leoni

Bedri Gashi: Rrefim Lufte-pjesë nga ditari i luftës

Bedri Gashi: Rrefim Lufte-pjesë nga ditari i luftës

RRËFIM I LUFTËS

Ky shkrim është pjesë nga ditari i luftës që e posedon Bedri Gashi bashkëluftëtar i heroit MUJË KRASNIQI

NJË BETEJË E CILËSUAR SI EPOPE

Një ndër ngjarjet me te rëndësishme luftarake të zhvilluara gjatë verës së vitit 1998 ne Kosovë është, pa dyshim, lufta e dytë e Dollcit, afër fshatit Gllarevë. Për gjatë magjistrales Prishtinë – Pejë.

Më 25 korrik 1998, në vendin e quajtur “Gryka e Kullës” në Dollc te Klinës, ndodhi luftë një betejë e madhe ndërmjet forcave ushtarake te okupatorit dhe njësiteve tona.

Luftën e udhëhoqi kush tjetër përveç se komandant Mujë Krasniqi. I pashëruar deri në fund dhe më plagët në trup që i kullonin, “Kapuçi” ishte kthyer suksesshëm, për të bashkuar të gjitha njësitet e krahut tonë në luftë kundër serbëve. Më kthimin e Mujës pasojnë beteja të mëdha, të mundimshme, sakrifikuese dhe krenare.

Këtë betejë të madhe, lirisht mund ta quaj historike, për vetë rezistencën e bërë dhe për vetë faktin e përballje së pa trembshme të ushtarëve të njësiteve tona me armikun, të cilat i bashkoi komandanti ynë përballë një mizerie të paparë ushtarake të Serbisë. Pas granatimeve të gjata, në orën 11:00, forcat serbe marshuan drejt nesh më shumë automjete te rënda. Në këtë betejë jemi rreshtuar pesë njësite përgjatë tërë vijës së asfaltit deri në fshatin  Rixhevë. Njësiti “Therra” me komandant Halil Bytyqin, që gjithnjë na ka ndihmuar gjatë shumë betejave, ishte në vijën e parë të frontit bashkë më njësitin “ALFA”. Njësiti nga fshati Mleqan me komandant Beqir Gashin, ishte në të njëjtat istikame më njësitin “ALFA”. Pas këtyre dy njësiteve ishin radhitur njësitet “Korbi”, “Graniti” dhe “Alfa 2″ – ” Beta”. Të gjitha këto njësite, varësisht nga konfiguracioni i terrenit, ishin pozicionuar, dikush më afër e dikush më larg, deri në fshatin Burim. Para fillimit të betejës, Mujë Krasniqi vraponte nëpër të gjitha pikat frontale duke kontrolluar dhe duke i këshilluar ushtarët.

Në orën 11:00 pushuan granatimet. Ra një heshtje në vijat e para të frontit. Ne qëllimshëm kishim vendosur disa pozicione të rrejshme. Aty u stacionuan forcat serbe pa ndonjë problem dhe filluan të pushonin pa ecur përpara. Rreth gjysmë ore qëndruan aty.

Duke hetuar ushtrinë serbe se po planifikonte diçka dhe nuk ecte përpara, menduam se ata blinin kohë për ta përgjuar saktësisht vendqëndrimin tonë. Mujë Krasniqi nuk u pajtua të vend qëndronte në pritje të lëvizjes së forcave të kundërshtarit. Muja mori katër ushtarë dhe u nis për të sulmuar nga ana tjetër e bregut, buzë asfaltit. Muja kishte arritur në afërsinë e tyre pa u diktuar fare nga forcat serbe. Aty, mbi pozicionet e maskuara ishin vendosur forcat serbe dhe një oficer serbe iu jepte urdhëra ushtarëve të vet.

Si më tregoi më vonë Muja, oficeri serb mbante një letër plani në dorë. Ushtarët që e shoqëronin Mujën kishin parë nga afër ushtarët serbë që shpërndaheshin sa majtas, sa djathtas, duke u futur malit të dendur të Grykës së Kullës në Dollc. Komandanti ynë nuk kishte dhënë urdhër për gjuajtje, sepse kishte pikasur me armë oficerin që komandonte trupat serbe. Muja nuk kishte pritur gjatë dhe oficeri kishte rënë i vrarë mbi thasët e rërës.

Pas krismës së vetme të “KAPUÇIT”, që kishte goditur për vdekje oficerin serb, ne dëgjuam disa rafalë të njëpasnjëshme duke u zbrazur në atë moment menduam se mos ishin ndeshur luftëtarët tonë me forcat serbe. Vrapuam tre veta drejt bregut nëpër të cilin kishin shkuar shokët tanë dhe rrugës takuam Mujën duke ardhur në pozicione bashkë me ushtarët e tjerë.

Menjëherë e kemi hapur radiolidhjen dhe kemi dëgjuar serbët duke kërkuar ambulancën ushtarake nga prapavija. Një qendër tjetër e ndërlidhjes serbe, nga ndonjë vend komandim tjetër u fut në lidhje me shifrën “Bistrica” dhe kërkonte sqarime nga Dollci që mbante kodin “Linka”. Dikush me radiolidhje nga Dollci i tregoi “Bistricës” shifrën e oficerit të vrarë me numër dyshifrorë. “Bistrica” me zë tejet kërcënues filloi të bërtas: “Prej nga erdhi ai plumb, ta q… nënën. A e din çka kemi humbur”. “Nuk e di. Sikur ka mbirë nga toka”.

Nga kjo bisedë e dëgjuar pak momente pas goditjes së Mujës, kuptohej se aty ishte vrarë një oficer i rëndësisë së veçantë. Nga ana e forcave serbe dëgjohej zhurmë, sharje dhe rafalë të pakontrolluara. U krijua një rrëmujë e madhe në mesin e tyre. E pyeta Mujën se ç ‘ndodhi. Ai më tha: “E kam marrë mirë në shenjë një oficer dhe e kam shpuar anë përtej. Kemi pasur mundësi të vrisnim shumë ushtarë, por unë e gjuajta oficerin”.

Pas kësaj bisede, Muja dha urdhër të përgatiteshim për mbrojtje. Pas vrasjes së eprorit të lartë, forcat serbe sulmuan fuqishëm mbi ne. Tërë ditën nuk arritën të na zmbrapsin asnjë hap. Lufta u bë tejet e ashpër. Fusha e betejës gjëmoi tërë ditën. U zhvillua një luftë e madhe me këmbësorinë serbe, të cilët vazhdimisht tentonin të na i merrnin krahët. Lufta u zhvillua nga afërsia e madhe. Kur këmbësoria serbe vërshoi shtigjeve malore të Dollcit, Beqir Gashi dhe Ali Gashi nga afërsia i hodhën disa bomba mbi këmbësorinë serbe. Në anën tjetër, Ali Krasniqi dhe Hamit Millaku dëmtuan po atë gjini të ushtrisë së kundërshtarit tonë me mitralezët njëqindsh.

Ndër kohë kur tanket u afroheshin pozicioneve tona, Ali Gashi, një ushtarë trim dhe praktik, nga afërsia goditi zingjirët e një tanku me armën e quajtur “Zoll” dhe e ndaloi tankun. Ndërsa, Avni Krasniqi, vëllai i Mujës, dogji një tank me benzinë nga afërsia shumë e madhe. Kështu, filloi sulmi ynë i përgjithshëm mbi të gjitha automjetet dhe këmbësorinë serbe.

Topxhiu i jonë gjuajti pesë predha në hyrje të Grykës së Dollcit, por të gjitha shkuan në cak të gabuar. Tanket e tjera në lëvizje mbuluan atë të prishurin që e goditi Aliu. Nga anët e prapme të tankeve zbritën ushtarët serbe për ta lidhur tankun e prishur. Tërheqja e tankut nuk u bë plot një orë, sepse nga kanalet mbrojtëse i gjuanim ushtarët serbë. Serbët vunë në funksion arsenalin dhe të gjitha mjetet luftarake që kishin marrë me vete. Këmbësoria serbe kishte humbje të konsiderueshme. Nga ana jonë patëm tre të plagosur lehtë.

Nga kanalet civile serbe nëpër Klinë është dëgjuar se në Dollc më 25 korrik dhe në Rixhevë më 26 korrik janë vrarë 34 pjesëtarë të forcave të përziera të ekspeditës ushtarako-policore serbe. Gjithë ditën jemi përleshur me to. Ata përdornin taktikë standarde të luftës. Tërë ditën janë dëgjuar gjëmimet dhe ushtimat e një lufte të vërtetë.

Në pozicionet prej të cilave luftonim njësitet “Alfa” dhe “Therra”, forcat serbe nuk kishin mundësi të kalonin vetëm po ti hypnin mbi bunkerë. Ne mbronim krahët shumë mirë nga këmbësoria e armikut. Vullneti luftarak i ushtarëve tanë dhe qëndresa e pafrikshme e tyre në luftën e Dollcit janë lavdata shpirtërore më e madhe që mund t’u bëhet të gjithë atyre djemve të gjendur përballë tërë asaj mizerie serbe të 25 korrikut 1998.

Në rrjedhën e luftërave tona, qëndresa e Dollcit ishte e madhe. Ajo tronditi forcat serbe që marshonin me qindra trupa dhe dhjetëra tanke, praga, autoblinda etj. Ishin mbi 150 automjete të rënda. Ata që nuk kanë pasur rastin ta përjetojnë një luftë të tillë vështirë ta paramendojnë. Ata që kanë pasur rastin të dëgjojnë këtë luftë mund të kenë dëgjuar gjëmimet e pandalshme tërë ditën. Dielli përvëlues i korrikut na kishte tharë gojën për një pikë ujë. Ujin nuk kishim mundësi ta siguronim në asnjë mënyrë.

Përpjekjet tona ishin të mëdha. Mbi të gjithë, në këtë luftë si gjithnjë, shquhet prijësi ynë, komandant Mujë Krasniqi. Në këtë luftë u dalluan shumë luftëtarë të njësiteve tona, të cilët ishin të shpërndarë përgjatë tërë vijës frontale nga Dollci deri në Burim. Do t’u hyja në hak të madh po të mos përmendja disa prej tyre që i pashë me sytë e mi. Në vijën e ndeshjes së parë, isha bashkë me ta dhe i shihja me sytë e mi se si luftonin komandanti Mujë Krasniqi – Kapuçi, Mirush Dakaj – Korbi, Beqir Gashi, Ali Krasniqi, Ali Gashi, Agron Mirdita – Amerikani, Halil Bytyqi – Therra, Naser Morina – Bardheci, Kadri Demaku, Hamit Millaku, Naser Gashi, Izet Milazimaj, Avni Krasniqi, Bujar Shala, Musli Morina, Ylber Gashi, Elmi Raci, Halit Gashi, Musë Buzhala, Bekim Shala, Naser Morina (Klinë), Emin Gashi etj, dhe shumë emra të tjerë që kontribuan ne forma te ndryshme atë ditë më 25 korrik 1998.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …