TEKSTI I PROMEMORJES:
“Madhëria juaj e mban mend se kur unë u ktheva nga Bejruti, ju parashtrova një relacion të gjatë. Në atë relacion provoja me fake se politika që po ndiqnim në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në atë të qeverisjes së vendit do të vinte në rrezik të madh Perandorinë. Sjelljet e çuditshme të Fuqive të Mëdha, të cilave u ka ardhur më për mbarë që të heshtin, shumë njerëz duan t’i paraqesin si një sukses e si një fitore të shërbëtorëve të sinqertë të Madhërisë suaj. Megjithatë, unë, që në atë kohë vija në dukje se kjo ishte një fatkeqësi e madhe, sepse fliste për një izolim të plotë, gjë që ishte si një vetëvrasje. Parashtroja hapur se me metodat e këqija të qeverisjes, që sundonin në vilajetet perandorake, po u thithej gjaku shtetasve. Pjesa më e madhe e atij relacioni i kushtohej çështjes së Egjiptit. Kjo duhej ta preokuponte mendimin e Madhërisë suaj më shumë se çdo çështje tjetër, sepse tamam këtu ishte zanafilla e ruajtjes së të drejtave të shenjta të Khalifatit islam, i cili do të bënte Perandorinë Osmane që nëpërmjet këtij të siguronte një autoritet të shenjtë në botën islame dhe një forcë të madhe morale ndaj shteteve që janë të interesuara për çështjet që kanë të bëjnë me Lindjen.
Me qenë se Madhëria juaj urdhëroi që unë të parashtroja mënyrat se si mund të zgjidhej e të rregullohej kjo çështje, si edhe pikëpamjet e mia vetjake lidhur me këtë, nëpërmjet një vargu projektesh e relacionesh unë nxora në pah shkaqet e thella e të feshehta nga të cilat kishte lindur kjo çështje dhe parashtrova mënyrat dhe masat politike që do të siguronin zgjidhjen e saj në përputhje me të drejtat e shenjta (të Egjiptit) dhe me interest e Perandorisë Osmane.
Mendimet që pata parashtruar unë në atë kohë patën tërhequr si duhet vëmendjen e Madhërisë suaj. Dhe kjo pati ndodhur në një kohë, kur ata që ishin të interesuar në çështjet egjiptiane qenë treguar plotësisht të gatshëm që të adaptonin një politikë pajtimi. Mirëpo, më pas, për ndonjë arsye që s’dihet, mënyra që pata propozuar unë për zgjidhjen e çështjes egjiptiane dhe për çështjet e tjera të parashtruara nga unë, qenë larguar nga qendra e vëmendjes së Madhërisë suaj. Në këtë mënyrë pra, humbëm një kohë të çmuar prej tre-katër vjetësh.
Pata theksaur se trazirat e brendshme, të shkaktuara nga metodat e këqija të qeverisjes së vendit dhe nga aktet arbitrare dhe korrupsioni, ku ishin zhytur nëpunësit qeveritarë të çdo shkalle, do të arrinte një pikë kritike të atillë që të shkaktonin zemërimin e botës së qytetëruar dhe ndërhyrjën e Fuqive të Mëdha. Kur rreziqet, për të cilat kisha frikë se mund të ndodhin, filluan të nxjerrin krye, me ndjenjen e thellë të besnikërisë sugjerova se detyra më e shenjtë për një Padishah largpamës, që e do të mirën e shtetesave, dhe rruga më e drejtë që duhej të ndiqte ky, ishin që të drejtat dhe interesat e shetit t’i pajtonte e t’i harmonizonte me të drejtat dhe interesat e shtetasve dhe që thirrjeve të tyre për ndihmë e mëshirë dhe ankimeve kundër padrejtësive, t’iu përgjigjet duke zgjëruar rrethin e lirisë së mendimit e të veprimit të tyre dhe duke u dhënë atyre të drejta më të mëdha për të marrë pjesë në qeverisjën e vendit, në përputhje me kërkesat e kohës dhe me aftësitë e tyre të fituara gjatë jetës.
Unë parashtrova më këmbëngulje edhe mendimin lidhur me vendimet e fshehta që kisin marrë ambassadorët e të tre Fuqive të Mëdha mbi reformat në gjashtë vilajetet e banuara me shumicë nga armenët. Unë theksoja se ishte e domosdoshme të njihej nga Porta e Lartë përmbajta e atyre vendimeve përpara se t’i paraqitej kësaj projekti që po përgatitnin ambasadorët, se në vend të reformave të veçanta të imponuara nga të huajt, të zbatoheshin sa më parë reforma të përgithshme e të reja, nga të cilat do të përfitonin të gjithë shtetasit e Perandorisë dhe se po të bëhej një gjë e këtillë përpara se ambasadorët të paraqitnin projektin e tyre, edhe ndërhyrjes së huaj nuk do t’ hapej porta, edhe shtetasve Osmanë do t’u bëhej qejfi dhe zemrat e tyre do të fitoheshin më shpejt.
Pikëpamjet dhe mendimi im modest lidhur këtë çështjet mund të mos jenë përputhur me informatat dhe të dhënat (e njërëzve që e rrethonin Sulltanin, v.j.) ose më drejt, me makinacionet tradhtare të shërbëtorëve që gëzojnë besimin e Madhërisë suaj. Prandaj edhe nuk u morën parasysh. Madje u fol edhe se pikëpamjet e mia mund të ishin një dredhi e kurdisur me shtytjen e ndonjë shteti tjetër për t’i hapur rrugë realizimit të aspiratave e qëllimeve të caktuara politike. Ndjenja e besnikërisë sime ishte aq e fuqishme dhe vendosmëria në mendimet e mia ishte aq e patundshme, sa që këto nuk do të dobësoheshin nga yshtjet e poshtra të disa maskarenjëve që ia turbulluan mendjen Madhërisë suaj. Për këtë arsye, dhe meqë e dija se ngjarjet e mëvonshme do të vërtetonin se kisha pasur të drejtë, as shpirti nuk m’u ligështua, as korrektësia në dhënien e mendimeve nuk m’u cenua sadopak. Vetëm më erdh keq se nuk arritëm të përfitonim nga një rast që nuk do të na vinte më në dorë.
Madhëria juaj, domosdo, do ta pranonte sot se këmbëngulja ime për t’ju parashtruar të vërteten, këmbëngulje kjo që i pat kaluar caqet e edukatës sime, e kishte burimin në dëshirën fisnike e prej njeriu besnik që të siguroheshin mënyrat për shpëtimin e popullit e të Perandorisë suaj.
Madhëria juaj, domosdo do të pranonte se, sikur reformat të cilat ishin bërë një domosdoshmëri, të kishin filluar që në atë kohë me tërë seriozitetin dhe çiltërinë e duhur, as pavarësia e Perandorisë nuk do të kishte pësuar goditje të rënda, as territori i saj nuk do të kishte marrë pamjen e një skeme tragjike dhe të një kasaphane të madhe. Të mos i shkojë mendja Madhërisë suaj se duke ju bërë një expose të ngjarjeve të këtyre kohëve të fundit dhe duke ju parashtruar mendimet e mia modeste kam për qëllim t’i kundërvihen Personit tuj perandorak. Jam i sigurt se Personi juaj i lartë, meqë jeni Padishah i këtij vendi dhe i kësaj Perandorie, nuk doni gjë tjetër veçse lulëzimin dhe lumturinë e Perandorisë dhe begatinë e mirëqenien e shtetasve. Por nuk mohohet as kjo, që sa të larta janë qëllimet dhe mendimet e Madhërisë suaj, aq të tilla e të papranueshme janë mënyrat se si vihen në jetë ato, gjë që po ngjallë zemërimin e shtetasve dhe po shkakton dëshprimin e shërbëtorëve tuaj besnikë.
Sikur të mblidheshin iradet e larta, ligjet dhe rregulloret që kanë dalë e që janë botuar gjatë periudhës prej njëzet vjetësh të mbretërimit tuaj, do të formohej një vëllim i trashë dhe i plotë që do të përfshinte çështjet e thella e të gjithanshme teorike të shkencës administrative dhe të gjitha parimet e së drejtës administrative. Por, ç’e do se këto irade janë ndryshuar brenda caqeve të ngushta të rezervimit dhe zbatimi i tyre u është besuar njerëzve të paaftë. Kështuqë qëllimet fisnike të Madhërisë suaj kanë mbetur vetëm në potencë, kurse vendi ka mbetur në një gjendje që po keqësohet çdo ditë e më shumë.
Emri i mirë dhe fama e Madhërisë suaj qenë përhapur te shtetasit që përpara hipjes suaj në fron. Përmbajtja e nderuar e hatt-i humajunit (Kushtetutës, v.j.) që u botua fill mbas kurorëzimit, u kundrua nga të gjithë si një dokument i posaçëm shpëtimi për popullsinë dhe hipja në fron e Madhërisë suaj u quajt si pikënisja e një periudhe ngritjeje e përparimi për Perndorinë Osmane dhe për popujt osmanë. Kushetuta dhe dekreti Perandorak mbi miratimin dhe botimin e shpalljen e saj tregojnë se Madhëria juaj i çmon si duhet të këqijat dhe rreziqet e sistemit despotik të qeverisjes dhe të mirat e anët pozitive të konstitucionalizmit. Gjëra të këtilla, siç janë të drejtat e njeriut, liria dhe kushtetuta, madje edhe në vendet e qytetëruara janë fituar nëpërmjet kryengritjeve të përgjakshme të popullit.
Në fillim të periudhës së mbretërimit tuaj lindën shpresa shumë të mëdha për lulëzimin dhe të ardhmën e Perndorisë. Mirëpo, gjendja në të cilën ndodhet sot Perandoria tregon se fundi ka për të qenë shumë tragjik.
Pasardhësit tanë do të gjykojnë e do të japin mendim mbi veprimet e tanishme që janë në kundërshtim me frymën e shëndoshë e të lartë të periudhës fillestare të mbretërimit tuaj dhe do të zbulojnë e do të kritikojnë shkaqet e thella të të gjitha këtyre fatkeqësive të mëdha që kanë pllakosur Perandorinë dhe popullin që prej njëzet vjetësh e tëhu. Ata nuk do të gjejnë dot fjalë për të mallkuar udhëqësit e kohës së mbretërimit tuaj, të cilë, për të shtuar pasurinë e tyre dhe për të ruajtur pozitat e larta, kanë sakrifikuar edhe të drejtat dhe interesat e shenjta të Perandorisë, duke u bërë kështu shkaktarë për krijimin e gjendjes së tanishme. Tanimë është bërë si diçka e lejueshme (dhe kjo vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e Madhërisë suaj) praktika e shëmtuar që vëllai të spiunojë kundër vëllait e djali kundër babait dhe që gara se kush do t’ia kalojë tjetrit në shpifje nga më të ndryshme të kundrohet si tregues i aftësive dhe i meritave të njerëzve.
Përhapja kaq e gjërë e korrupsionit, sidomos në shtresat e larta, të cilat janë prekur plotësisht nga ky veprim, ka bërë që të mos kemi sot një administratë qendrore që të mund mbronte të drejtat e shtetit perandorak dhe një qeveri që të përpiqej me të vërtetë për të zgjidhur hallet e popullit.
Në ushtri, e cila është forca që do t’u bënte ballë sulmeve të armiqve, mungojnë rregulli dhe organizimi, është shthurur disiplina. Flota s’ekziston fare. Admiraliati është bërë mjet ushtrimi i një njeriu të vetëm. Për sa i përket Ministrisë së financave, kjo ndodhet jo në pozitë të vështirë, por në një krizë të tmerrshme që nuk mund të parafytyrohet dot. Populli i thjeshtë, i cili po vuan për shkak të turbullirave të tanishme, nuk është në gjendje të paguajë taksat. Por edhe ajo shtresë e popullit që nuk është e prekur nga kriza politke që ka pllkosur vendin, është e shrënguar të presë se si do të përfundojë çështja dhe të pezullojë e të shtyjë për më vonë pagimin e taksave.
Të gjitha këto që u parashtruan këtu janë asi faktorësh shkatërrues që do të mjaftonin për të shembur edhe shtetin më të fuqishëm në botë. Për këtë arsye shërbëtorët tuaj largpamës po i shqetëson mendimi se në territorin e Peradnorisë mund të shperthejnë dy lloj kryengritjesh që do të silllnin fundin e Perandorisë. Madhëria juaj e di se në botë ka dy lloj kryengritjesh. Njëra është ajo e elementëve mendjelehtë, të cilët ngrihen me armë në dorë kundër administratës shtetërore, pa menduar pasojat e rënda të veprimeve të tyre dhe pa llogaritur efektin shkatërrimtar të mjeteve të përdorura prej tyre. Tjetra është ajo që shpërthen nga pakënaqësia e përgjithshme, e shkaktuar nga dhuna dhe nga veprimet arbitrare të njerëzve ambiciozë të cilët, të shtytur nga zelli e nga dëshira që të mbajnë gjallë ide e pikëpamje të kota, të cilëve u ka kaluar koha e që nuk u ka mbetur më forcë ndikuese, dhe që të ruajnë e të mbajnë në këmbë një sistem qeverisjeje që u shërben interesave të tyre të paligjshme duan të pengojnë ecjen përpara të shoqërisë. Kushtet dhe rrethanat e favorshme për kryengritjen e llojit të parë ekzistojnë sot në Rumeli dhe në Anadoll. Kurse shkaktarë për kryengritjen e llojit të dytë do të ishin ata persona, mendimi i të cilëve është sot ligj për administratën shtetërore.
Në cilëndo krahinë të Perandorisë që të shpërthen kryengritja, motivet dhe shkaqet që do të provokonin atë dihen dhe mund të caktohen që tani. Në vend se të mendohet seriozisht mbi nevojat e popullit dhe mbi kërkesat që paraqet koha e sotme, në vend se të kryhet me kohë çdo gjë që e kërkojnë parimet e drejtësisë dhe logjika, dhe në vend se të drejtat e Perandorisë të konsolidohen nëpërmjet sigurimit të jetës dhe të të drejtave të shtetasve, nuk po merren parasysh as kërkesat e tyre më elementare e më se të arsyeshme, nuk po merren parasysh as lutjet e tyre më të thjeshta për t’i dhënë fund dhunës e zullumeve. Ata që paraqesin të këtilla kërkesa e lutje bëhen subjekt i gjithfarë ndjekjesh e persekutimesh. Kur bëhen kërkesa të këtilla, sipas njerëzve në qeveri lind një problem. Të shqyrtohen mënyrat për zgjidhjen e këtij problemi do të thotë, sipas tyre të tregohesh tolerant e zemërgjërë në plotësimin e kërkesave të paraqitura, gjë që jo vetëm inkurajoka kryengritësit, por nxitka edhe të tjerët për kryengritje. Aq shumë po shtohen dhe aq dendur po përsëriten gabime të këtilla, sa nuk mund të thuhet se vijnë nga injoranca dhe mosdija. Duhet thënë se ato e kanë burimin në mësheftësinë e shtirur ose në tradhti. Në një kohë kur preokupacioni për të ardhmën, i cili është shtojcë e mjerimit të shkaktuar nga varfëria dhe nga gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet sot populli, ua ka bërë dhallë mendjen të gjithë shtetasve të Perandorisë aq sa e ka bërë të pamndshme edhe vjeljen e taksave shtetërore; është marrë nisma për mbledhjen e një ndihme në të holla të quajtur “Ndihma për organizimin e ushtrisë” dhe në pjesën më të madhe të vendit për këtë qëllim po përdoren mjete shtrënguese. S’ka asnjë njeri besnik që do sovranin e tij dhe që i vlerëson drejt efektet e tanishme dhe pasojat e rënda në të ardhmën të krizës që ka pllakosur vendin, i cili në një situatë të këtillë të dilte me propozimin që Perandoria të ndërmerrte veprime të cilat, nga shtetasit do të kundrohen si veprime që mund të çonin Perandornë gjer atje sa ajo të ishte e shtrënguar të luftonte kundër gjashtë shteteve e që do të trondiste popullin, që në fakt është tmerruar nga lufta dhe të cilat nga opinioni publik i jashtëm do të interpretoheshin si veprime që presupozojnë armatosjen e myslimanëve kundër të krishterëve.
Për këta njerëz (e ka fjalën për klikën e Sulltanit, v.j.), të cilët kanë dijeni gjer për mosmarrëveshjet midis burrit e gruas në familjen më të thjeshtë të vendit, Ju thoni se nuk kanë dijeni për rrezikun që kërcënon sot të ardhmën e Madhërisë suaj dhe ekzistencën e Perandorisë! {…}.* Ajo (është fjala për Anglinë, v.j.), po e intensifikon veprimtarinë e saj politike. Meqenëse Perandoria Osmane po bënë gabimin e madh, dhe vazhdon me këmbëngulje ta thellojë këtë gabim e që po shmanget nga poli magnetik i interesave kombëtare dhe nga vija e drejtë që ishte caktuar që prej një shekulli nga sulltanët e mëdhenj parardhër dhe nga burrat e shquar të politikës, ajo (Anglia,v.j.) po pret kohën e voltishme që të realizojë qëllimet e veta. Ajo nuk mund të mendojë për një fitore të shpejtë, që do të vente në rrezik pozitat e larta e të privilegjuara që ajo ka fituar në mbarë botën e sidomos në Lindje, duke përfituar qoftë nga gabimet tona të njëpasnjëshme, qoftë nga ndryshimet që kanë ndodhur në botë këto kohët e fundit dhe që do ta bënte atë të harronte mësimin që mori nga marrëveshja e Skeles së Hungarit.
Në qoftë se, ta zëmë, për një çast ndonjë nga ne do të shfaqte dëshirën që Perandoria të anulonte marrëveshjet e përfunduara me Fuqitë e Mëdha, me qëllim që t’i kundërvihej kësaj aleance serioze, e cila do të ishte në gjendje të mbronte interesat e tanishme të këtyre sheteve, atëherë duhet që këtë dëshirë të mos e kundrojnë si një të këtillë që frymëzohet nga qëllimi i mirë, por si një dredhi të mallkuar. Sepse Perandoria Osmane, që të shlyejë detyrimet morale që ka ndaj Fuqive të Mëdha e ndaj gjithë botës së qytetëruar, që të sigurojë jetën e shtetasve të saj dhe të ulë zemërimin e opinionit publik të jashtëm, është e detyruar të zbatojë reforma radikale, të cilat do të tregonin se ajo po e braktisë rrugën e gabuar që ka ndjekur gjer më tani, rrugë që është provua me fakte – se është e rrezikshme.Për sa u përket reformave që është menduar të zbatohen, ne nuk e dijmë se ç’përmban projekti të cilin e kanë përgatitur ambasadorët dhe që ua kanë parashtruar qeverive të tyre për miratim. Megjithatë, pikat themelore të tija mund të merren me mend fare lehtë.
Parardhësit e mëdhenj të Madhërisë suaj gjithmonë venin në poste drejtuese burrat më të zotët të kohës, që ishin të pajisur me culture të gjërë e me aftësi të mëdha natyrore. Për të zbuluar një të vërtetë të çfardoshme, për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e secilit dhe madje për të zbuluar tendencat individualiste që
*) Ka ndërprerje të tekstit të Promemorjes, dhe nuk dihet se është I gjatë teksti që mungon.
lindnin nga pozita e lartë drejtuese, ata (sulltanët, v.j.) përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve e të opinioneve të ndryshme. Çdo veprim dhe çdo masë me karakter shtetëror që ndërmerrnin e përputhnin me kërkeat e kohës. Sa herë që ndodhte ndonjë incident në territorin e Perandorisë dhe sa herë që bëhej ndonjë propozim apo ushtrohej ndonjë presion nga jashtë, ata mbështeteshin në zellin, në patriotizmin dhe në aftësitë e ministrave, të cilët ata i quanin një garancë të fortë për mbrojtjen e Perandorisë dhe të interesesave të saj. Ata i nxitnin ministrat që të përpiqeshin me gjithë shpirtë për zhvillimn e brendshëm të Perandorisë dhe të ndërmerrnin veprime që i garantonin Perandorisë besimin e Evropës dhe i shërbenin forcimit të mëtejshëm të pushtetit shtetëror, gjë që, nga ana e saj, i shërbente sigurimit të vendit dhe të jetës e të drejtave të popullit. Kurse tani Madhëria juaj po mbështetet në njerëzit më të paaftë e më pa karakter, duke u besuar këtyre drejtimin e vendit e duke u këshilluar me këta për çështje të rëndësishme shtetërore. Sot si tregues i meritave të njerëzve është o injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësia mendore dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh. Për shkak të këtyre njerëzve që gëzojnë besimn tuaj e që janë njerëzit tuaj më të afërm, Perandorisë i ranë në kokë shumë fatkeqësi dhe si pasojë pushteti shtetëror u dobësua dhe vet Personi juaj perandorak u bë objekt kritikash nga ana e opinionit të botës. Përpjekjet e këtyre njerëzve për të ruajtur pozitat ngjallën zemërimin e shumë të rinjve të zgjuar dhe të shumë veteranëve të cilët patën dhënë prova se ishin të zotët, u bënë shkak që disa të tërhiqeshin në vetmi të plotë dhe disa të tjerë të merrnin arratinë. Meskiniteti i atyre që gëzojnë favore frenon dhe tregon se qeverisja e vendit është lënë në dorën e njerëzve të paaftë. Kurse qëndrimi dinjitoz e prej njerëzish të ndershëm i atyre që janë persekutuar, vërteton se populli Osman është i denjë për një aparat qeverisjeje të shëndoshë, që përputhet me evolucionin e epokës së sotme dhe se ai ka në vetvete forca të gjalla që janë të mjaftueshme për krijimin e një partie të këtillë.
Reformat radikale që Fuqitë e Mëdha do të miratojnë e do të rekomandojnë si përgjigje ndaj këtij realiteti, natyrisht do të kërkonin të jepeshin garanci të forta se qeveria e vendit do t’u besohej njerëzve të aftë dhe se popullit do t’i sigurohej e drejta të merrte pjesë në këtë qeverisje. Mirëpo, sado e arsyeshme dhe e pranueshme të jetë baza e këtyre reformave, këto patjetër se do të sjellin si pasojë kufizimin e pavarsisë dhe sovranitetit të Perandorisë. Prandaj, shërbëtorët tuaj që janë të pajisur me ndjenjen e patriotizmit të vërtetë, që të mund të përcaktojnë masat efikase për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje, janë të shtrënguar t’i drejtohen për ndihmë gjykimit të Madhërisë suaj. Kemi përpara një rast me afat shumë të shkurtër. Duhet përfituar nga ky rast pa humbur asnjë minutë. Të humbasësh kohën duke kërkuar mënyra zgjidhjeje të përkohëshme dhe duke përdorur ilaçe të vendit, do të thotë të japësh shkas që helmi të përhapet në gjithë trupin. Ja, ngjarjet e fundit të Kretës qëndrojnë përpara syve tanë si një mësim i gëdhendur në lapidar. Në qoftë se nuk bëhet përpjekje me seriozitetin më të madh për të gjetur një mënyrë zgjidhjeje shumë efikase e shumë të shpejtë, është më se e sigurtë se do të shpërthejë një revolucion në shkallë kombëtare, flakën e të cilit nuk do të mund ta shuante dot asnjë dorë e fortë. Prandaj, e vetmja mënyrë për shpëtimin e Personit të Madhërisë suaj në situatën e tanishme dhe për sigurimin e së ardhmës së pushtetit tuaj perndorak është që të sigurohet mbështetja e mbarë popullit, e cila është më e fortë së çdo kala. Madhëria juaj duhet të urdhërojë që administrimi i vendit dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera të vendosen mbi një bazë të atillë që t’i jepte mundësi popullit ta provonte me fakte se e çmonte nderin e madh që të futej në orbiten e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të bënte pjesë në bashkësinë e shteteve të qytetëruara të Perëndimit{…}.
Gjersa ekzistojnë një tog parimesh të drejta dhe të pëlqyeshme, që i kemi si trashëgim nga babai juaj dhe që janë pjellë e frymëzimit tuaj, natyrisht nuk është nevoja që për qeverisjen e vendit të mendohet për ndonjë status të ri dhe të ndërmjetësojnë Fuqitë e Mëdha. Vetm një gjë është e nevojshme të bëhet: t’i jepet fund ngecjes që ka pësuar, për shkak të telasheve dhe vështirësive që dihen që prej njëzet vjetësh zbatimi i kushtetutës, e cila qe përshëndetur nga të gjithë me brohoritje në fillim të hipjes në fron të Madhërisë suaj, dhe të fillohet menjëherë nga zbatimi i masave përmirësuese (nënkuptohet nga zbatimi i reformave,v.j.), që Madhëria juaj pati caktuar në atë kohë.
Ç’është e vërteta, gjatë këtyre njëzet vjetëve, në krahinat dhe në popujt e Perandorisë Osmane janë bërë ndryshime në fushën e zhvillimit shoqëror e kulturor. Prandaj nuk mund të thuhet se kushtetuta nuk ka nevojë për ndryshime e përmirësime e mund të vihet në jetë ashtu siç është. Kjo bazë e shëndoshë, që pat fituar admirimin dhe miratimin e të gjithë botës dhe që i siguron Perandorisë autoritet e prestigj, duhet të vihet në jetë e duhet të bëhen ndryshime, duke marrë parasysh kërkesat e kohës dhe të vendit. Por në vend se të veprohej kështu, në qoftë se për këtë çështje do të shihej e nevojshme të kërkohej mendimi i disa njerëve që kanë prirje të kundërshtojnë e që vuajnë nga gjithëfarë fiksacionesh, dhe në qoftë se këta njerëz do të fitonin në këtë rast besimin dhe mbështetjen e Madhërisë suaj, ky do të ishte një veprim që nuk do të përputhej me ndërgjegjën e Madhërisë suaj, e cila pasqyron ndjenjat dhe nevojat e këtij populli të pafajshëm, që Zoti e ka lënë amanet në dorën e Madhërisë suaj.
Pra, ky është shkaku që, duke bërë përmbledhjen e vërejtjeve të mia modeste, them që si e vetmja mënyrë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë është shpallja e një hatt-i humajusi (dekreti perandorak,v.j.), i cili të përmbajë iraden (urdhërin,v.j.) e prerë perandorake, që të formohet sipas rregullave procedurale, një komision ligjvënës, i përbërë nga njerëz të shquar, të zgjedhur nga populli i kryeqytetit dhe i vilajeteve perandorake, që ky komision të marrë në shqyrtim tekstin e kushtetutës e të përmirësojë nenet që kanë nevojë të ndryshohen dhe që ligji themeltar (kushtetuta, v.j.), i përmirësuar dhe i pasuruar, që do të hartohet në këtë rast, mbasi t’i jetë parashtruar Madhërisë suaj e mbasi ta ketë marrë miratimin perandorak, të hyjë në fuqi menjëherë.
Aq i bindur jam se mendimet që po marr guxim t’i shfaqi janë të drejta, sa që, po shtoj edhe këto: posa të merrej vesh se mendimet e parashtruara më sipër janë pranuar nga Madhëria juaj, në të gjithë botën do të dëgjoheshin sërish fjalë të bujshme falënderimi e përgëzimi dhe drita që u ndez me hipjen në fron të Madhërisë suaj do të shëndriste prapë përpara syve të mbarë njerëzimit. Veç kësaj, do të arrihej edhe një rezultat tjetër pozitiv: në qoftë se Madhëria juaj do të kërkonte nga Fuqitë e Mëdha që të shfaqnin zyrtarisht ashtu si në kohën e shpalljes së reformave dobiprurëse, bindjen e tyre se këto parime të drejta do të mbeteshin në fuqi derisa të ishte bota, atëherë të drejtat sovrane të Personit tuaj perandorak e të dinastisë mbretërore dhe pavarësia e integriteti tokësor i Perandorisë Osmane do të riafirmoheshin e do të siguroheshin në shkallë ndërkombëtare me një dokument zyrtar që nuk do të mund të hidhej poshtë”.
B B A I
Belediye Kutuphanez
24 shkurt 1897
(Origjinali: Osmanisht)