Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit vendosi njëzëri të dielën, më 10 korrik, që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviq. Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviqi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi. “Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me publikun profesional, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”, u tha në njoftimin e DPS-së. Qeveria e Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua Qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me iniciativën e Dritan Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv. Pas Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshja duhet të miratohet nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, dhe më pas Abazoviq dhe Patriarku Porfirije i Kishës Ortodokse Serbe duhet të bien dakord për datën dhe vendin e nënshkrimit. (REL)
Kontrolloni gjithashtu
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të …