Në Klinë të enjten është përuruar një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme në infrastrukturën sportive, ai i Palestrës Sportive, e cila me propozimin e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe miratimin e Kuvendit të Komunës do ta mbajë emrin e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari. Qeverisja lokale në udhëheqje të kryetarit Sokol Bashota, ka krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin dhe avancimin e sportit në këtë komunë dhe një vend ku të rinjtë mund të kryejnë aktivitetet e tyre sportive. Palestra e Sportit “ Adem Jashari”, është ndërtuar në bashkëfinancim të Komunës së Klinës dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo hallë sportive është ndërtuar sipas standardeve evropiane dhe i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e ndeshjeve në salla të mbyllura në nivel ndërkombëtar dhe e cila ka kushtuar hiq më pak se 2 milion euro.
Në ceremoninë e përurimit të Palestrës, kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, Ministri i Kulturës, Kujtim Shala dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi. Të pranishmit kanë parë nga afër ambientet e brendshme të Palestrës me gjithë mjetet e nevojshme dhe janë ndarë të kënaqur me punën që është bërë.
Kjo qendër do t’i grumbullojë të gjithë të rinjtë, jo vetëm të Komunës së Klinës, por edhe komunave tjera të Kosovës dhe dua që të falënderoj Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Kulturës, për angazhimin e bërë që kjo palestër të jetë në shërbim të gjithë sportistëve klinas. Jemi të përkushtuar që sa më shumë të zhvillojmë sportin e Klinës dhe me këtë kemi krijuar edhe kushte shumë të mira. Kjo është ndër palestrat më të mira në Republikën e Kosovës “, tha kryetari i Klinës z. Sokol Bashota, i cili uroi të gjithë sportistët për këtë hallë sportive.
Ndërsa, Ministri i Kulturës Kujtim Shala, u shpreh se është një projekt i rëndësishëm disa vjeçar dhe nga tani kjo palestër është pronë e Komunës së Klinës dhe qytetarëve të saj.
Në këtë palestër sportive do të mund të zhvillohen ndeshje në futboll, volejboll, basketboll e sporte tjera.