Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se vendi do të përballet me krize energjetike gjatë dimrit dhe i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarr hapa që tani. “Kriza globale me gazin dhe karburantet, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, mund ta komplikojë tej mase tregun energjetik evropian dhe mundësinë që Kosova të blejë energji gjatë sezonit të dimrit. Kjo, ose për shkak të mungesës në treg të energjisë, ose për shkak të çmimeve të papërballueshme për Kosovën. Prandaj Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht ta hartojë një “plan krize” me masa konkrete për përballimin e një kolapsi të mundshëm energjetik, me pasoja të paparashikueshme për vendin. Heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike me thëngjill, në kohën kur shumë shtete perëndimore po i rikthehen atij, refuzimi i pakuptimtë i gazit amerikan dhe mungesa e një strategjie energjetike për kapërcimin e kësaj krize, është alarm i kuq se me fillimin e sezonit të dimrit na presin ditë të rënda” ka shkruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
