11 vjet pas hartimit të raportit të ish-senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty me pretendimet se UÇK-ja ka kryer krime kundër njerëzimit, Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar në Kuvend e Shqipërisë një rezolutë kundër këtij raporti. Rezoluta do t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës të cilit i kërkohet të distancohet nga akuzat e Martit të paprovuar nga hetimet ndërkombëtare. Partia është kujdesur të evidentojë se 11 vjet pas hartimit të raportit të Dick Martyt, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport nuk janë vërtetuar. Sipas Partisë Socialiste pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri apo në Kosovë”, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte, ku për rrjedhojë duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare. Për këtë shkak Partia Socialiste ka propozuar “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”. Me këtë rezolutë kërkohet nga Këshilli i Evropës që të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë rishikimin e rezolutës së Dick Martyt, e cila ishte miratuar në vitin 2011.
