Pas një debati të gjatë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën mbi fabrikimin e gënjeshtrave të Dik Martit për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nga ish-krerët e UÇK-së. Kjo rezolutë kaloi me 125 vota pro. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Projektrezoluta fillimisht u depozitua nga Partia Socialiste kundër raportit të Dick Martyt, me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka theksuar se e fituan betejën e parë për të siguruar një qëndrim të bashkuar dhe unanim të Kuvendit të Shqipërisë. “Mirënjohje çdo deputeti pa dallim të krahëve politikë për mbështetjen dhe përgjegjshmërinë atdhetare që treguan sot me këtë votim historik. Tashmë kalojmë në fazën tjetër shumë, shumë më e vështirë. Beteja jonë shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojmë një raport vijues (Follow up Report) dhe më pas ndryshimin e Rezolutës 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, ka thënë mes tjerash, Balla.