Në një vjetorin e ndarjes nga jeta përkujtohet atdhetari Hysen Gegaj

Kurrë nuk do të harrohet, veprimtari, luftëtari i lirisë, atdhetari e qëndrestari, Hysen Gegaj

(Në dy-vjetorin e ndarjes nga jeta)

Dy vite  më parë, në  moshën 71-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë dhe pjesës më të madhe të jetës së kaluar në  vështirësi dhe kacafytje,  me të priturat e të papriturat e saj, ka  rrugëtuar për në përjetësi, Hysen Gegaj, njëri ndër atdhetarët dhe personalitetet më të njohura të Lëvizjes sonë Kombëtare.

Hysen Gegaj nuk ishte vetëm një veprimtar, një i burgosur politik që ka mbajtur 14 vjet burg. Ka edhe të tjerë që kanë mbajtur madje edhe më shumë vite  burg dhe që njihen me emër e mbiemër. Nuk ishte vetëm një luftëtar i përkushtuar i lirisë dhe një burrë me dinjitet i dashur për familjen, të afërmit e rrethin shoqëror.

Ai mbi të gjitha i takon një familje me tradita atdhetarie, qëndrese e morali tradicional shqiptar.

Ishte në mesin e pak veprimtarëve, i cili gjatë tërë jetës qëndroi vertikalisht, duke u përballur, jo vetëm me dhunën fizike e psikike të inspektorëve të UDB-së, por edhe me projeksionet e rrezikshme, të cilat i kishte vënë  në veprim, Shërbimi Sekret i RSFJ-së me njerëzit e vet,   të cilët i kishte rekrutuar edhe  në radhët e Lëvizjes sonë, e cila vepronte brenda dhe jashtë Kosovës.

I ndodhur përballë kacafytjeve të opsioneve, ideve e veprimeve të grupeve dhe individëve të caktuar, Hysen Gegaj kishte zgjedhur rrugën e vetë të qëndresës dhe gjykimit realist,  në kushte dhe rrethana të caktuara dhe nuk kishte gabuar, përkundrazi, me veprën e aktivitetin e tij të pandërprerë në dobi të kombit e Atdheut ishte treguar shumë syçelë, kishte vepruar me maturi dhe kishte mposhtur intrigat e projeksionet e rrezikshme që i kishte vënë në veprim UDB-ja sidomos në vitet ’70-të dhe ’80-të të shekullit njëzet.

Për shkak të kushteve të pavolitshme ekonomike, Hysen Gega, nuk kishte arritur të kryente shkollimin e mesëm dhe atë universitar, por i etur për dije, i etur për shkollim e arsimin, ai, ishte ndër të vetmit që u vetë arsimua, duke mos iu ndalur leximit e mësimit, gjatë kohës së qëndrimit në  mërgim, e sidomos në burg.

Me Hysenin mund të bisedoje për historinë kombëtare, letërsinë, kulturën, mund të bisedoje për të gjitha rrjedhat shoqërore e politike të kohës. Ata që nuk e dinin se sa vite shkollë kishte kryer, doemos se do të mbeteshin të habitur, në komunikim me të,  por ata që kanë mbajtur vite të tëra nëpër burgjet e ish regjimeve okupatore,  e kuptojnë fare lehtë, sepse për një vit në burg, sidomos në burgjet hetuese  ku i mbanin përgjithësisht shqiptarët, shumë prej tyre  lexonin e mësonin, më shumë se një student mesatar gjatë  tërë kohës së studimeve.

Hyseni kishte shumë virtyte e vlera morale. Ishte besnik, i çiltër me të gjithë, bisedonte shtruar e duke pritur radhën. Fliste me ton të lindur  autoritar dhe gjatë komunikimit shprehte botën e tij, origjinale, gjithnjë duke treguar vetëpërmbajtje, duke dëgjuar me vëmendje bashkë biseduesin, pavarësisht se cili ishte niveli i tij njohës e arsimor.

Për rrugëtimin e tij atdhetar në mërgatë, flasin bashkëveprimtarët e tij dhe përveç në raste të veçanta, shumica dërrmuese e tyre flasin me respekt e pitet, e kujtojnë me dashuri e sinqeritet, sepse Hyseni ishte i veçantë në shumë segmente të jetës dhe veprimtarisë së tij të gjithanshme. Ai tregohej diskret, kur e donte nevoja, kur ishte shumë i bindur se nuk gabonte. Ai kishte denoncuar ballë për ballë inspektorët e Shërbimit Jugosllav, me gjuhën e fakteve, me argumente dhe gjithnjë  mbahej sypatrembur, pavarësisht pasojave që ishin derdhur  mbi kurrizin e tij UDB-ja dhe mercenarët gjatë dhe pas viteve të burgut.

Ata që e kanë njohur mirë Hysen Gegën, e në mesin e tyre jam edhe unë, mendoj se të gjithë pajtohen me këto vlerësime, jo sepse ai tashmë ka ndërruar jetë, dhe për të vdekurin duhet të fliten fjalët më të mira, por për faktin se tërë jeta dhe veprimtaria e Hysen Gegës, ishte e njëjtë me atë të veprimtarëve më të njohur të çështjes sonë kombëtare.

Hyseni e kishte të lindur edhe imagjinatën e tij kreative, për t iu dhënë kuptim momenteve të caktuara gjatë bisedave. Ai nga situatat e krijuara nxirrte definicione asociative, që zbulonin kredon e tij krijuese, kredon e një vrojtuesi të veçantë të fenomeneve, me të cilat ballafaqohen njerëzit gjatë jetës, apo në momente të caktuara, por jo të gjithë arrijnë t i shprehin ato.

Në një kujtim të tij nga shumë të tillë kohës së luftës, mbaj mend të ketë rrëfyer edhe këtë fragment.

“Isha në odën e Liman Kadollit,  në fshatin Bukosh në maj të vitit 1999, me familjarët e tij luftëtarë,  në kohën kur po largoheshim nga fshati, meqë forcat serbe kishin filluar granatimet dhe pas pak kohe do ta shkatërronin edhe kullën e madhe, ku kishim kaluar  sa e sa kohë me bashkëluftëtarët. Kur po dilja nga oda mora vetëm çibukun  e tij  të qelibarit, si shenj kujtimi. Vetëm atë arrita ta shpëtoja, e bashkë me të edhe kujtimin për të, ulur këmbëkryq, në vendin e tij në atdheun e tij, në odën e shtëpinë e tij të cilin pas pak do ta bënin shkrumb e hi barbarët serbë dhe ne, nuk e mbronin dot…”   

Gjatë luftës, në nëntor të vitit 1998, kishte ardhur në Krojmir, ku asokohe ishte duke u përgatitur stafi i Radios-Kosova e Lirë,. Kishte dëgjuar se aty ishim tubuar bashkë, disa  ish të burgosur politikë, andaj kishte ardhur edhe për të na parë. Atë natë, në mesin tonë ndodhej edhe Zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, pastaj Sejdi Elezi, Berat Luzha, Sylejman Qeriqi, Elez Durmishi e të tjerë.  Hyseni, fillimisht e qortoi një “komandant” të cilin, në fshatin Javur e kishte pyetur për rrugën deri në Krojmir. Nuk ia dinte emrin sepse ai nuk ia kishte treguar, por nga përshkrimi që i kishte bërë, e kishim kuptuar se për kë ishte fjala.

Në fytyrë e kuptova se po më gënjente, por nuk e dija arsyen. Nuk ishte i pari “komandant” që po më gënjente, andaj ia fala, kishte thënë Hyseni duke qesëndisur edhe disa nga eprorët e UÇK-së, të cilët në raste të caktuara nuk ndodheshin në ballë të frontit, sikur ndodhej ai pa ndërprerë. Ju të Radios, duhet ta ngrehni zërin peshë. Tani po flet pushka, dhe zëri ynë duhet të dalë ashtu si krisma që del nga grykëholla, ishte porosia e tij.

Hyseni ishte idealist mbi idealistët. Ai kurrë në jetën e tij nuk ishte ndalur duke ndihmuar ata, për të cilët konsideronte se duhet të ndihmoheshin. Në vitin 2016, kur kishte marrë sasinë e të hollave si zhdëmtim për vitet e kaluara në burg, si të gjithë të burgosurit e tjerë,  Hysen Gegaj, nga ato të holla, edhe pse i kishte më se të nevojshme, kishte ndarë 10 mijë euro për Forcat Mbrojtëse të Kosovës, si shenj ndihme solidare për Ushtrinë e vendit, që kishte qenë aspirata e tij jetësore me besimin e patundur se lufta për liri dhe domosdonë e ndërtimit të Shtetit. Po ashtu kishte ndihmuar edhe Radion-Kosova e Lirë me 2 mijë euro, të cilën e dëgjonte dhe kishte respekt për programin e saj.

Jeta dhe vepra e Hysen Gegës radhitet në mesin e veprimtarëve më të dalluar e më të spikatur, jo vetëm të Kosovës por të mbarë kombit.

 

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

Përditësuar

28. 7. 2023

 

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …