leoni

Ramazan Këllezi: Dokumentarët e prof.Nusret Pllanës dhe regjisorit Luan Kryeziu promovohen edhe në Toronto të Kanadasë

Ramazan Këllezi: Dokumentarët e prof.Nusret Pllanës dhe regjisorit Luan Kryeziu promovohen edhe në Toronto të Kanadasë

Më 8 maj 2016, me inisiativën e Presidentes së Nderit të kësaj Shoqate,  Dr.Ruki Kondaj, në ambientet e Le Royal & Lounge në Mississauga, u promovuan dy dokumentarët  e parë, për Shoqatën “Nëna Terezë” dhe i dyti për masakrën e marsit të vitit 1999, ndër  masakrat më të mëdha në  Kosovë, atë të Krushës së Madhe, me autorësi të Dr. Nusret Pllanës dhe regjisorit të mirënjohur Luan Kryeziu. Megjithëse ky aktivitet përkoi me ditën e nënës, pjesëmarrja qe shumë e madhe, të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë e Çamërisë, si dhe shumë përfaqësues të ardhur nga Michigan-i si, Famullitari i Kishës “Zonja Pajtore” Don Ndue Gjergji, Dr. Gjeka Gjelaj, Znj.Rita Gjelaj, z.Valentin Lumaj, si dhe nga Alberta,  z.Tahir Veliu ideatori i Lëvizjes për Shqipërinë e Bashkuar, nga Çikago z.Ilir Ademi përfqësues i Organizatës Çamëria. Gjithashtu për të përshëndetur aktivitetin ishte i pranishëm z. Shaban Gosalci, zëvendës shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Ottawa. Programin e hapi Presidenti i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto z.Ramazan Këllezi, i cili pasi falënderoi të pranishmit dhe mysafirët e ardhur, ftoi bashkëatdhetarët të këndonin së bashku himnin kombëtar të Kanadasë dhe Shqipërisë. Më pas, z.Këllezi lexoi biografinë e Dr.Nusret Pllanës e cila u duartrokit nga të pranishmit.

Z.Këllezi ftoi gjithashtu të pranishmit të ndiqnin shfaqjen e dy dokumentarëve të titulluar Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nëna Terezë”, si dhe “Dëshmitë e Heshtura”.

Në foltore u ftua zv.Ambasadori i Kosovës z.Shaban Gosalci, Dom Ndue Gjergji, Dr. Ruki Kondaj, z.Tahir Veliu si dhe z.Ilir Ademi të cilët vlerësuan së tepërmi këtë aktivitet të titulluar “Mos Harresa në Shërbim të Kujtesës Historike” dhe të gjithë përcollën mesazhin e bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, këmbënguljen për drejtësi si dhe dhimbjen e madhe për jetët e pafajshme të më shumë se gjysmë milioni shqiptarëve të pafajshëm, marrë nga regjimet e vazhdueshme fashiste serbe, midis periudhës së viteve 1844-1999.

Dr. Kondaj si iniciatore e këtij aktiviteti me shumë vlera kombëtare vlerësoi pjesëmarrësit, mysafirët dhe dha mendime të vyera për dokumentarët si dhe vlerësoi Dr.Nusret Pllanën, duke e cilësuar atë si kryediplomati dhe ambasadori më i mirë i papaguar  i çështjes shqiptare dhe i historisë sonë të dhimbshme. Gjithashtu Dr.Kondaj falënderoi familjarët dhe vajzën e familjes Guleci nga Gostivari, që fitoi çmimin e parë në Toronto, dhe çmimin e tretë në Kanadë, në Olimpiadën robotike.

Në fund e mori fjalën Dr. Pllana, i cili vlerësoi dhe falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre, “Nuk ka” – tha Dr. Pllana- “ kënaqësi më të madhe për një autor e krijues kur salla është e mbushur me bashkëatdhetarë, të cilët me përkushtim ndjekin dhe vlerësojnë punën tënde”. Pasi foli për dokumentarët, ai u përqëndrua në librin e tij që po bën xhiron e botës “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, një libër unikal, i përkthyer në 8 gjuhë të huaja, në të cilin pasqyrohet më së miri çdo mizori e fashizmit serb mbi shqiptarët, dhe jo vetëm mbi ata  të Kosovës.

Pas fjalës emocionuese të Dr.Pllanës, nga salla kërkuan fjalën dy persona nga Kosova z.Faik Shabani dhe z.Shaban Babatinca, të cilët vlerësuan mundin dhe përpjekjet e mëdha të Dr.Pllanës për barbaritë dhe mizoritë gati dyshekullore serbe mbi shqiptarët, si dhe hodhën mendimin e një mbështetjeje më të madhe të këtij projekti  nga Qeveria e Kosovës.

Një falënderim i veçantë iu dedikua z.Bedri Toçani, i cili e bëri të mundur ardhjen e Dr.Nusret Pllanës. Ky promovim pati dhe të veçantat e radhës me shfaqjen e bukur të “Shqiponjave të Vogla”, përgatitur nga koreografi Ramazan Këllezi, njëherit  Kryetar i Shoqatës, të cilat emocionuan aq shumë publikun me performansën e tyre të përkryer, sa që u përcollën me duartrokitje të parreshtura nga të pranishmit në sallë. “Shqiponjat e Vogla” interpretuan tri valle popullore nga treva të ndryshme shqiptare, e më pas të gjithë të pranishmit u ftuan në banketin e mrekullueshëm me ushqime të traditës shqiptare, shtruar nga sponsorët tanë. Ishte një ngjarje e paharruar e cila kaloi në një atmosferë tepër festive e miqësore.

Realizimi i këtij aktiviteti u bë i mundur pa dyshim nga sponsorët tanë të përhershëm z.Bedri Toçani, z. Bujar e Visar Zejnullahu, z. Dashnor Hasku, z. Adnan Aliti, z. Nazim e Behadin Qafleshi,  të cilët zunë vendin e parë në falënderimin e z.Këllezi, drejtuar atyre në publik.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …