Për të qenë më realistë: hapja e derës së avllisë për të çapitur drejt portës së madhe të pallatit butaforik, hipokrit, sundues e shfrytëzues të Këshillit të Europës, emërtuar “çelja e negociatave”, që politika e pamoralshme realizoi këto ditë , është një lloj maske bashkëkohore, në luftë për të goditur emrin, ekonominë, demografinë dhe jetëgjatësinë e SHQIPËRISË. Maskë për bosët e kapitalit euro-amerikan që t’u shërbejë se ja “po lodhen e copëtohen që Albaninë ta fusin në Europë”, dhe për kryeministrin tonë krenar e autoritar,( paçka se nuk ka grurë për të gatuar bukë, qumësht për fëmijët dhe mishin e nevojshëm për këtë popull që përfaqëson), se është ‘Ai’ që po na kalit durimin-neve që kemi mbetur këtu në këtë truall- për të gjetur forca e “për të pritur hyrjen tonë triumfale në Europë?!”. Në këtë rast, në një nga të folurat e tij lakonike para mikrofonave dhe sidomos të shkruarave nëpër Twitter e ku di unë, kryetari ynë, Edi Rama, pa dinjitet por me solemnitet, deklaroi para ca ditësh:
“Asnjë vend në Evropë nuk ka ndryshuar më shumë në 30 vitet e fundit, se sa Shqipëria”! Tha një të vërtetë helmuese, ku bashkautorë kryesorë të këtyre ndryshimeve janë vetë krerët qeveritarë të po këtyre tri dekadave dhe partitë e tyre të dekompozuara. Kryetari ynë i qeverisë nuk tregoi asnjë aspekt konkret dhe kuptohet që secili ka këndin e vet të shikimit të këtyre ndryshimeve të vendit tonë demokratike për Europën e amerikanizuar dhe katastrofike për ne. Sepse po na degdisin drejt shpërbërjes dhe shkërmoqjes si popull e komb.
Faktet flasin më mirë se llafet: Dikur, aty nga vitet 1975, kishim fusha të begata të mbjella me grurë, misër, pambuk, panxhar, duhan, perime, agrume, etj. etj. dhe kishim siguruar bukën e gojës- kërkesën minimale historike të mbijetesës, krahas dyfekut, parmendës dhe kërrabës -me forcat tona. Sot marrim mbeturina mielli nga Serbia e Ukraina(me emrin e luftës së saj abuzohet aq shumë nga tregtarët tanë!) dhe 600 gram bukë shitet njëqind lekë!
Turp më të madh nuk ka parë historia jonë moderne!
Jo vetëm kaq, mbasi ajo bukë mund të jetë gjithçka, por aromë gruri nuk ka! Kryetari nuk tha se dikur kishim male me minerale, miliona ton naftë që mbante peshën ekonomike të vendit në këmbë, kurse sot kemi vetëm emrin e minierave dhe vdekje minatorësh mjeranë nëpër galeritë e pronarëve të huaj apo pasanikë vendas fytyrë-fshehur. Sa për naftën, vetë kryetarët tanë, nga i pari i vitit 1990 deri tek ky i tanishmi,” i kanë bërë naftën”, duke e shitur edhe gramin e fundit, duke shkallmuar e djegur tërë uzinat dhe rafineritë e përpunimit të saj.
Në ditët e sotme, mes viti 2022, ne, si Shqipëri që notojmë mbi rezerva naftëmbajtëse, e blejmë atë më çmimin më të lartë në rajon!? Kjo është tradhti e shëmtuar ndaj banorëve shqiptarë të këtij trualli. Ndërkohë që kompanitë e mëdha amerikane, kanadeze, europiane, etj. vjelin, mjelin e vjedhin pasuritë tona aq të mëdha të naftës. Kishim dikur ushtri, kulturë, harmoni, e tani kemi shalë-ekspozime, emisione të mënyrës amerikane të jetesës, ushtarë për fikje zjarri dhe vrasjet pareshtura brenda familjes për “shkaqe banale pronësie apo të dobëta”(?!).
Kishim gjykata, prokurori-pa avokati-, disi të politizuara, por ama i kishim. Tani nuk kemi fare asnjë nga këto sepse ata që punuan atje vodhën dhe gënjyen aq shumë sa u bënë shqetësim edhe për ustallarët amerikanë, ndaj u shpik një lloj ‘vetingu’ dhe ata dolën “çipllak” para komisionit dhe sallës së gjyqit! Tani ne po ecim edhe ca vite, pa dënuar asnjë që shkel ligjin deri sa të mbijë bari i ri i juristëve që nuk do të dinë apo nuk do të duan të vjedhin!
Sa thellë ka shkuar hipokrizia e të shkelurit të popullit me këmbë! Edhe pse para një viti janë shkarkuar gjykatës e prokurorë nga vetingu, disa syresh paguhen akoma nga shteti!? Kishim siguri, unitet , solidaritet dhe dinjitet, kurse sot kemi vdekje e vrasje për ditë, në tokë, në ajër e në det. Kishim lindje më shumë se vdekje, nuk njihej fare emigracioni, inflacioni, droga dhe prostitucioni, kurse tani këto janë ligjëruar, institucionalizuar. Kishim kopshte, shkolla e një Universitet, plot me fëmijë, nxënës, studentë, paçka se ndërtesat ishin paksa të vjetra. Madje shumë nga ata intelektualë që nxorën ato shkolla sot punojnë me profesionalizëm të lartë nëpër institucione të shumë njohura botërore të fushave të ndryshme të shkencës, ku shkuan si emigrantë. Tani, në vitin 2022 kemi ndërtesa të reja” fringo” shkollore me arkitekturë amerikane, kemi 24 universitete, por me pak nxënës e studentë brenda.
Kishim çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore , në çdo fshat, tani jo vetëm këto që nuk i kemi më, por nuk kemi as fshatrat që kishim, sepse rreth tetëqind fshatrave shqiptare u ka mbetur vetëm emri në hartë dhe ndonjë çoban me pak bagëti…Dhe të rinjtë e të rejat tona ikin e ikin çdo ditë të joshur nga kapitali për t’u bërë skllevër të kohëve moderne të shteteve të pasura dhe shfrytëzuese të popujve.
Kanë nisur e vijnë edhe individë ,apo komunitete të kombeve të tjera për të banuar e punuar e jetuar në troje shqiptare. Dhe kryetari ynë, vijon të shkruajë në Twitter e Instagram deklarime që nuk janë as mish as peshk, për ndryshimet që ka bërë Shqipëria duke shkuar drejt Europës! Ai është kthyer në zëdhënës i oligarkisë së re financiare në Shqipëri dhe puthadorës i të huajve. Me që këto janë disa nga ndryshimet më kryesore demokratike që ka pësuar Shqipëria në këto tridhjetë vjet, atëherë përse po na i solloisin e sorollatin e po na i vonojnë uljen në tavolinë për të biseduar që të na pranojnë në Europë? Se në fund të fundit, pa aleanca, ku të jesh i ulur si i barabartë, ku për mirë e ku për keq, nuk jetohet! Lepuri fle gjetiu: duhet goditur edhe me thellë Shqipëria, vende të tilla të tjera të brishta si ajo, bie fjala Kosova si dhe komunizmi
E megjithatë e kanë kot.
Popujt, sado me ngadalë, sado që kapitali i ka bërë indiferent dhe i ka gjymtuar mendërisht dhe ekonomikisht, po e kuptojnë se kush e ushqen luftën dhe kush e dëshiron lirinë, barazinë, vëllazërinë. Thuajse të gjithë e kanë kuptuar se kapitalit po i vjen fundi. Një rend i ri do ta zëvendësojë atë, në interes të mirëqenies shoqërore të njerëzimit. (Sot)