Jakup Krasniqi: Kushtëzimi i lëvizje së lirë të qytetarëve të Kosovës me ngushtimin e hapësirës territoriale është antidemokratik

Për gati gjysmë shekulli të konfrontimit ndërkombëtar të Botës së Lirë Perëndimore me Bllokun e shteteve totalitare të Lindjes, e drejta e njeriut për të lëvizur lirshëm qëndronte në themelet e vlerave të demokracive perëndimore. Me plotë të drejtë. E dimë se çka ndodhi pas përmbysjeve të regjimeve që kishin përcaktuar strategjinë e izolimit të qytetarëve të vet. Në këtë shkrim nuk do të ndalem në këtë çështje. Ajo që më duket paradoksale ka të bëjë me faktin se flamurtarët e të drejtave dhe lirive të njeriut në demokracitë perëndimore ndryshuan qasjen ndaj lirisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve të shteteve të Lindjes. Për qytetarët e shteteve që kishin qenë të izoluar me vendime të qeverive të veta u imponua regjimi i vizave si formë e re e vazhdimit të izolimit të tyre. Në përputhje me këtë strategji filluan t’u vënë kushte të ndryshme qeverive të shteteve përkatëse për të “liberalizuar regjimin e vizave” dhe për shkaqe të mospërmbushjes së kushteve të caktuara popujt mbetën të izoluar për gati dy dekada. Sidomos për qytetarët e Kosovës që ishin më të përvuajturit e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm që u la e fundit në këtë politikë evropiane por, që është edhe më e keqe se kaq, në kushtet për “liberalizimin e regjimit të vizave” Kosovës iu imponuan kushte që nuk iu imponua asnjë shteti tjetër: Kushtëzimi për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi!

Marrëveshja e lartpërmendur është njëra nga marrëveshjet më të dëmshme që i është bërë Kosovës, sepse përmes saj humben një pjesë e integritetit territorial të Kosovës. Së bashku me Marrëveshjen për ndarjen e sovranitetit të Kosovës përmes Zajednicës kjo marrëveshje qëndron në bazamentin e revoltës së qytetarëve të Kosovës dhe për muaj të tërë ka bllokuar vendin.

Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, zotëri Johannes Hahn e di fare mirë se asnjë shtet tjetër nuk u kushtëzua si Kosova. Madje,  ka edhe shtete, anëtare të BE-së, si shembulli i Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat ende nuk e kanë të përfunduar demarkacionin e vijës kufitare. Megjithatë, këto dy shtet nuk i pengon aspak që të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe në kuadër të BE-së. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me Malin e Zi dhe kam besim se mund të gjendet rruga më e drejtë për përcaktimin e kufijve aty ku kanë qenë para shpërbërjes së Federatës jugosllave.

Problemet që ka krijuar Qeveria e Kosovës përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje është problem që duhet të zgjidhet fillimisht mes nesh, përmes një debati konstruktiv, profesional dhe të gjithanshëm para se të përshpejtohet me ndonjë vendim në Kuvendin e Kosovës. Tek pasi të harmonizohen qëndrimet tona ne duhet t’ia shtrojmë palës malazeze të gjitha vërejtjet që kemi lidhur me këtë marrëveshje. Shpresoj se pala malazeze do të bindet në argumentet tona dhe do ta mbyllim këtë çështje si është më së mirë. Në rast të divergjencave me malazezët, mund të kërkohet arbitrazhi ndërkombëtar.

Në të kundërtën, çdo nxitje për të miratuar marrëveshjen që krijoi aq mosmarrëveshje ndër shqiptarët e Kosovës është nxitje për konfliktet e mëtejshme në skenën politike të Kosovës. Në këtë kontekst mendoj se fjala e Komisionerit Hahn lidhur me demarkacionin e kufirit mund të perceptohet si mbështetje e atyre që krijuan këtë gjendje. Prandaj, është shumë e udhës që revoltës së qytetarëve të Kosovës t’u përgjigjemi me urtësi sepse është rruga e vetme për normalizimin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës. Lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë e qytetarëve të Kosovës dhe ndaj tyre është duke u bërë një e padrejtë e madhe për shkak të vendimeve jodemokratike. Kushtëzimi i zgjerimit të hapësirës për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës me ngushtimin e hapësirës gjeografike të saj është antidemokratike dhe e papranueshme. Nëse dikush është fajtor për mospërmbushjen e obligimeve që kërkohen nga institucionet e Kosovës atëherë gjërat duhet të thuhen troç: FAJIN E KANË QEVERITARËT E JO QYTETARËT! Nëse ndaj dikujt duhet të aplikohet regjimi i vizave atëherë një gjë e tillë le të aplikohet kundër përgjegjësve kryesor të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe strukturave politike ndërsa TË HIQEN VIZAT PËR QYTETARËT E KOSOVËS!

Të përfundojmë: BE-ja përmes Komisionerit Hahn do të duhej të kërkonte nga qeveritarët tanë “sjellje evropiane”. Mendojmë se “sjellje evropiane” janë: dija, përgjegjësia, përkushtimi, transparenca, bashkëpunimi, partneriteti, konsensusi, sundimi i ligjit dhe interesi i kombit dhe i shtetit. Sjellje evropiane është edhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme, kur vihet në pyetje siguria e stabiliteti i brendshëm. Këto sjellje nuk po i shohim të  qeveritarët tanë. Qeveritarët tanë, gjithçka ia nënshtrojnë interesit të tyre personal edhe interesin e kombit e të shtetit! Qytetarëve tanë ka kohë që po ju mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në Kontinentin e tyre historik!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …