Halil Katana ka lindur më 15 dhjetor 1939, në fshatin Degë të Tropojës, në një një familje me tradita të shquara atdhetare, me emër në Malësinë e Gjakovës. Stërgjyshi i Halilit, ne vitin 1852 kish rënë në luftë për mbrojtjen e trojeve amtare nga ushtria pushtuese malazeze. Gjyshi, Avdyli, kish marrë pjesë në Kuvendin e Junikut dhe ishte bashkuar me forcat kryengritëse të vitit 1910, të komanduara nga Isa Boletini. Babai i Halilit, Mehmeti, më 1912, në krye të burrave të fshatit Degë, kish luftuar ne Qafën e Prushit, nën komandën e Bajram Currit.
Familja e Mehmet Katanës dhe vëllezërit e tij e kishin përkrahur Lëvizjen dhe Luftën ANÇ. Hysen Katana, mixha i Halilit, do të rreshtohej partizan në Brigadën e 25 s dhe do të luftonte në radhët e saj për çlirimin e Kosovës.
Halil Katana 5 vjeç, mbeti pa nënë Fatimen në dimrin e vitit 1944, ne kohën e operacionit gjermano-ballist, të cilët erdhën në Degë për të ndëshkuar banorët e saj pse kishin mbajtur partizanët. Me 1945 do të ndahej nga jeta dhe babai i Halilit, Mehmet Katana. Për Halilin dhe vallanë e tij më të vogël u kujdes gjyshja e tyre nga babai, Ajne Sylja, deri në vitin 1947, kur dhe ajo u nda nga jeta. Pas kësaj kohe, nëna e tyre u bë Shkurtë Ademja, gruaja e mixhës së tyre, Haxhiut, që nuk i ndau nga fëmijët e saj. Halili i ka kushtuar një libër të vogël(39faqe) asaj, të shkruar me dashuri të madhe me ngrohtësi e bukuri. Po edhe Halili është kujdesur për Shkurtën si për nënën e tij, ndonëse ajo kishte katër djem e dy vajza. Disa vite më vonë, me 1956, vdiq edhe vëllai i vetëm më i vogël i Halilit, Avdyli, në moshën 12 vjeçare, nga shpërthini i një granate të kohës së luftës dytë botërore.
Halili e kaloi fëmijërinë ne vendlindje, ku kreu shkollën fillore. Shkollën 7 vjeçare e mbaroi në qytetin “ Bajram Curri”, konviktor me bursë shteti. Mësonte shumë dhe mbaroi shkëlqyer. Pas kësaj kohe ai do të merrte pjesë në disa aksione vullnetare, 13 vjec me 1952 në hapjen e rrugës së Dritës për H/C e Matit, në vitin 1955 në kantjerin e H/C të Ulzëz, në aksionin e rrugës Shemri- Kolgecaj dhe më vonë, si oficer me rininë e ushtrisë,në vitet 1960 në Rrugën e Malësisë së Madhe, e më pas në Hekurudhën e Prrenjasit, në rrugën e Komanit etj
Pas mbarimit të 7 vjeçares fitoi të drejtën të vijonte mësimet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në kryeqytet. Ky ishte një fat i madh për malsorin e ri, ku do të dallohej përsëri. Më 1958 vijon studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë në specilitetin e ndërlidhjes. Për rezultate të larta në mësime e stervitje caktohet zv/komandant toge me gradë kapter. Pas mbarimit të Shkollës së Oficerëve me rezultate të shkëlqyera, gradohet toger, siç ishin raste të veçanta .
Oficer i ri, emërohet komandant toge në batalionin e Ndërlidhjes të Brigadës së Shkodrës. Por pas një muaji rikthehet, po komandant toge, në Shkollën e Bashkuar në Tiranë ku dallohet për disiplinë dhe aftësi komanduese. Mehmet Katana, i biri, inxhinjer, e kujton mirë cfarë i ka thënë i ati, Halili. Kur u prishën marrëdhënjet me Bashkimin Sovjetik dhe de fakto edhe me Traktatin e Varshavës, Halilin e thërrasin me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, për të vënë në punë Radiostacionin e ndërlidhjes që përdornin ushtarakët sovjetikë për ndërlidhje me Traktatin e Varshavës. Ky stacion ndodhej në Petrelë. Detyra ishte që ky stacion të kthehej për ndërlidhje e komunikim për Ushtrinë tonë. Oficeri i ri Halil Katana, ia doli me sukses detyrës së tij. Petrtit Dume me këtë rast mburrej me të. Po edhe Halil Katana e kujtonte vazhdimisht gjeneralin, Heroin e Popullit. Madje Halili ishte edhe redaktori i librit për Petrit Dumen, shkruar nga Rustem Haxhia.
Me punë e dije, Halil Katana do të ngjitet shpejt në shkallët e karrierës, komandant kompanie, komandant i batalionit autonom të Qendrës së Ndërlidhjes së Ministrisë së Mbrojtjes. Një fazë e re do të nisë për Halil Katanën kur ai emërohet pedagog i specialitetit të Ndërlidhjes në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. I përgatitur me dijet e Shkollës që kish mbaruar dhe i ngritur profesionalisht në detyrat që kish kryer, Halil Katana do të dallohet edhe në detyrën e pedagogut, duke studiuar dhe punuar me pasion e përkushtim. Në këtë kohë Halil Katana përgatit e boton 4 libra për Radioteknikën; ky ishte sinjali se ai tanimë po bëhej një oficer më përvojë që studionte dhe përfitonte nga praktika e stërvitjet ushtarake për t’i kthyer këto në tekste mësimore e shkencore . Puna e lidhi me Tiranën, dhe do të jetë kryeqyteti ku do të njihet e martohet me shoqen e tij tiranse, Bedrien, me të cilën kaluan bashkë një jetë të mrekullueshme familjare.
Në vitin 1981 Katana kalon në shtypin ushtarak si redaktor i Revistës “Për mbrojtjen e Atdheut”, më pas “ Mbrojtja”. Në vitin 1992, me të ashtuquajturën reformë u nxuar edhe ai në lirim të parakohshëm, pa asnjë argument, vetëm për bindjet e tij personale. Halil Katana do të fillonte menjëherë nga veprimtaria shoqërore. Bashkë me shkrimtarin e mirënjohur Resul Bedo krijuan Shoqatën “Për të rënët e kombit shqiptar” me organin e tyre “ Për Mëmëdhenë”. Por me 1996 kjo shoqatë u bashkua me atë të familjeve të Dëshmorëve të Luftës NÇ dhe krijuan Organizatën “ Për dëshmorët e luftës ANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut”. Katana do të zgjidhej në kryesinë e Këshillit kombëtar të saj dhe do të ishte kryeredaktor i Revistës “ Pavdekësia”. Më 1997 Katana do të merrte gradën e Kolonelit dhe do të rikthehej në Ushtri në Revistën” Mbrojtja” si kryeredaktor i saj. Por kur më 2002 doli në pension u rikthye te Organizata kombëtare për Dëshmorët e Atdheut, ku punoj deri sa qe gjallë. Në këtë detyrë Halili e shtoi edhe më shumë numrin e veprimtarëve e të bashkëpuntorëve.Miqtë e tij të shumtë e prisnin më kënaqesi në të gjitha anët e Shqipërisë, po edhe në Kosovë, sidoemos te Radio Kosova e Lirë, me të cilën kish bashkëpunuar edhe gjatë luftës së UÇK.
Halil Katana ishte një rast i rrallë, në mos i vetëm që kish mbaruar Akademinë ushtarake të punonte në shtypin qendror ushtarak .Unë s’paku nuk njoh tjetër.Përgjithësisht dhe natyrisht kjo kategori i hynin rrugës së karrieres ushtarake nga Brigada në Korpus ( divizion) e Shtab të Përgjithshëm. Dhe ishte normale. Halil Katana kish mbaruar shkëlqyer Akademinë ushtarake, po i hyri shtypit . A nuk kishte mbaruar ai shkëlqyer për Ndërlidhje ? Kish qenë edhe komandant i batalionit,edhe pedagog i këtij specialiteti në Shkollën e Bashkuar. Ai mund të bënte karrierën si rrallë kush deri në Shtabin e Pergjithshëm.Po atij që e dashuronte këtë shërbim të mrekullueshëm, që jep e merr informacion,i qante shpirti për një lloj shërbimi dhe informacioni tjetër, për shtypin, për median e shkruar.Me siguri ai kish shumë përjetime,dhe emocione nga jeta në ushtri e para saj dhe donte t’i bënte të njohura ato. Shtypi i jepte mundësi të trajtonte çeshtjet e luftërave për liri,pavarësi e çlirim, trimëritë e burrave e të grave të Shqipërisë,kjo e sundonte shpirtin e tij.Dhe këtu u vendos deri në fund, duke e ndarë jetën e punën e tij në dy pjesë gati të barabarta, 20 vjet në reparte,Shkollë e Akademi dhe 20 vjet në shtypin ushtarak.Sikur i kish ndarë me dorë! Dhe duhet shënuar se shtypi ushtarak ka përfituar nga ky ushatarak dhe gazetar i talentuar.Ai ishte i pakonkurueshëm në njohjen e jetës ushtarake, të ushtarit e të oficerit, të komandantit e të komisarit, të shefit të shërbimit e të komandantit të armës.Prandaj Halil Katana i rrinte shumë afër repartit dhe jetës ushtarake, pasi kishte kodin e njohjes e të zbërthimit të saj.Po ai nuk u shkëput as nga studimet universitare,do të bënte dy vjet kurs pasuniversitar në gazetari në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Histori-filologjisë; dhe më pas, edhe kursin njëvjeçar të Filozofisë.
Kishte në shtypin ushatarak, djem e vajza gazetarë, që kishin ardhur nga universiteti, nga dega e gazetarisë, e gjuhës shqipe e letërsisë etj. Të gjithë në rolin e tyre ,disa kanë shkëlqyer,por nëse kanë pasur e zotëruar mendim,teknikë të shkruari e bukuri fraze,Halil Katanën e tërhiqte jeta,e verteta dhe guximi për ta shpallë atë hapur për të gjithë. Besoj se nuk ka pasur që t’ia kenë dalë ta ndalojnë, t’i mbyllin gojën e thajnë dorën. Prandaj ,herë pas here ai e kujtonte me dashuri e mall Ndërlidhjen, jetën e oficerit dhe të pedagogut, veprat që kishte shkruar për Radoteknikën . Po edhe ndërlidhja e ndihmoi edhe më tej kolonel Katanën. Ne fillim të viteve 2000, ai ishte pajisur me një Laptop shumë të mirë që ia kishte dhuruar i biri, në Itali. Halili ishte një njohës i hollë e entuziast i teknologjisë së informacionit dhe një përdorues mjeshtër i saj.Laptopin nuk e hiqte nga krahu.Pasi mbushej me informacione atë e gjeje në Biblotekën kombëtare duke hedhur shkrimet për revistën e tij të dashur ‘”Pavdeksia”.
Informacionin: ku se kërkonte atë. Aty ku s’ta merrte mendja.Ai ishte nje reporter model, për të mbledhur e grumbulluar informacion nga terreni, nga repartet, nga shkollat e shumta ushtarake, etj.Ai solli me plot guxim në Revistën “Mbrojtja” edhe një rubrikë të shkëlqyer për oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që mbrojtën repartet më 1997, disa prej të cilëve kishin rënë në krye të detyrës. Duket e lehtë sot. Po atëhere opinioni ishte kthyer kundër ushtrisë,që kish lënë vehten në dorë të anarkistëve e vandalëve, që e shkatërruan bazën e saj materiale dhe organizimin. Sapo filloi kjo rubrikë me heronjtë e deshmorët e saj ,u fut në ushtri edhe një korrent frymëzues,pikërisht ajo që i duhej asaj për të vlerësuar trimat e dëshmorët, po dhe për të ngritur e ringritur ushtrinë shqiptare, në një kohë rekord, kur drejt trojevet shqiptare po afroheshin retë e zeza të luftës shoviniste te serbomëdhenjëve.
Kolonel Katana nuk e kish mbajtur për gjerdan kulturën ushtarake . Ai ishte një intelektual i vërtetë. Ai ishte mjeshtër i organizimit të bisedave rreth tavolinës në redaksi, ose të intervistave.Ai gjithnjë kërkonte të ishte në korrekt të zhvillimeve,të kishte një njohje sa më të thellë të problemeve dhe të kuadrove që duheshin intervistuar apo thirrur në takim. U jepte kohë,u dërgonte pyetjet dhe i dëgjonte me shumë vëmendje.Ja cfarë ka shkruar vetë përkëtë aspekt të punës së tij :” Si kryeredaktor i revistës “ Mbrojtja” kisha vendosur t’i tërheq në këtë revistë drejtuesit kryesore të shtetit dhe të Ushtrisë, nëpërmjet intervistave të gjëra problemore, ku ata kishin mundësi të shpalosnin idetë e tyre për ringritjen ( e Ushtrisë ). Prandaj punoja shumë për hartimin e pyetjeve që do tu jepja në mënyrë që t’i orientoja me thelbin e problemeve qe duheshin trajtuar prej tyre, në përshtatje me funksionet që kishte secili.
Ai mbante në fokusin e tij sidomos veteranët, me të cilët kishte marrëdhënje të ngrohta Sumë prej tyre i njihte nga afër . Nxitonte që të vilte prej tyre sa më shumë. Ka mbetur si legjendë artikulli i gjeneral- majorit në pension, Qazim Kapisyzit për datën e Clirimit 29 nëntorin,të cilin po e shkruante për revistën.Aty ku kish vënë pikën e fundit, kish ndërruar jetë ! Ata ishin heronjë, që nuk pritonin e nuk kursenin as nga jeta e tyre për jetën dhe historinë e Ushtrisë, por edhe media i kërkonte,i afronte e u jepte mundësi të shkruanin .Halil Katana ishte një shëmbull në këtë drejtim për kolegët e tij gazetarë.
Halil Katana ishte një drejtues e krijues në shtypin ushtarak. Ai nuk mbyllej në korniza.Ajo që duhej komunikuar sot ,ai bënte çmos ta bënte të njohur në kohë. Edhe kur kish ndodhur ndonjëherë, që numri i rradhës i revistës “ Mbrojtja” kish dalë nga botimi, Halili me shokët e tij gazetarë,nuk prisnin edhe një muaj, përgatisnin dhe çonin në botim një “suplement”,me pak faqe për temën aktuale dhe e shpërndanin bashkë më Revistën.E rrregullonte këtë punë, me drejtorët dhe shefat e financës, dhe me të tjerë .Punëtor i madh,i papajtueshëm me shkrimet e varfëra. Mik i vërtetë i autorëve të rinjë, me të cilët mbante lidhje dhe shkëmbente përvojë.Kur vinte re raste të plagjiaturës në ndonjë studim akademik, nuk pritonte t’ia thosh në sy “autorit” të vërtetat një për një dhe ta kritikonte rreptë. Për të botuar as bëhej fjalë.
Kolonel Katana përdorte metoda pune të shkathta, si ish njëra sot, nuk ish tjetra nesër, në përputhje me objektin e shkrimit .Kushdo mund ta lexoj në revistën “Pavdekësia”,se si me të marrë vesh se këtu apo aty,u kishin hequr shkollave emrat e heronjëve dhe dëshmorëve, Halili do gjendej atje, siguronte një njohje të plotë, kërkonte dhe ralizonte një intervistë më kryetarin e Bashkisë së asaj kohe,të cilën bashkë dhe problemin ua vinte përpara disa personaliteteve shoqërore të njohur e të respektuar, të cilët me reagimet e tyre ndikonin për mirë në opinionin shoqëror.
Kolonel Katana kishte marrëdhënje shembullore me kolegët e vartësit e tij, gazetarë ose punonjës.Fjalë ëmbël,vlerësues i drejtë i punës së mirë,mbrojtës i hapur i së vërtetës,dashamirës, bashkëbisedues i këndshëm,që s’lodhej së dëgjuari. Njeri më nivel të lartë kulturor, qytetar model në lagjen ku banonte,ku ish zgjedhur në detyra të rëndësishme shoqërore, të cilave nuk u bëntë “bisht” si disa punonjës të lartë të administratës shtetërore e partiake.Ai ishte kolonel i ushtrisë,por mbi të gjitha ishte një shqiptar atdhetar,njeri dhe qytetar i denjë i vendit të vet, që e donte aq shumë.
Halil Katana është autor i 13 librave, bashkëautor në tri të tjera dhe ka redaktuar 12 libra të autorëve të tjerë… Pas katër librave për radiotekniken, Katana shkroi e botoi “Isa Boletini-strateg i luftërave kryengritëse”, “ Për ata që u kthyen nga lufta firtimtarë”,” Në ditët e pranverës së madhe”,Stërvitja e paqes”, Flamuri-kryesimbol i kombit”,” Kudusi Lame-gjeneral i luftës”.Ai është autor i qindra artikujve studimorë dhe publicistikë në fushën e historisë, të traditave tona kombëtare, sidomos për dëshmorët e heronjtë etj. ” Halili kishte plane për botime në të ardhmen.
Të gjithë, libra e artikuj,janë shkruar nga një dorë mjeshtri, por janë tre prej tyre ,që sipas meje,veçojnë:” Ringritja e Ushtrisë shqiptare,” “Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës” dhe ” Vlaga e kësaj toke”.
Në parathënjen e librit : Ringritja e Ushtrisë shqiptare, gjeneral major,prof.dr. Kostaq Karoli shkruan : “Ringritjen e ushtrisë e ka sjellë natyrshëm si një proçes organik i ringritjes së shtetit shqiptar dhe mbarë shoqërisë shqiptare, pas krizës së thellë që kishte pësuar… Autori ka meritën që me guxim dhe kurajo hedh dritë mbi ato ngjarje tronditëse dhe,në një plan tjetër tregon punën kolosale të oficerëve për përballimin e kësaj sfide…Ndër këta oficerë ,ndofta më i vjetri ,bën pjesë edhe vetë autori me një shpirt të paepur atdhetar dhe me përkushtim të rrallë, e ndoqi hap pas hapi tërë proçesin e ringritjes, duke qenë i pranishëm në çdo veprimtari kryesore e në çdo njësi të Ushtrisë që nga Saranda në Tropojë. ..Lexuesi në këtë libër do të njohë me emër e mbiemër me qindra oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjës që dhanë gjakun, djersën, shpirtin dhe dituritë e tyre për ringritjen e shpejtë të Ushtrisë.”
Ringritja e Ushtrise shqiptare ishte një domosdoshmëri urgjente edhe për shkak të ngjarjeve që po i kërcënoheshin Kosovës. Këtë kohë Halili e ka ndjekur me shumë interesim .Me 1998-1999,Halail Katana do të ndodhej rregullisht në Lumë, Has e Tropojë për të ndjekur nga afër ngjarjet . Por mund ta shihje që linte zyrën dhe ,në pritje të lajmeve nga Kosova, i shqetësuar bënte ndonjë xhiro në sheshin e Ministrisë së Mbrojtjes ,pse siç thuhet “ nuk i zinte vendi vend”, duke pritur ndonjë situatë të re nga telefoni satelitor i kuadrove të UÇK e burime të tjera.Kështu shkroi shumë artikuj kushtuar kësaj teme.Madje ai ishte i pari që u fut në Kosovë për të takuar menjëherë pas mbarimit të Luftës, drejtuesit dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK e për të biseduar me to, për të marrë intervista etj.Kishte shkuar për të parë nga afër edhe pozicione të luftës .
Pas fitores kolonel Katana do të botonte në vitin 2002 librin “ Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës”,në parathënjen e së cilës ministri i Mbrojtjes (1997-1998) Prof. dr. Sabit Brokaj shkruan se Halil Katana ka qenë,në thelb, pjesëmarrës aktiv i kësaj veprimtarie patriotike, politike, organizuese e drejtuese ushtarake. Ai ka qenë në lidhje të ngushtë me ideatorët dhe organizatorët që në fillimet e viteve ’90, ka qenë në kontakt me shumicën e drejtuesve të saj gjatë gjithë kësaj lufte, duke përjetuar të gjitha fazat e saj,nëpërmjet informacionesh, këshillash dhe porosish të karakterit politik e ushtarak. Fati e solli që gjatë luftës të jetë kryeredaktor i revistës “ Mbrojtja”, të cilën e orientoi në dobi të Luftës Çlirimtare të Kosovës, si të ishte organ i saj” .Sabit Brokaj me të drejtë shkruante se” libri i Halil Katanës për UÇK do të ishte në krye të të gjithë librave që do të botoheshin “, sepse është shkruar nga një njohës i shkëlqyer i Historisë sonë kombëtare, nga një patriot, ku dashuria për Kosovën dhe historinë e saj është në majë të penës së tij. Është shkruar nga një ushtarak kompetent dhe publiçist e shkrimtar, ku çdo rresht i shkruar prej tij të jep kënaqësi intelektuale,që provohet jo aq shpesh gjatë leximit në botimet e sotme” .
Vepra tjeter,është ” Vlaga e kësaj toke” titull që e zgjodhi për të njeriu i madh i kulturës shqiptare, Dritëro Agolli, ish veteran i Luftës ANÇ .Ky libër është fryt i punës së dy kohëve, vitet 1992-1997,kur Halil Katana ishte shkëputur padrejtësisht e përkohësisht fizkisht nga Ushtria dhe e dyta e viteve 2002-2009, kur ai doli në pension pleqërie dhe punoi si kryeredaktor i Revistës “Pavdekësia”.Në asnjë libër tjetër nuk janë përmbledhur aq bukur punët e mëdha që u bënë në këto vite për themelimin e Organizatës kombëtare për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë te Atdheut,dhe të punës së saj heroike për të përkujtuar dhe ngritur lart Dëshmorët e Atdheut, emrin dhe veprën e të cilëve në këtë kohë guxuan ta marrin nëpër këmbë grupe të caktuara, parti politike e deri qeveri të kohës. Në këtë kohë ndodhnin absurditete e veprime antihistorike.Nëpër bashki e komuna kishte filluar në masë heqja e emrave të heronjëve dhe të dëshmorëve nga Shkollat po dhe nga rrugët e sheshet. Në Krujë kishin hequr edhe vetë emrin “ Skenderbeu” shkollës së mesme, dhe “ Shote Galica” shkollës 8 vjecare !!!Eshtë kjo kohë kur me inisativën e vet Organizata e familjeve të Dëshmorëve të LANC-it filloi nga puna me konsultime të gjera me anëtarësinë e saj për hartimin e projekteve të saj për Statusin e Dëshmorit të Atdheut,që përfundoi në prill 2002,me miratimin ligjor nga Kuvendi i Republikës me unanimitet të plotë. Libri është një dëshmi e punës së madhe të vetë autorit në mbrojtje të veprës së Dëshmorëve të Atdheui dhe të vlerësimit e përkujtimit të tyre.
Halil Katana u nda nga jeta pas një sëmundje të shkurtër e të rëndë me 16 qershor 2012, ende pa mbushur as 73 vjeç, një dekadë më parë, duke lënë pas ,të shoqen Bukurien, dy djemtë e tij Ardianin e Mehmetin, dhe botimet e tij të shumta, me të cilat ai zë një vend nderi në publiçistikën ushtarake dhe atë shqiptare. Halil Katana është dekoruar me disa tituj dhe medalje.Këshilli i Bashkisë së “Bajram Currit” e ka shpallur atë “ Qytetar Nderi”( pas vdekjes),me motivacion “ Drejtues dhe pedagog i fushës ushtarake, publiçist dhe shkrimtar që gjithë jetën ia përkushtoj Atdheut dhe vlerave të Kombit.” Bashkia e qytetit të Gjirokastrës e ka nderuar me 12 korrik 2012,me titullin “Mirënjohja e qytetit” me motivacion: “Publiçist simpatizant, admirues e pasqyrues dinjitoz i patriotizmit të qytetit të Gjirokastrës”. Halil Katana është shpallur “ Anëtar nderi i Organizatës për dëshmorët e Luftës ANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut.’Vepra e tij e plotë pret të studiohet dhe të çmohet si e meriton.
Me këtë rast falenderoj për bashkëpunimin familjen,të birin Mehmetin,nipin e Halilit, Danjelin dhe nënën e tij prof. Ajshen .Po edhe kryeredaktoren e “ Ushtrisë”, zonjën Anjeza Musollari që ma besoi mua këtë artikull përkujtimor për mikun tim të paharruar Halil Katanën.
Tiranë, 20 korrik 2022
*Kolonel në pension, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, drejtor i Edukimit dhe Kulturës së Ushtrisë më 1991-1992 dhe i Departamentit të Veteranëve të Luftës, 1995-2001.