Fan S. Noli: Dy fjalë për ballistët

Bedri Zyberaj: Me rastin 140 vjetorit të lindjes së Fan Nolit dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënive mes ShBA-së dhe Shqipërisë

Me rastin 140 vjetorit të lindjes së Fan Nolit dhe 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënive mes ShBA-së dhe Shqipërisë, më 3.2.2022, në Tiranë në organizimin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, u mbajt Konferenca me temën ,,Fan Noli poliedrik”
Në këtë Konferencë mora pjesë me temën në ,,Fan Noli vizionar i kombit”🇦🇱🇺🇸
Fan Noli vizionar i kombit
Figura poliedrike e Theofan Stylian Nolit, për shumë shqiptarë, është ndër më të dashurat dhe më të çmuarat dhe gjithsesi është ndër më interesantet.
Mund të thuhet kështu, sepse pavarësisht faktit që disa zëra shprehin dyshime deri në kontestim të vlerave të poezisë së tij e sidomos të bindjeve dhe aktivitetit të tij politik, emri dhe figura e tij na imponohet që të merremi me të edhe 140 vjet pas lindjes dhe 57 vjet pas vdekjes së tij. Ky është treguesi më i mirë që ai është njëri nga emrat e shquar, me shumë veçanti, i historisë së letërsisë, gjuhës, kulturës dhe historisë së shqiptarëve në përgjithësi, e pse jo dhe politikës e poezisë shqipe në veçanti.
Kjo fal kontributit të tij të çmueshëm në shumë sfera të jetës së shqiptarëve për kohën e vet, duke filluar prej aktit të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare, pa rolin e të cilit, vështirë ta besojmë se do të jetësohej kjo ëndërr e pjesës së kombit tonë që i përkiste besimit ortodoks, e deri te krijimet poetike e shkrimet tjera nga fusha e historisë, muzikës, përkthimeve etj..
Në këtë rast, do të ndalem vetëm në sferën e krijimtarisë së tij poetike, më saktësisht vetëm në një poezi që është shkruar këtu e njëqind e ca vjet më parë, përtej Atlantikut, dhe që reflekton një largpamësi të qartë dhe orientim të duhur strategjik për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Pika referuese, fillestare e këtij orientimi është viti 1917, kur Noli kishte botuar poezinë ,,Jepni për nënën”, por, fillimisht më lejoni t’i bëjë një vështrim të shkurtër dhe të shpejtë formësimit gjenetik të krijimtarisë së këtij poeti.
Një vështrim i shkurtër gjenetik për poezinë e Nolit
Krijimtaria e Nolit ka nisur të dalë në dritë, në dekadat e para të shekullit të kaluar, në Amerikë. Gazetat shqipe, fillimisht të përjavshme e më vonë të përditshme, të udhëhequra nga veprimtarë dhe patriotë shqiptarë, posaçërisht Kombi dhe Dielli (kjo e fundit e drejtuar nga vetë ai për disa vjet), ruajnë variantet e para të poezive të Nolit. Në Shqipëri (në Tiranë) një pjesë e krijimtarisë së tij u botua në vitin 1941 nga Andon Frashëri, të cilin Noli e kishte bashkëpunëtor në Federatën Vatra. Andon Frashëri, në antologjinë Shkrimtarët shqiptarë, botoi disa tekste të tij. Dy vjet më vonë, një punë më serioze se Frashëri, e bëri Mitrush Kuteli, i cili, nga gazetat që i kishin rënë në duar e në të cilat kishte botuar Noli poezi, përzgjodhi disa sosh dhe i botoi në librin Mall e brengë.
Poezitë e Nolit, që u botuan në këtë libër, siç e thotë vetë Kuteli, në parathënien e librit ishin të mbledhura nga fletore dhe të përkohëshme të ndryshme ose nga dorëshkrimet e miqve dhe adhuronjësve të Poetit.
Pas pesë vjetësh të botimit në Tiranë, Mall e brengë, herën e dytë, botohet në Boston, në Massachusetts, nga Federata Vatra, kryetar i së cilës, në fillimet e para të saj, ishte Noli. Do të thotë, përmbledhja e poezive, tani, botohet nën përkujdesjen e autorit. Në botimin e dytë, i ndërrohet titulli. Nga Mall e brengë dhe i vihet Album, për të vazhduar pastaj, më 1966, me botimin e Qerim Panaritit Albumi II.
Albumi II është vepër tjetër e Nolit e ndarë në dy pjesë. Në të parën janë shqipërimet e Nolit të poezive nga anglishtja, frëngjishtja dhe greqishtja dhe dy poezi të tij të shkruara me pseudonimin Namik Namazi, ndërsa në të dytën, ka dhënë biografinë kronologjike të Nolit. Panariti, librin e pajis edhe me një parathënie, në të cilën sqaron rreth botimit të librit dhe rreth takimit të fundit me Nolin. Titullin e kësaj përmbledhje e bëri ashtu sikurse e kishte lënë Noli Album. I mjaftoi Panaritit ta dallojë të dytin nga i pari me numrin romak II dhe, për faqen titullare, ta ndjekë modelin e Federatës Vatra, po ashtu edhe për përkushtim. Ja se çfarë përmban faqja titullare:
ALBUMI II
I HIRESISE TIJ
PESHKOP FAN S. NOLI
DHE BIOGRAFI KRONOLLOGJIKE
PREJ QERIM M. PANARITIT
BOSTON, MASSACHUSETTS
1966
Në faqen tjetër është ky përkushtim: KJO VEPRE E FUNDIT E F. S. NOLIT U DEDIKOHET BASHKELUFTETAREVE TE TIJ TE KOHES HEROIKE TE KISHES ORTHODOKSE SHQIPTARE AUTOQEFALE DHE TE VATRES ME RESPEKT DHE ADMIRIM.
Në parathënin e këtij botimi, Panariti nuk bën ndonjë analizë për poezinë e Nolit. Atij i mjafton të japë informacione për takimin e fundit që kishte me Nolin, se kur dhe ku ia ka nisur t’i mbledhë poezitë e Nolit, kush i ka dhënë ndihmë financiare për botimin e përmbledhjes së dytë (Albumi II) dhe sa pseudonime kishte Noli kur shkruante: Gjatë jetës së tij letrare Noli ka pas përdorur të paktën nja pesë pseudonime. Pseudonimin e parë, Theofan Mavromati, më duket e përdori kur përktheu Greqisht librin e Sami Frashërit: SHQIPËRIA Ç’KA QENË ÇËSHTË DHE ÇDO TË BËHET. Këtë vepër Noli e përktheu në Egjypt dhe u-botua me shpenzimet e Thanas Tashkos dhe Jani Vruhos. Pseudonimet e tjerë që ka përdorur Noli nga koha në kohë janë: Ali Baba Qyteza, Rushit Bilbil Gramshi, Bajram Domosdova dhe Namik Namazi që figuron në vjershat që botohen në këtë vëllim. Dhe, për fund, duke ndier krenari, jep këtë informacion: Në konklluzje vlen të shtohet që Noli është i vetëmi Shqipëtar n’Amerikë që figuron në Webster’s Biographical Dictionary. Kujtojmë se fjalori i Websterit është fjalor i gjuhës angleze që është botuar për herë të parë në vitin 1828, kurse botimin e dytë e ka pasur në vitin 1841.
Po kur kishte zënë të afirmohej si poet Noli?
Poezia e parë që i dha emër Nolit si poet i pëlqyeshëm ishte poezia politike, me ngarkesë satirike, Thomsoni dhe kuçedra, botuar në Dielli më 28 korrik 1914, shkruar po në korrik të këtij viti, e cila, nga disa kritikë u quajt elegji, nga disa të tjerë ditiramb, nga ndonjë tjetër epitaf. Ç’është e vërteta, Noli as në këtë poezi lirike dhe as në ato që vetë i cilëson elegjiake, pra në atë për Luigj Gurakuqin dhe në tjetrën për Bajram Currin, nuk vajton për asnjërin. Më shumë shpreh mallëngjim, lavdërim, karakteristika të tipareve të tyre njerëzore sesa dhembje për mungesën e tyre.
Ndërkaq poezia e cila hap të gjitha botimet e poezive të Nolit është Hymni i Flamurit që është shkruar me qëllim për t’u bërë himn për flamurin kombëtar shqiptar. Për herë të parë është botuar në Liria Kombëtare më 28 nëntor 1925 por, sipas poshtëshënimit në të, është shkruar më 14 nëntor po të 1925-s. Hymni i flamurit është e mbushur me plot figura të fjalëve dhe me plot tingëllima, të cilat realizohen me ndihmën e elipsës, pa lidhëzat krahasuese. Rima e kësaj poezie është AAAB.
Kjo poezi dhe të tjerat si këto që kanë tematikën e atdhedashurisë, për nga atdhedashuria e poetit për vendin, janë aty karshi poezive atdhetare të Naim Frashërit, Ndre Mjedës, Pashko Vashës, Gjergj Fishtës, Çajupit etj.
Aspekte të poezisë së Nolit
Kur lexon poezinë e Nolit, që në leximin e parë, të bie në sy fakti se poezitë e tij janë me qëllim në vete, me ton të rreptë dhe të mbrehtë të ironisë e të satirës, të angazhimit, të thirrjes për revolucion (ndryshim). Ato, janë poezi të rastit, të lidhura me jetëshkrimin e tij, me ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar gjatë kohës sa kishte jetuar dhe vepruar Noli, të ngarkuara me mision politik dhe patriotik, me retorikë politike, sociale, filozofike dhe kishtare.
Po të krahasohet kjo poezi me ato të disa poetëve të tjerë shqiptarë, shohim se arti i angazhimit të Nolit është i tjetërllojtë. Poezia e tij nuk ka kund servilizëm, as atëherë kur u bëhet thirrje qytetarëve për kryengritje. Ata nuk merren me të mirë nga Noli dhe as nuk përdoren për t’i shërbyer këtij personalisht. Shkruan për ta dhe gjendjen e tyre dhe ua bën me dije të keqen e tashme dhe të ardhshme. Pra, poezitë e Nolit janë edhe sociale, për arsye se aty është poeti përballë të tjerëve (bashkëkombësve), të cilëve, meqë nuk kanë ide dhe guxim të veprojnë, ky poetikisht, duke e mbushur diskursin poetik me filozofi, fe, psikologji, etikë e estetikë, ua harton një plan të veprimit për përmbysje të qeverisë.
Rrethanat historike të pafavorshme në kurriz të Nolit janë ato që e kanë bërë poet dhe që vazhdimisht i kanë motivuar studiuesit që poezitë e tij t’i vështrojnë fillimisht në kontekstin historik, në ngjarjet para, gjatë dhe pas qershorit të vitit 1924 që, vështruar në aspektin politik, social dhe ekonomik, është viti më i keq i jetës dhe i jetesës së tij. Megjithatë, Çabej përpiqet ta thotë një mendim tjetër që s’e thoshte as Noli për veten: Nuk është i rastit, por një poet ku përpjekjet për liri sociale e politike dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore.
Nolit dhe poezisë së tij nuk i duhet mbrojtja e askujt. Rrjedhimisht as unë nuk kam për qëllim ta bëj këtë gjë, në këtë rast, por dua vetëm të vë në pah se vepra e tij, është e tillë që mund të analizohet në qasje të ndryshme, por më e natyrshmja është ajo pozitiviste
E përbashkëta e të gjitha krijimeve të tij poetike, prej të parës Fryn moj erë… e deri te ato të fundit të cilat i ka zbuluar Vehbi Bala më 1974 është një lloj zjarrmie e brendshme e përjetuar si ndjenjë dhe që artikulohet e manifestohet si shprehje poetike. Ky përjetim e kjo shprehje manifestohet herë si rrebesh e herë si një rrjedhje e qetë e një lumi të fryrë fushor.
Por, le të ndalemi te poezia që kam përzgjedhur për ta dëshmuar largpamësinë e Nolit për atë se ku gjendet shpëtimi i Shqipërisë, për kohën kur është shkruar, por dhe i shqiptarëve, gati një shekull më vonë, çështje kjo e cila, brenda vetes, përmban një koherencë kohore përgjatë më shumë se një shekull. Është kjo poezia Jepni për nënën.
Apeli atdhetar, Jepni për nënën
Poezia Jepni për nënën është produkt i frymëzimit nga ngjarjet e vitit 1917 kur dhe, sipas dëshmive, është shkruar. Ishte ky vit kur pothuajse e gjitha bota ishte në vitin e katërt të Luftës së Parë Botërore dhe kur të gjitha kombet po përgatiteshin t’i ulnin armët. Në këtë kohë, Shqipëria, duke qenë e varur nga të hyrat e mërgimtarëve, të cilët i kishte të shpërndarë nëpër gjithë botën (ndihmat tjera nuk i vinin më si më parë shkaku i luftës së gjatë, të madhe dhe të ashpër), po përjetonte ditët më të rënda të shtetndërtimit.
Duke e parë këtë domosdoshmëri jetike (ndihmat e mërgimtarëve) për ekzistencën e Shqipërisë, pak para 3 qershorit, kur do të fillonte zyrtarisht fushata e Federatës Vatra Për shpëtimin e Shqipërisë, Noli shkroi poezinë Jepni për nënën, të cilën për herë të parë e botoi në kalendarin e Vatrës, në Boston, më 1918, në faqe 66. Në këtë poezi, që në fillim të bie në sy fytyra e zbehtë e Shqipërisë dhe vrapi i shqiptarëve për t’i dhënë ndihmë materiale kush më i pari pasi që ishte dëmtuar nga ushtritë e ndryshme që kishin zënë vend atëkohë në krahinat e Shqipërisë. E njëjta poezi, pak muaj më vonë, për shkak të jehonës, u kompozua nga Thoma Nasi dhe, më 3 qershor, në shumë qytete dhe sheshe të Amerikës e vende të tjera ku kishte koloni shqiptare, u këndua dhe u bë motivi kryesor për bashkim të shqiptarëve, për t’u mbledhur ata 40 000 dollarë që kërkonte Noli për t’i dalë ndihmë Shqipërisë, të cilën, për shkak të dashurisë, ndjeshmërisë dhe lidhjes emocionale me atdheun, e quan nënë.
Më shumë se 70 vjet më vonë, e njëjta poezi, Jepni për nënën do të realizohet si këngë në frymën e melosit popullor edhe në Kosovë. Fillimisht kjo do të këndohet nga këngëtarja e muzikës popullore shqipe, Shkurte Fejza, për t’u përvetësuar pastaj nga të gjitha moshat e popullsisë së Kosovës.
Më 3 qershor të vitit 1917, në kohën sa Noli ishte kontrollor në Komisionin e Federatës Vatra, kur nisi organizimin dhe aksionin Dita e Shpëtimit të Shqipërisë, thirrjes i bashkëngjiti edhe këtë tekst: Asnjë i huaj s’mund të na i japë lirinë dhe indipedencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tona, me djersën tonë, me gjakun tonë. Ndihmoni pa u kursyer që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe ta trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë dhenë e lavdëruar të Skënderbeut… Cili shqiptar i mirë… nuk e do çlirimin, zgjerimin dhe sigurimin e Shqipërisë? E vetmja pyetje që do të bëjnë atdhetarët e mirë dhe fisnikë të Amerikës është kur dhe sa? Kur? Më 3 qershor, Ditën e shpëtimit të Shqipërisë. Sa? Sa të mundni më tepër. Qesen të tërë, me shpirtin bashkë. Shqipëria ka shpresë te ne: Kam djemtë në Amerikë. Ata do të më shpëtojnë… dhe dha fjalën se, po qe se nuk do të arrinte t’i mblidhte 40 000 dollarë, do të jepte dorëheqje nga kandidatura e dytë për kryetar të Federatës Vatra.
Ky është konteksti politik dhe shoqëror në të cilin u lind poezia Jepni për nënën.
Kjo që shpreh ky titull Jepni për nënën, sado që mund të duket, s’është lutje e zakonshme por, siç e quan prof.. Nasho Jorgaqi, është një apel atdhetar në vargje. Brendia e poezisë është me përplot figura të mendimit e të bukurtingëllimit, që shoqërojnë pyetjet retorike, të cilat paraqesin gjendjen e saktë ekonomike të Shqipërisë.
Apeli për ta ndihmuar nënën, por sidomos inkurajimi i nënës që të mbahej e mos të dorëzohej që buron nga vargjet Mbahu nëno, mos ke frikë/Se ke djemtë në Amerikë!, do të vazhdojë të frymojë edhe gjatë kohë.
Studiues të ndryshëm i kanë vënë në pah idetë dhe tematikën e kësaj poezie duke theksuar sidomos ndjenjën e fortë të atdhedashurisë së autorit.
Unë dua të ndalem te një aspekt tjetër dhe të vetmin për këtë rast.
Thirrja ,,Mbahu nëno mos ke frikë/Se ke djemtë në Amerikë” jo vetëm që është në vazhdën e asaj që, dekada më parë, N. Frashëri, kishte shprehur në formë të aspirimit për orientimin e duhur të shqiptarëve dhe prosperitetin e tyre duke kërkuar diellin andej nga perëndon, por shkon edhe përtej saj. Në poezinë e Nolit ,,Jepni për nënën”, fillimisht artikulohet një thirrje për të gjithë bashkatdhetarët që të jepnin ndihma për nënën – Shqipërinë, në këtë rast. Fill pas kësaj thirrjeje pason tjetra drejtuar nënës që të mos epej përballë vështirësive të momentit sepse i kishte djemtë në Amerikë – në perëndimin e largët përtejoqeanik. Nuk shkoi shumë kohë dhe u provua në realitet ajo që në formë profetike e kishte shprehur Noli me vargjet ,,Mbahu nëno, mos ke frikë/Se ke djemtë në Amerikë”
Togfjalëshi djemtë në Amerikë, duhet marr si shprehje figurative metonimike. Në këtë rast lidhja mes pjesës (djemtë) dhe tërësisë (Amerikë) është e pandashme si mishi me thoin. Atë që bënë djemtë me ata 40 mijë dollarë më 1917, dy vjet më vonë, do ta bëjë Amerika, respektivisht presidenti i saj Vudrov Vilsoni, në një formë tjetër edhe më të vlershme dhe më përmbajtjesore në Konferencën e Paqes në Paris. Për fat të nënës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, binomi djemtë-Amerikë, do të jenë edhe më të përkushtuar dhe më aktiv pothuaj 100 vjet më vonë në rastin e Kosovës dhe luftës së UÇK-së.
Le ta shikojmë se si!
Atëbotë, Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar, por jo dhe rreziqet e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Ky rrezik doli sheshazi në Konferencën e Paqes në Paris, ku për fat tonin të mirë merrte pjesë dhe presidenti i SHBA-së, Vudrov Vilsoni (Woodrow Wilson, 1856 – 1924), të cilit nuk i kishin munguar kontaktet e mëhershme me disa nga ,,djemtë në Amerikë”, ndër ta dhe me Fan Nolin, Kostë Çekrezin dhe Kristo Dakon. Si rezultat i këtyre takimeve do të jetë kundërshtimi i z. Vilson për copëtimin e mëtejshëm (pas atyre copëtimeve të Kongresit të Berlinit-1878 dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër-1913) të Shqipërisë, fakt ky që e bënë atë mbrojtësin më të madh dhe më të vendosur të shtetit shqiptar në atë kohë. Kjo ishte ndihma e dytë për nga radha pas asaj ndihmës së parë ekonomike që dhanë bijtë për Nënën (Shqipërinë), më 1917, por, tani dhe nga Amerika, e sendërtuar në një formë tjetër dhe përmes dikujt tjetër.
Por a mbaron e tëra këtu?
Jo!
Pothuajse e njëjta histori do të përsëritet, rreth një shekull më vonë, duke u shpalosur në formën më të vendosur gjatë luftës së UÇK-së, për çlirimin e gjysmës tjetër të asaj Shqipërisë së vej dhe të gjorë të dekadës së dytë të shek., XX, me ç’rast, jo vetëm djemtë e kësaj nëne që kishte në Amerikë me para dhe vullnetarë të luftës (të kujtojmë këtu Batalioni Atlantiku), por edhe vetë ky shtet (Amerika) do të luaj rolin kryesor për çlirimin e gjysmës tjetër të Shqipërisë – Kosovës.
Po ndodhte kështu, sepse tani, në dekadën e fundit të këtij shekulli, shqiptarët e Kosovës, pavarësisht se u ishin marr edhe ato pak të drejta që i kishin gëzuar deri më rënien e Murit të Berlinit dhe dhunshëm u ishte imponuar një okupim klasik, ishte pikërisht Amerika ajo që kishte filluar t’u hapte dyert për të dëgjuar brengat e tyre.
Delegacione të ndryshme intelektualësh, përgjatë dekadës së fundit të shek.. XX, pranoheshin në Kongresin dhe Senatin Amerikan për të dëshmuar për gjendjen e rëndë ku ishte katandisur Kosova dhe anasjelltas, senatorë e kongresmenë, të këtij vendi, vizitonin Kosovën për të parë nga afër shtypjen e shqiptarëve nga Serbia.
Reagimet ishin përmbajtjesore, por nuk kishin vesh kush t’i dëgjonin ata që duhej t’i dëgjonin.
Si rezultat, në Kosovë, më 1997, saktësisht më 28 nëntor të këtij viti, kur doli në skenë UÇK, filloi lufta çlirimtare. Djemtë e nënës që përtej Atlantikut, pa hezitim iu përgjigjën thirrjes së atdheut.
Për më tepër, përsëri ishte vetë Shteti i Amerikës që do të bëhet prijatar i botës demokratike për të mbështetur luftën e drejtë të popullit të Kosovës për barazi dhe çlirim. Fillimisht në rrugë të tërthorta, pastaj përmes takimit të hapur të ambasadorit Hollbruku me përfaqësues të UÇK-së në Junik më 1998, ishin veprimet më serioze dhe vendimtare që para botës legjitimuan luftën e drejtë të UÇK-së, për të vazhduar më vonë me nismën për mbajtjen e Konferencës së Rambujesë dhe sidomos të sulmeve të forcave të NATO-së, mbi caqet ushtarake dhe policore serbe gjithandej ish-Jugosllavisë së mbetur, veprime të cilat pa rolin prijës të SHBA-së as që mund të paramendoheshin.
Atë që Noli, para rreth një shekulli, e kishte artikuluar si garantë, për nënën, pas kaq vitesh po provohej praktikisht edhe pas kaq kohësh, por tani më vendosmëri shumë herë më të madhe. Pothuaj secili prej nesh që jemi këtu, jemi dëshmitarë të kësaj të vërtete.
Ky fakt, për mua paraqet një të veçantë tjetër të figurës poliedrike të Theofan Stylian Nolit, e që është dëshmia më e mirë e largpamësisë së tij për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për fat tonin të mirë, kjo po vazhdon ende dhe besoj që, edhe në të ardhmen, koha do ta dëshmojë si më të duhurin dhe më të dobishmin.
Duke iu referuar kësaj të vërtete që e kemi jetuar dhe po e jetojmë secili prej nesh, mund ta përfundoj këtë temë me vlerësimin se Noli, me poezinë Jepni për nënën është profeti i ruajtjes së ekzistencës sonë dhe Marathonomak i ndryshimeve të pritura për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për 10, 20 apo 30 vjet, por për më shumë se një shekull.
Përfundim
Nga sa u tha më lart, rrjedh se largpamësia e Nolit është një e veçantë tjetër e figurës së tij poliedrike, ngase përmes saj ai ka konturuar linjat e orientimit të duhur për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për fat tonin të mirë, kjo po vazhdon ende dhe besoj që, edhe në të ardhmen, koha do ta dëshmojë si më të duhurin dhe më të dobishmin.
Duke iu referuar kësaj të vërtete që e kemi jetuar dhe po e jetojmë secili prej nesh, mund ta përfundoj këtë temë me vlerësimin se Noli, me poezinë Jepni për nënën është profeti i ruajtjes së ekzistencës sonë dhe Marathonomaku i ndryshimeve të pritura për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për 10, 20 apo 30 vjet, por për më shumë se një shekull.
Prishtinë
Janar-shkurt 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …