RKL

Pse qytetarët e Kosovës qenkan aq të gëzuar dhe entuziastë me qeverisjen e Albin Kurtit aq sa po shpenzuakan pa kontroll

Pse qytetarët e Kosovës qenkan aq të gëzuar dhe aq entuziastë  me qeverisjen e Albin Kurtit  aq sa po shpenzuakan pa kontroll. A ka qoftë edhe një fakt të vetëm që e mbulon këtë konstatim të shprehur kuturu, nga kryeminstri.

Batutat,  apo broçkullat e Albin Kurtit, shpeshherë të deklamuara pa asnjë përmbajtje serioziteti, tregojnë më së miri gjendjen e tij të rënduar psikike, dhe mungesën e gatishmërisë për t’u ballafaquar  me realitetin tepër të rëndë, nëpër të cilin po gjallon Kosova dhe mbarë shqiptarët e ndarë në pesë shtete.

Shakaja, humori, batutat, e kanë vendin sidomos në fjalorin e politikanëve e zyrtarëve narcisoidë, të cilët e mendojnë veten zot, dhe, të cilët mendojnë se Zoti e ka krijuar edhe botën, vetëm me qëllim që ata të qeverisin, sikur thoshte filozofi i madh francez,  Mishel Montenji.

I tillë është Albini, me retorikën e tij, me njëmendësinë e tij politike, duke pasqyruar realitetin objektiv sipas mendjes së tij, pavarësisht se ai realitet është krejt ndryshe. Në rrugën e tij për të mbuluar dhe kallajisur dështimet në të gjitha premtimet që i kishte bërë elektoratit, ai bën gabim pas gabimi.

(Ekspertët e fushës së ekonomisë kanë shfaqur mospajtimin e tyre me pretendimin e kryeministrit, Albin Kurti se njerëzit po shpenzojnë më shumë sepse po shpresojnë, duke lënë të nënkuptohet se meritat për këtë i ka qeveria e tij. Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka porositur të lihen anash metaforat dhe të dëgjohet më shumë zëri i qytetarëve dhe bizneseve. Duhet të jenë me qytetarët dhe me bizneset se vetëm me një ekonomi të shëndoshë dhe me një politikë sociale e cila është e përkohshme Kosova mund të ketë perspektivë” ka porositur, ekonomisti Gërxhaliu. Ndërkohë, edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka shfaqur kritikat e tij kundër deklaratës së Albin Kurtit kur njerëzit kanë shpresë, atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë. Albin Kurti nuk e njeh më realitetin. I dehur nga jeta prej pushtetari, ai i ka krijuar vetes një Kosovë paralele ku gjërat s’mund të jenë keq kur ai vet është mirë.

Në një bisedë  me ministrin e jashtëm të Polonisë dhe kryesuesin e OSBE-së, Zbigniew Rau, Albin Kurti ka folur për gatishmërinë e njerëzve  në Kosovës që të shpenzojnë më shumë,  kur ata janë në situatë shprese, sepse më besojnë mua dhe Qeverisë sime. Deklarata e Kurtit vjen në një kohë të rëndë ekonomike për qytetarët dhe bizneset, me normën e inflacionit, sipas matjeve për muajin qershor nga ASK, prej 14 për qind. “Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksa”, citohet të ketë thënë Kurti në mungesë të theksuar të seriozitetit, kur dihet mirë se sa janë rritur çmimet, ndërsa pagat kanë mbetur po ato).

Këto konkludime të albin Kurtit, pasqyrojnë më së miri, jo realitetin faktik por atë imagjinar, madje me një dozë arrogance. Ai e di mirë, ose duhet ta dijë se nuk është populli i Albinit, por ai duhet të jetë në shërbim të popullit, edhe atij populli që jeton në 38 komuna të Kosovës, dhe vetëm katër nga të cilat ia kanë dhënë besimin partisë së tij. Ai thirret në shfren e fitimtarit me 51 për qind  të votuesve bashkë me votat e gjysmës së LDK-së, të cilat ia kishte tregtuar  në prehër Vjosa Osmani në këmbim  të postit.

Ku është e drejta e tij t i drejtohet edhe  popullit, që nuk ia ka dhënë besimin?

A ka logjikë të thuhet se qytetarët e Kosovës  shpenzojnë më shumë sesa po kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksa.

Pse Albini anashkalon gjithë ata zyrtarë e ministra të tij me dosje për korrupsion, që përditë po dalin para gjykatave?.

Pse nuk flet dhe nuk merr masa për disa nga abuzuesit  që kanë arritur kulmin e keq menaxhimit  në qeverisjen  e tij?

Pse injoron faktin se asnjë qeveri e pasluftës në Kosovës nuk ka pasur më shumë ministra e deputetë që po përballen me gjykatat?.

Pse po bën përpjekje t’i mbulojë me fjalë e retorikë boshe të gjitha abuzimet, keqpërdorimet, shkeljen e ligjeve, si dhe fyerjet, përbuzjet drejtuar krerëve të luftës?.

Pse nuk mund ta kalojë obsesionin e tij të sëmurë e paranoid për të mos përmendur as emrin e Hashim Thaçit?

Pse injoron kërkesat e veteranëve për rritjen e pagave?

Pse insiston ta minimizojë numrin e veteranëve të UÇK-së?

Pse nuk merr masa kundër ministrave të kanë fyer, përbuzur e sharë UÇK-në?

Pse në cilësinë e kryeministrit nuk viziton në Burgun e Hagës, të paktën Rexhep Selimin?

Pse lejon që ministrja e tij e Jashtme,  Donika Shvrac, të marrë vendime kokë më vete madje pa e pyetur fare, për shumë veprime të saj tejet të dëmshme për vendin?

Janë pa fund  pyetjet e tilla, në të cilat Albini  do të duhet të përgjigjej, të paktën moralisht, qoftë edhe para  popullit të Vetëvendosjes, e cila ka filluar të skërmoçet e të braktiset madje edhe nga më militantët, nga ata që jo vetëm mundin por shkrinë edhe pasuritë e tyre për ta mbështetur retorikën dhe premtimet boshe të Albinit gjatë fushatave.

Ata tani janë penduar dhe përditë po largohen nga Vetëvendosja.

Me metodat e veta të veprimit, gjithnjë duke pretenduar të tregohet i gjithëdijshëm, madje duke iu shitur mend edhe autoriteteve botërore, Albin Kurti po jeton në ëndrrën e pretenduar të  qeverisjes, por kurrsesi me realitetin faktik, të cilin po e përjeton mbi kurriz shumica skamnore e qytetarëve të vendit.

Të krenohesh me qytetarët e kënaqur që nuk po kursejnë por  po shpenzojnë aq shumë sepse i besojnë qeverisë, është kulmi i papërgjegjësisë dhe i mungesës elementare të përgjegjësisë, kur dihet se çmimet janë rritur deri edhe qind për qind, ndërsa pagat  kanë mbetur po ato. 250 eurot e vitit të kaluar kanë rënë në 130, nëse llogarisim fuqinë blerëse, ndërsa 170 eurot e veteranëve kanë rënë në 80.

Të gjitha këto i toleron Albin Kurti, pasi e di mirë se ka një opozitë të përçarë, se ka një shumicë shqiptare e cila nuk dëshiron t ia përkeqësojë edhe më tej imazhin e vendit, se ka durimtarë shqiptarë të cilën i kanë bërë dhe i bëjnë aminin çdo qeverie, edhe kur ajo ka qenë e huaj, se ka qytetarë mendjelehtë që iu kanë besuar gënjeshtrave të Albinit gjatë zgjedhjeve, se ka shumë shqiptarë të zhgënjyer që nuk dinë më kujt t i besojnë dhe tash për tash kanë rënë në apatinë durimtare pacifiste.

Andaj Albin Kurti tallet me ne, me kursimet e shpenzimet tona, por nuk duhet të  harrohen ato vargjet e famshme të Ndre Mjedës”

Bilbil ky shekull orë e çast ndërrohet,

Binë poshtë naltit e i vogli qohet.

 

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 7. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …