Nga viti në vit, sot u mbushën katër vite, fizikisht pa Ju Baca Adem, shpirtërisht me Ju, të pandashëm deri në amshim.
Disave u keni munguar dhe do t’ iu mungoni gjithmonë, disa të tjerë ndihen të lirë, pasi tashmë nuk ka kush i fshikullon, nuk ka kush ua çjerrë maskat. Ka të tjerë që kritikojnë, që i denoncojnë mujsharët e oligarkët, por për ta nuk merakosen, sepse janë tjetër kalibër.
Disa u kujtuan për Ju edhe në këtë përvjetor, disave nuk u ra ndërmend të shkruajnë asnjë rresht, disa të tjerë, kanë hallet e dertet, sëmundjet e telashet e jetës, disa janë shumë të zënë me hallet e Qeverisë e të pushtetit, sa mezi po ia dalin me vizita, pritje, vajtje-ardhje, sepse kanë ngarkuar barrë të rëndë mbi supe, kanë bërë premtime të shumta dhe të pa mundshme për t i realizuar, andaj janë në hall, janë në bezdi, në siklet…
Disa nuk kujtohen as për baballarët e nënat e veta e lërë më për ju.
Por veprat Tuaja, mësimet, këshillat, qëndrimi Juaj gjithmonë vertikal, fjalët me peshë, shembulli jetësor në shërbim të kombit e Atdheut, kurrë nuk do të harrohen, sepse ju keni bërë punë, pa pretenduar për të bërë emër, sikur bëjnë shumë të tjerë, sepse sakrifica Juaj u ka shërbyer aq shumë brezave atdhetarë e çlirimtarë dhe u shërben po kështu edhe sot, sepse ende kemi mbetur në rrugë, ende nuk i kemi kryer detyrat karshi kombit e Atdheut.
Nga ju kemi mësuar se jeta është një luftë e pandërprerë dhe po u ndal lufta, vdes edhe jeta. Nga shembulli Juaj kemi mësuar se për hir të lirisë, barazisë e drejtësisë, jeta e individit merr kuptimin vetëm duke u vënë në shërbim të së drejtës e arsyes, në shërbim të njerëzve të lirë, pa dallim kombi, race apo feje.
Nga shembulli Juaj kemi kuptuar më mirë dhe i kemi besuar sakrificave të mëdha individuale e kolektive të shembujve të historisë së qytetërimit njerëzor.
Nga jeta dhe vepra Juaj gjithnjë ka çka të mësohet, sot e mot.
E di Baca Adem se ju për së gjalli nuk i keni dashur lavdet, madje nganjëherë edhe na keni qortuar, duke iu përmbajtur atij kodit të lashtë të filozofisë shqiptare, se trimit edhe tri ditë pa vdekur nuk bën t i këndohet kënga për së gjalli, sepse mjaftojnë edhe ato ditë për ta prishur biografinë e tërë jetës.
Meqë derisa ishit fizikisht në mesin tonë nuk na keni treguar se si do të shkruajmë e si do të vlerësojmë, pasi të jeni ndarë nga ne, tani i japim të drejtë vetës të shkruajmë, të thurim lavde, jo për hir të lavdeve, jo në lavdërim të jetës dhe veprës Tuaj, duke e lavdëruar edhe veten sikur bëjnë disa, por duke mbajtur gjallë kujtimin, jo vetëm për hir të kujtimit, por për hir të gjurmëve që keni lënë në historinë e kombit e më gjerë, për vendin që atje keni zënë me mëritë, për dritën që përhapin idetë Tuaja, për shembullin unik të sakrificës, qëndresës, pathyeshmërisë, dinjitetit, burrërisë, besës, trimërisë, kthjelltësisë shpirtërore, sinqeritetit, krijimtarisë, drejtësisë, barazisë, solidarësisë, dashurisë për njeriun, për njerëzimin…
Për Ju, Baca Adem, do të shkruajmë dhe nuk do të ndalemi. Do të shkruajmë vepra, ese, vështrime, romane, drama, novela, rrëfime, do të realizojmë filma dokumentarë e artistikë, sepse vetëm kështu do të qëndrojë, do të rrezatojë, do të mbijetojë kujtimi për ju, për kombin, atdheun, për njeriun e njerëzimin…
Ahmet Qeriqi
Krojmir
- 7. 2022