Ali Daut Ivaja ka lindur më 1 gusht të vitit 1968, në fshatin Cërnillë të Ferizajt. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, ndërsa shkollën tetëvjeçare e kreu në fshatin Babush. Shkollën e Mesme Teknike e kreu me sukses, në Ferizaj.
Në vitin 1983, inspektorët e UDB-së, afër shtëpisë së Daut Ivajes, kishin zbuluar një afishe ku shkruante, “Kosova Republikë”. Ata kishin bastisur edhe shtëpinë e tij. Aliu asokohe 15-vjeçar, atë ditë ndodhej në shkollë. I dyshuar se ai ishte autori i afishes, “Kosova republikë” ishte arrestuar dhe ishte dënuar tre muaj burg për të mitur. Dënimin e ka kryer në Burgun e Smrekovnicës.
Me qëllim për të vazhduar edhe shkollimin e lartë regjistrohet në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt, por ndërkohë merr ftesë për ta kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarake në Armatën e Jugosllavisë. Duke qenë se ishte i dënuar për veprimtari kundër shtetit, gjatë shërbimit ushtarak vazhdimisht kishte qenë i sfiduar dhe nën përcjellje të inspektorëve specialë të APJ-së, të cilët në atë kohë kishin intensifikuar fushatën e arrestimit dhe ndëshkimit të ushtarëve, por edhe disa eprorëve shqiptarë që shërbenin në Armatën jugosllave, të cilët akuzoheshin si përkrahës të kërkesave për krijimin e Republikës së Kosovës.
Asokohe ka vepruar në ilegalitet me Ibrahim Graincën, Imer Graincën e të tjerë.
Pasi kryerjes së shërbimit ushtarak, me qëllim për të punuar dhe për ta ndihmuar familjen Aliu shkon në Greqi, mirëpo pas një kohe vendoset, në Gjermani, kur edhe ka punuar disa vite rresht deri në fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 15 mars të vitit 1998, së bashku me Rasim Hotin, Bujar Asllanin, Veli Hotin e të tjerë hyn në Kosovë dhe iu bashkohet radhëve pa fund të luftëtarëve të lirisë, të cilët nga Gjermania, Austria, Zvicra e shtete të tjera të Evropës po ktheheshin në Atdhe i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi ishte pranuar në Zonën Operative të Pashtrikut, eprorët e UÇK-së e kishin sistemuar në njësitin Malësisë së Vogël, në Rahavec, ku kishte kontaktuar me luftëtarin dhe atdhetarin, Smajl Latifi dhe ku radhët e UÇK-së i kishin konsoliduar dy komandantët e njohur të kësaj ane, Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi.
Në malësinë e re ishte në mesin e bashkëluftëtarëve: Ibish Mazreku, Ismail Zejna, e të tjerë.
Ka marrë pjesë edhe në Betejën e Rahavecit më 18 korrik 1998 dhe ishte dalluar sidomos për ndihmën që ai me shokët e tij luftëtarë i kishin afruar popullatës civile, e cila ishte sulmuar nga të gjitha anët nga forcat policore e ushtarake serbe.
Ka marrë pjesë në luftime në mbrojtje të Malishevës në verë të vitit 1998 në njësitet e UÇK-së. Po ashtu është dalluar në luftime edhe në fshatin Bardh i Madh në qershor të vitit 1998,ku kishin rënë dëshmorët: Xhemajl Mehmeti, Mentor Dërvishaj, Ismet Uka dhe ishin plagosur disa luftëtarë të tjerë.
Ali Ivaja ishte kudo ku e kërkonte lufta për çlirimin e Kosovës. Kishte luftuar në zonën e Pashtrikut, të Drenicës dhe më në fund edhe në Zonën e Dukagjinit. Me rastin e zgjerimit të luftës në Zonën e Neredimes ku përfshihej edhe vendlindja e tij, ai nuk e kishte parë të arsyeshme të shkonte atje, i vetëdijshëm se lufta ishte e përgjithshme dhe nuk kishte me rëndësi kush ku luftonte, por kush dhe për çka luftonte, kudo në çdo trevë të Kosovës.
Duke qenë se ishte kalitur në frontet e luftës, në rrethanat kur ishte krijuar Froni i Koshares, Ali Ivaja sistemohet në Brigadën 138, “Agim Ramadani” të zonës Operative të Dukagjinit. Ai edhe më herët kishte qëndruar në Zonën e Dukagjinit dhe meqë kishte njohuri në përdorimin e shumë llojeve të armëve, pikërisht për këtë edhe iu kishte bashkuar radhëve të luftës në Koshares, ku furnizimi me armatim dhe lloje të ndryshme të armëve ishte më i mirë, sesa në zonat e tjera.
Asokohe Ali Ivaja ishte afër komandantit, Agim Ramadani dhe eprorëve e luftëtarëve të njohur si: Xhemajl Fetahaj, dëshmor, pastaj Anton Çuni, Haki Berisha, Shkëlzen Shehu, Fitim Maloku, Fatmir Idrizi, Kadrush Asllani e të tjerë. Këta dhe bashkëluftëtarë të tjerët të Ali Ivajes përkujtojnë me pietet luftën dhe heroizmin e tij deri në momentin e rënies dëshmorë, “Te Rrasa e Koshares”, ku ai kishte qëndruar trimërisht e burrërisht.
Gjatë luftimeve te “Rrasa”, më 12 prill të vitit 1999, Ali Ivaja goditet nga predhat e armëve të armikut serb dhe bie në altarin e lirisë. Bashkëluftëtarët e tërheqin trupin e tij dhe fillimisht e varrosin ne varrezat e UÇK-së, në qytetin Bajram Curr. Më 23 gusht të po atij viti, trupi i dëshmorit, Ali Ivaja rivarroset në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Koshare, ku prehet në përjetësi, së bashku me 126 dëshmorë të tjerë të rënë gjatë luftës së UÇK-së.
Familja Ivaja e fshatit Cernillë të Ferizajt ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së përkohshme të Kosovës, nga shoqatat e luftës dhe nga institucionet e tjera. Në vendlindjen e tij është ngritur një përmendore për dëshmorin.
Dëshmori Ali Ivaja ka lënë babanë, Dautin, nënë Hamiden, vëllanë, Halitin dhe motrat: Fatimen, Eminen e Ramizen…