Ka rreth katër shekuj që banorët e trojeve buzë Adriatikut e Jonit, të cilat kufizohen nga Serbia, Bullgaria, Greqia, janë quajtur shqiptarë dhe vendbanimi i tyre është quajtur botërisht e madhërisht SHQIPËRI. Popull dhe vend që nuk i bie kujt në qafë, por që mbron të drejtën e vet për jetuar nën diell këtu ku qenë ngulitur paraardhësit historikë. Edhe pse politika përçarëse, sunduese e deri shfarorëse, ndaj popujve të vegjël, që kanë ndjekur qarqet sunduese të Europës si “shprehje gjeografike” , ‘luftëtarë pa atdhe’, ‘njerëz të pazot për të formuar shtet’, deri sa edhe e kanë ndarë në shtatë shtete kombin shqiptar, përsëri Shqipëria jo vetëm nuk është zhdukur, por është forcuar. Madje është kthyer në faktor në këtë rajon. Arritja më tronditëse në këtë përçarje është ajo amerikano-europiane e krijimit të shtetit shqiptar të Kosovës. Por kjo, njëherazi, megjithatë, është pranuar edhe si më e mira alternativë, në raport me copëzimin në thela edhe më të vogla!
Është po ashtu e vërtetë që shumë shtete të Europës plakë e për rrjedhojë edhe të atyre përtej Oqeanit Atlantik këtë vend e kanë emërtuar Albani. Por kurrë nuk kanë guxuar që banorët e tij t’i quajnë albanë. Edhe nga historia, edhe nga letërsia apo tërë shkencat e tjera shoqërore dhe ekzakte kemi një tog të madh të dhënash që ky vend quhet dhe duhet vazhdimisht të thirret, të quhet e të vetshpallet Shqipëri e jo Albani.
Le të sjellim në mendje të pazëvendësueshmin filozof shqiptar frashërlli, korifeun e enciklopedisë turke, që shkroi veprën emblematike “Shqipëria ç’ka qenë , ç’është e ç’do të bëhet”. Le të kujtojmë thirrjen e Andon Zako Çajupit kur thoshte,”Shqiptar, mos rri , po duku!”- kur qe koha për t’u çliruar nga kthetrat e sundimit pesëshekullor osman. Ja edhe Dita e 28 nëntorit 1912 kur Ismail Qemal Vlora e shpalli këtë vend të pavarur, dhe e deklaroi para tërë botës “Shqipërinë e mos varme” nga Turqia. Po Pashko Vasën,Filip Shirokën, Bajram Currin, Hoxha Tahsinin, Jeronim De Radën, si mund t’i harrojmë?
Po fjalimin e Enver Hoxhës 38 vjeçare në vitin 1946, në Paris, ku ai nisi të fliste shqip , por kur e pa se po bëhej zhurmë, e ktheu frëngjisht dhe i detyroi të heshtnin duke iu treguar se cilat ishin kontributet e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, si mund ta lemë menjanë? Ai atje argumentoi domosdoshmërinë e renditjes së vendit të vet,Shqipërisë, në bllokun e madh antifashist e antinazist, dhe fitoi.Përse e harrojnë disa pseudo historianë dhe ca të tjerë palo “liderë” të politikës së sotme? Dhe më tutje: historikisht, ishin vitet 1944-1985, kur Shqipëria i tregoi botës se u bë një ishte shtet i fuqishëm dhe i vet konsoliduar në tërë drejtimet: ekonomike, kulturore, ushtarake, diplomatike. Këtë e kanë pohuar vetë jo pak nga drejtuesit e shteteve të huaja si Toni Bler, etj.
Ishte sistemi ekonomik-shoqëror socialist ai që çoi në atë shkallë aq të lartë zhvillimet tona, paçka se janë faktorët e tjerë si tradhtia, kthetrat e gënjeshtrës dhe dhëmbët e vjedhjes, po aq sa edhe presioni ideologjik, ushtarak dhe ekonomik imperialist, që ai sistem u asfiksua.
Ka disa vite që po rendet, krahas shumë e shumë përpjekjeve të dëshpëruara, por jo të pasukessheme, për të mohuar gjithçka komuniste, socialiste e shqiptare që ka arritur populli ynë në vitet 1939-1990, të goditet edhe emri SHQIPËRI. Me nismë të kryeministrave tanë të pas viteve 1990, janë bërë veprime tepër të rënda edhe ndaj këtij emri. Prishja, shkatërrimi, asgjësimi i gjithçkaje shqiptare dhe vandalizmat e periudhës kur drejtoi Sali Berisha janë monstruoze. Por jo më pak të tilla janë edhe veprimet e kryera nga administrata e Edi Ramës dhe me nismën e tij personale. Shembulli më i kthjellët është rehabilitimi dhe ngritja shumë më tepër nga sa u ka dhënë historia i shumë figurave antishqiptare duke nismuar me kryetradhtarin Mid’hat Frashëri, për të vijuar me Fishtën, Koliqin, Devën etj.
Dhe kryetari ynë, pa dinjitet por me ‘solemnitet’, deklaroi para ca ditësh:” Asnjë vend në Evropë nuk ka ndryshuar më shumë në 30 vitet e fundit, se sa Shqipëria”! Tha një të vërtetë helmuese, ku bashkautorë kryesorë janë vetë krerët qeveritarë të po këtyre 30 viteve. Ndrrimi demonstrativ i emrit nga Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” në “Air Albania Arena”, vendosja e një sistemi dixhital me emrin “e-albania”,(saktësia dhe efikasiteti i tij ,vetëm me një goditje kibernetike u vu në dyshim?!) heqja e shumë busteve, shkatërrimi i shumë lapidareve të heronjve të popullit, ndryshimi i emrave të rrugëve, shkollave, institucioneve që kanë qenë e janë shqiptarë, botimi i shumë librave të huaj që flasin për bëmat e “të huajve në Albani”etj. etj. janë një sërë veprimesh që godasin drejtpërsërdrejti emrin e Shqipërisë.
Më e rëndë akoma është lënia në harresë e mësimit sistematik, ndërshkollor, të gjuhës shqipe nga tërë banorët që lindin këtu apo diku gjetkë. Treguesi më alarmant: nxënësit dhe studentët kanë regjistruar nota më të ulëta në gjuhën shqipe e më të larta në gjuhët e huaja, deri atje sa nuk dinë as të shkruajnë mirë shqipen. Për të qenë më realistë: edhe hapja e derës së avllisë për të çapitur drejt portës së madhe të pallatit butaforik, hipokrit, sundues e shfrytëzues të Këshillit të Europës, emërtuar “çelja e negociatave”, që politika e pamoralshme realizoi këto ditë , është një lloj maske bashkëkohore, në luftë për të goditur emrin e SHQIPËRISË. Maskë për bosët e kapitalit euro-amerikan që t’u shërbejë se ja ‘po punojnë që Albaninë ta fusin në Europë’, dhe për kryministrin tonë krenar e autoritar,( që nuk ka grurë për të gatuar bukë, qumësht për fëmijët dhe mishin e nevojshëm për këtë popull që përfaqëson), se është ai që po na kalit durimin për të gjetur forca e “për të pritur hyrjen tonë në Europë?!” Ja kjo është vepër e këtyre krerëve që po e lënë Shqipërinë edhe pa emër! Lepuri fle gjetiu: duhet goditur edhe me thellë Shqipëria dhe komunizmi! Ka ardhur koha që të mbrojmë emrin e Shqipërisë me çdo mjet që na kanë mësuar të parët tanë. Vetëm një qeverisje e mirëfilltë kombëtare, me mendime, synime, veprime dhe qëndrime korrekte ndaj kombit, gjuhës, kulturës dhe emrit të vendit të vet, mund të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje. (Gazeta Sot)