Manifesta 14 Prishtina, Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Komuna e Prishtinës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të inaugurojnë zyrtarisht sot Qendrën për Praktikë Rrëfyese duke filluar nga ora 15:00. Qendra është e vendosur në ish-Bibliotekën Hivzi Sylejmani e cila është restauruar dhe transformuar për këtë qëllim.
Qendra për Praktikë Rrëfyese do të ketë bibliotekë referimi, hapësira ekspozite, hapësira krijuese, restorant, kopsht dhe bibliotekë për fëmijë në hapësirën Oaza. Qendra është zhvilluar në bashkëpunim me UNDP-në dhe me mbështetjen bujare të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, Komunës së Prishtinës dhe Ambasadës Mbretërore të Holandës në Kosovë. Kjo hapësirë do të jetë një nga trashëgimitë kryesore fizike të Manifesta 14 Prishtina.
Të pranishëm në ngjarje do të jenë: Franz Fayot, Ministër për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare i Dukatit të Madh të Luksemburgut; Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës; Hedwig Fijen, Drejtoreshë e Manifesta; Catherine Nichols, Ndërmjetësuese Kreative e Manifesta 14; Carin Lobbezoo, Ambasadore e Holandës në Kosovë; Natacha Gomes, e ngarkuar me punë a.i. e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut; Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe të ftuar të tjerë të shquar.
Bienalja Nomade Evropiane Manifesta ndryshon vendndodhjen çdo dy vjet. E themeluar në fillim të viteve 1990, Manifesta rimendon marrëdhëniet mes kulturës dhe shoqërisë civile duke hetuar dhe nxitur ndryshime pozitive shoqërore nëpërmjet kulturës bashkëkohore, në përgjigje dhe në dialog të ngushtë me sferën sociale të qytetit pritës dhe komuniteteve të tij.
Manifesta vjen në Prishtinë, Kosovë, me një program 100-ditor të artit, shfaqjeve, ngjarjeve dhe punëtorive me qëllim të fuqizimit të banorëve të Prishtinës për të rimarrë hapësirat publike.