Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur linë e majmunëve emergjencë globale. Ky vendim është marr pas rritjes së vazhdueshme të rasteve anekënd botës. Duke folur për linë e majmunëve dhe përhapjen e saj, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ( OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se deri tani janë evidentuar mbi 16 mijë raste në 175 shtete të botës. Ai ka theksuar më tutje se vlerësimi i OBSH-së është se rreziku i lisë së majmunëve është në nivel mesatar globalisht dhe në të gjitha rajonet, me përjashtim të rajonit evropian, ku ne e vlerësojmë rrezikun si të lartë.
Lia e majmunëve është një virus që shkakton temperaturë, skuqje në lëkurë dhe puçrra. Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe, më rrallë, midis njerëzve. Ai është zbuluar për herë të parë te majmunët në vitin 1958, prej nga ka edhe emrin. Megjithatë, brejtësit shihen tani si burimi kryesor midis kafshëve.