Përveç shumë luftëtarëve të përkushtuar të lirisë të epopesë së luftës sonë çlirimtare, në këto radhë shquhej edhe një djalosh i guximshëm i Drenicës. Qysh në ditët e para të nismës së tij rrugës drejt këputjes së prangave të robërisë kishte grushtuar dy policë serbë në tren. I kishte rrahur ata në sy të udhëtarëve derisa treni nuk po shkonte nga Baica e Elshanit në drejtim të Drenasit. Ua kishte rrëmbyer armët nga dora dhe kishte zbritur nga treni. Për trimërinë e tij dhe pezmin e tij kundër shkelësve të atdheut, asokohe kishte dëgjuar edhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Rasim Kiçina lindi më 25 gusht të vitit 1972 në një familje të varfër, por të shquar për trimëri dhe qëndresë kundër pushtuesit.
Gjyshi i tij kishte luftuar me armë në dorë kundër shkelësve të atdheut. Babai i Rasimit, Rrahmani, dhe nëna e tij, Hasibja, me mund të madh u përkujdesën për të ngritur familjen, për t`i shkolluar bijtë dhe bijat, që rriteshin të shëndetshëm dhe me edukatë të shëndoshë kombëtare.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij, në Baicë. Ishte i talentuar, por edhe i zgjuar në mësime. Kishte trup atleti dhe kondicion të fortë fizik.
Në vitin shkollor 1987/1988, Rasimi regjistrohet në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit (ish-Gllogoc). Edhe në shkollën e mesme ishte nxënës i dalluar në mësime, por edhe në aktivitete sportive, sidomos në lojën e futbollit. Meqë ishte i shoqërueshëm dhe solidar me shokët, ai fitoi simpatinë e të gjithëve. Edhe pse mjaft i zhvilluar fizikisht, ishte i kursyer në përdorimin e forcës fizike. Mirëpo një ditë, jo edhe rastësisht, ai e vë në përdorim forcën. Asokohe ishte maturant. Në pranverë të vitit 1992 hip në trenin e mesditës në stacionin e Baicës dhe me disa shokë niset për në shkollë. Dy policë të armatosur fillojnë t`i kontrollojnë dhe t`i maltretojnë udhëtarët shqiptarë, duke ua kërkuar letërnjoftimet dhe duke i poshtëruar. Trupi atletik dhe mospërfillja që Rasimi kishte treguar ndaj tyre, provokoi policët. Pas shkëmbimit të disa fjalëve ters, njëri nga policët i sulet Rasimit, ndërsa tjetri e mbante në shënjestër të automatikut. Rasimi e shtrin për dyshemenë e trenit policin, pa e përfillur ndihmën që mundohet t`i jepte kolegut të tij, polici tjetër. Në një moment kishte grushtuar edhe policin që e kërcënonte me automatik dhe nëpër mesin e udhëtarëve arrin të hidhet nga dera e vagonit të trenit. Policët kishin mbetur të nëmitur e të poshtëruar. Ata shanin e maltretonin udhëtarët e tjerë, për të mësuar emrin dhe mbiemrin e djaloshit, i cili i rrahu ata në prezencë të udhëtarëve.
Prej asaj dite të konfrontimit direkt me policinë okupatore serbe, Rasimi fillon rrugën e pakthyeshme dhe të paluhatshme të rezistencës aktive kundër forcave të pushtuesit.
Regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore në Prishtinë, por, për shkak se ndiqej nga regjimi dhe për shkak të gjendjes së pavolitshme ekonomike, nuk i vazhdoi mësimet. Ai kishte marrë një rrugë tjetër, rrugën përplot rreziqe për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë.
Për aktin e tij trimëror, përveç të tjerëve, kishte dëgjuar edhe komandant Adem Jashari, përmes kushëririt të tij, Musa Jashari. Një natë erdhën në odë, thotë xha Rrahmani. Të dytë, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari u prezentuan si shokë të Rasimit, nga një fshat i rrethit të Klinës. Më vonë kam mësuar se kush kanë qenë.
Në fillim të viteve 90 ka mbajtur kontakte edhe me veprimtarët e LPRK-së, më vonë të LPK-së.
Ishte koha kur projektuesit e lirisë, në krye me Adem legjendarin përforconin radhët duke kërkuar jo vetëm bashkëmendimtarë, por edhe luftëtarë, që ishin të gatshëm për t`i kthyer pushkën armikut kudo ku kërkohej nga Komandanti.
Për herë të parë Rasim Kiçinën e kam takuar në vjeshtë të vitit 1995. Djaloshin trim nga Baica e njoha përmes bashkëluftëtarit tim Muharrem Xhemajli nga Abria, thotë Musa Jashari. Rasimit dhe Muherremit, me atë rast, Musa Jashari iu kishte dhënë tre automatikë, në malet e Terstenikut. Qysh prej asaj kohe Rasim Kiçina i bashkohet grupit luftarak të Musa Jasharit. Në atë grup, përveç Musës dhe Rasimit, bënin pjesë edhe: Muharrem Xhemajli, Jahir Demaku, Valdet Xhemajli, Imer Xhemajli, Daut Xhemajli, Isë Xhemajli, dhe Hamide Xhemajli nga Abria, Sabit Lladrovci dhe Jahir Hajdari nga Dobrosheci, Fatime Bazaj nga Tersteniku, Beqir Rexhepi nga Qirezi, si dhe bashkëluftëtarët Milaim Hajdaraj, Fadil Demaku, Zejnë Demaku e të tjerë.
Gjatë vitit 1996, Rasim Kiçina kishte thelluar kontaktet me radhët e grupeve luftarake. Përveç lidhjeve që mbante me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, ai bashkëvepron me grupin e Musë Jasharit, me Ragip Halilajn nga fshati Tërdec, me Fadil Demakun, Jahir Demakun, Fadil Demakun, Muharrem Xhemajlin nga Abria, Sulejman Selimin, Mujë Krasniqin, Sami Lushtakun, Rexhep Selimin, Hashim Thaçin dhe me shumë shokë të tjerë të besës dhe të idealit çlirimtar. Projektuesit dhe liribërësit e Kosovës kohë pas kohe depërtonin ilegalisht në Shqipëri dhe nga atje merrnin armë e municion për të themeluar pikat e para të rezistencës. Sipas urdhërave të legjendarit Adem Jashari, ata kryenin edhe aksione të armatosura kundër policisë serbe.
Oda e Rrahman Kiçinës në Baicë qe bërë strehë e sigurt, bujare e mikpritëse për të gjithë luftëtarët e lirisë.
Dalja publike e luftëtarëve çlirimtarë në Llaushë të Drenicës më 28 nëntor të vitit 1997 iu dha hov përpjekjeve të luftëtarëve militantë, të cilët prisnin urdhëra për të kryer aksione. UÇK-ja tanimë ishte bërë sfida e vetme kundër alternativës pacifiste të robërisë dhe forca e vetme shpërtimtare nga ku varej besimi i forcave të shëndosha liridashëse.
Rasim Kiçina tanimë shquhej në mesin e luftëtarëve më të përkushtuar.
Me rastin e Rrethimit të Dytë të Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, Rasim Kiçina ndodhej së bashku me Musë Jasharin, i cili ishte i plagosur.
Më 28 shkurt, së bashku me Musë Jasharin, Sabit Lladrovcin, Sabit Gecin, Jahir Hajdarin e të tjerë, merr pjesë në betejën që u zhvillua në vendin e quajtur Lisi Gjashtënjak, në Likoshan. Sulmi i furishëm i luftëtarëve të UÇK-së kishte paralizuar “Nivën” e policisë. Rasimi godet pandërprerë me mitralozin e tij, ndërsa Musë Jashari godet me mortajë. Gjatë luftimeve plagosen Musë Jashari, Sabit Geci dhe Sabit Lladrovci. Rasimi me disa luftëtarë tërheqin bashkëluftëtarët e plagosur. Forcat policore në shenjë hakmarrjeje i vërsulen popullatës civile në Qirez dhe në Likoshan.
Në pranverë të vitit 1998, Rasim Kiçina me bashkëluftëtarët e tij themelon kazermën lokale ushtarake në Baicë, ku stërviteshin luftëtarët e UÇK-së. Ai po ashtu disa herë shkon në Shqipëri për të marrë armatim dhe municion. Radhëve të UÇK-së në Drenicë iu bashkuan edhe shumë luftëtarë të njohur si: Bekim Berisha, Fehmi Lladroci, Xhevë Krasniqi-Lladroci, Muhedin Morina, Bedri Shala (të gjithë dëshmorë) e të tjerë, të cilët erdhën nga disa shtete perëndimore, për të luftuar kundër forcave policore dhe ushtarake okupatore serbe.
Më 16 prill të vitit 1998, Rasim Kiçina merr pjesë në luftimet afër Klinës. Së bashku me Bedri Gashin dhe Naser Gashin e tërheqin Mujë Krasniqin e plagosur nga vendluftimi dhe e dërgojnë në ambulancën ushtarake në Likoc.
Ishte ndër themeluesit e njësitit Alfa, së bashku me Mujë Krasniqin, Besim Malën, Ferid Berishën e të tjerë.
I përkushtuar dhe i pakompromis në rrugën e tij çlirimtare, tejet i përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht, Rasim Kiçina merr pjesë në dhjetëra aksione luftarake dhe në shumë beteja të njohura të UÇK-së, si në bllokimin e postbllokut serb në Kijevë në qershor-korrik 1998, në Grykën e Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, pastaj në vijën frontale të fshatit Baicë, të cilën e kishte fortifikuar së bashku me trimat e trimëreshat e Baicës, të Tërdecit, Krajkovës, Domanekut etj.
Kudo ku armiku fillonte ofensivën, Rasim Kiçina me njësitin e tij Komando ishte në ballë të luftës për liri, qoftë në Qyqavicë e në Artakoll, në Likoc e Abri, në Arllat e në Berishë, në Junik e në Pashtrik. Hapi i tij i pandalshëm ishte hapërim i Marathonamakut të UÇK-së-lajmëtar lirie. Vetëm gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998 pesë herë kishte udhëhequr pararojën në ballë të qindra luftëtarëve, që depërtonin në Shqipëri vullnetarisht për t`u stërvitur, për të marrë armë dhe municion. Kur kthehej Rasim Kiçina me armatim nga Shqipëria, luftëtarët në frontet e luftës në Drenicë merrnin frymë më lirshëm, thotë një bashkëluftëtar i tij. Fjalia: Po vjen Rasim Kiçina, ngjallte emocione heroizmi ndër luftëtarët e lirisë, sepse Rasimi me bashkëluftëtarë sillte armatim, ndërsa prezenca e tij fizike, shtati atletik, forca mobilizuese, ushtronin ndikim në përforcimin e moralit të luftëtarëve.
Në gjysmën e parë të prillit të vitit 1999, duke qenë se forcat e motorizuara serbe sulmoheshin nga aeroplanët e NATO-s, ushtarët dhe policët serbë kishin bërë përpjekje për t’u futur në malet e Kozmaçit. Fillimisht sulmojnë fshatin Baicë, me ç` rast hasin në rezistencë të fortë të forcave çlirimtare, të cilat i komandonte Rasim Kiçina. Në mbrojtje të pikave luftarake ishin vënë edhe Fatmir Kiçina, kushëri i afërm i Rasimit, i cili ishte plagosur, pastaj Gazmend Elshani dhe shumë luftëtarë të tjerë. Me snajperin e tij, të cilin gjithmonë e kishte pranë, sa herë merrte në shenjë palonte në tokë kriminelët serbë.
Në kohën e emërimit të Sylejman Selimit komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rasim Kiçina ishte në mesin e rrethit më të ngushtë të eprorëve të Komandantit dhe të Shtabit të Përgjithshëm, që asokohe ndodhej në Divjakë, në Rrafshnaltën e Drenicës, ku ishte selia e SHP të UÇK-së. Për shkak të luftimeve që ishin intensifikuar në të gjita zonat, rrugëtimi i tij nga një zonë e luftës në zonën tjetër nuk ndalonte.
Në maj të vitit 1999, Rasim Kiçina së bashku me Ragip Halilajn, Jahir Demakun e Ymer Xhemajlin ishin së bashku me Sami Lushtakun, komandant i Zonës Operative të Drenicës, i cili po kthehej nga Shtabi i Përgjithshëm pas kunsultimeve që kishte pasur me shefin e këtij shtabi, gjeneralin Agim Çeku.
Në kohën kur ishin nisur në drejtim të Prekazit Rasim Kiçina, Ragip Halilaj e të tjerë, në fshatin Dashec të Drenicës takojnë dhjetëra civilë të plagosur, të cilëve iu ndihmojnë për të depërtuar deri në Llaushë.
Më 30 maj të vitit 1999, Rasim Kiçina, Ragip Halilaj, Jahir Demaku, Ymer Xhemajlaj, Arben Xhemajlaj e Sokol Krasniqi, nisen në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm, në Rrafshnaltë, me qëllim për t`u konsultuar lidhur me popullatën civile të Drenicës qendrore, e cila kishte mbetur e ngujuar dhe në rrethana tejet të vështira ekzistenciale, pa ushqim, pa barna dhe pa kushte minimale akzistenciale. Gjatë rrugëtimit, rreth orës 21.30 minuta Rasimi me bashkëluftëtarë bien në pritë të forcave armike në dalje të Negrocit, në rrugë drejt Arllatit. Serbët kishin identifikuar vendin nga ku shtegtonin Rasim Kiçina, Ragip Halilaj e të tjerë dhe në moment fillojnë luftimet. Në altarin e atdheut bien duke luftuar trimërisht Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, ndërsa merr plagë të rënda luftëtari Arben Xhemajlaj.
Trupat e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre i varrosin në Arllat të Drenasit.
Lufta dhe rezistenca heroike e Rasim Kiçinës kanë ngelur në kujtesë të pashlyeshme të bashkëluftëtarëve, me të cilët luftoi deri në rënien heroike.
Rasimi ka lënë prindërit: babë Rrahmanin dhe nënë Hasiben, e gjinisë Sylaj nga fshati Kizharekë. Ka lënë vëllezërit Destanin, Shkëlzenin e Fejziun, si dhe motrat Fetien, Mevliden, Shyhreten dhe Serveten.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme i ka dhënë “Mirënjohje”. Po kështu, Mirënjohje i ka dhënë edhe SHP i UÇK-së, si dhe Kuvendi Komunal i Drenasit. Në nderim dhe përkujtim të dëshmorit, me emrin e tij është emërtuar një rrugë në Drenas. Pllakë përkujtimore i është ngritur në vendrënien e tij në Arllat, së bashku me pllakën e dëshmorit Ragip Halilaj.
Për jetën dhe veprën e Rasim Kiçinës është realizuar një film dokumentar. (A. Q.)