend të Ministrisë së Punëve të Jashtme shkuan në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë. Nga aty vazhduan drejt Shtëpisë ligjvënëse, ku kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për propozimin. Protestat mbështeten nga opozita më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, si dhe nga “E Majta”.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë protestës deklaroi se çfarëdo që të ndodhë më tej me “tradhtinë dhe katastrofën kombëtare të përgatitur nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, VMRO-DPMNE-ja në Kuvend nuk do ta pranojë. Sot kemi marrë informacionin se qeveria ka vendosur për kornizën e negociatave dhe atë dokumentin e dytë që paraqet konkluzionet e Këshillit që praktikisht janë pjesë e marrëveshjes që qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e ka bërë me Sofjen zyrtare, e kaluan sot në parlament, edhe pse nuk e shohim logjikën pse në parlament kur bëhet fjalë për punët ndërqeveritare, pra qeveria është ajo që merr vendimin në gjithë këtë. Nëse qeveria merr vendim për të cilën ne fuqishëm protestojmë dhe themi se ajo duhet të jetë ‘jo’, atëherë parlamenti është ai që vendos, ndërsa unë ju siguroj fuqishëm se VMRO-DPMNE-je nuk do të mbështesë asnjë ndryshim kushtetues”, deklaroi Mickoski.