Hyrë Qazim Emini (21.7.1973 – 29.7.2001)

Hyrë Qazim Emini (21.7.1973 – 29.7.2001)

Njëra ndër atdhetaret, të cilat luftuan për Shqipërinë Etnike, për Shqipërinë si të tërë e të pandarë me kufij copëtues, ishte edhe luftëtarja e pa epur Hyrë Emini, Kjo atdhetare, për ta ribërë Shqipërinë Etnike, ngjeshi armët e lirisë dhe filloi betejat në malet e Jezercit e të malësisë së Ferizajt, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i vazhduar deri ne Kuk Zabel të Gostivarit, rrëzë bjeshkëve të Korabit, ku bie heroikisht, më 29 korrik të vitit 2001.

Hyrë Emini ka lindur në Ferizaj, në një familje me traditë të pasur kombëtare, e ardhur më herët nga fshati Maçitevë e Therandës. Si mijëra familje të tjera shqiptare, edhe familja e Hyrës, në vitin 1958 kishte marrë rrugën e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi. Mirëpo, për arsye të ndryshme, pas arritjes në Maqedoni, ajo nuk arrin të vazhdoj më tej dhe atje qëndron deri pas rënies së xhelatit antishqiptar serb, Rankoviq, kur kthehet në Kosovë dhe vendoset në fshatin Neredime të Ferizajt. Më vonë, kjo familje vendoset në qytetin e Ferizajt.

Shkollimin fillore, Hyra e kreu në qytetin e lindjes, sikurse edhe shkollën e mesme-Gjimnazin. Gjatë shkollimit të mesëm, ishte shpallur nxënësja më e dalluar në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku po ashtu ishte studente me sukses të dalluar. Në fakultet, Hyra njohu dhe krijoi lidhje të ngushta me shumë studentë, ndër të cilët edhe me pjesëtarët  e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani e Hyrie Veliu.

 Tashmë interesimi i saj kishte shtrirje më të gjerë, sesa ai i ngritjes profesionale. Gjendja e rëndë e popullit shqiptar në Kosovë, nën shtypjen e egër të pushtuesit serb, në vitet ’90 të shekullit të kaluar,  kishte orientuar vëmendjen e vajzës së re ferizajase në angazhimet për mbrojtjen e popullit të saj. Në fillim të këtyre viteve ajo angazhohet në kuadrin e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ferizaj, krahas një rrethi veprimtarësh të dalluar, ndër të cilët bënin pjesë edhe Bajrush Xhemaili, Enver Topalli, Sejdi Sejdiu, Rexhep Bislimi e të tjerë. Po në atë kohë, në funksion të qëllimeve kombëtare, Hyra merrej edhe me aktivitete kulturore, me ç’rast kishte arritur ta organizojë grupin e recituesve të rinj në Ferizaj, si dhe manifestimin multikulturor kushtuar dëshmorëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvala, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, “Flaka e Janarit”. Edhe vetë kishte talent të recitonte, por edhe të shkruante poezi. Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese të në Lipjanit, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me kohë ishte tërhequr nga kjo organizatë, pasi ishte bindur në shterpësinë dhe kotësinë e politikës së pacifizmit nënshtrues që po udhëhiqej nga LDK-ja.

Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Ndërkohë, në Tiranë ishin vendosur edhe dy vëllezërit e saj, Ramadani dhe Enveri, të cilit atje merreshin me punë ndërtimtarie. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte vënë studimet në planë të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saj, sepse ajo ishte e vetëdijshme se para lirisë së vendit nuk mund të kishte detyrë më të ngutshme. Ndërkohë, në Tiranë, Hyra kishte vënë lidhjet me udhëheqës të UÇK-së, ndër të cilët edhe me luftëtarin e njohur tash dëshmor, Adrian Krasniqi.

Pas fillimit të luftës në Kosovë, Hyra vendos të inkuadrohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qëllim, në maj të vitit 1998, ajo arrin në familjen e saj në Ferizaj dhe një muaj më vonë inkuadrohet në radhët e UÇK-së, në pikën ushtarake në Jezerc, e cila sapo ishte formuar dhe komandohej nga Imri Ilazi, i quajtur Komandat “Ferri”. Më vonë, kur UÇK-ja formoi zonat ushtarake operative dhe bëri rikonstruktimin e brendshëm, Hyra veproi në kuadrin e Brigadës 161. Bashkëluftëtarët e njihnin atë me emrin e luftës “Mira”. Si pjesëtare e kësaj brigade ajo mori pjesë në të gjitha betejat e ashpra që u zhvilluan në Zonën Operative të Neredimes, deri në mbarim të luftës, kur pushtuesi serb u detyrua të kapitullojë, duke u dalluar si ushtare e devotshme e lirisë, me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe ndaj bashkëluftëtarëve. Automatiku, revolja dhe bombat e dorës, ishin armatimi i përhershëm i saj. Ajo kishte edhe kamerën zhiruese, në të cilën fiksonte shumë nga momentet e rëndësishme të luftimeve. Pas formimit të institucioneve informative të UÇK-së, Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së Lajmeve Kosovapress ndër korrespondentët e shumtë të tyre nga zonat operative, ishte edhe Hyrë Emini, e cila së bashku me Ruzhdi Jasharin, Ali Ukën e të tjerë raportonin për zhvillimet e luftës në këtë zonë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, u inkuadrua në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës. Gjatë kësaj kohe arrin të njoh edhe luftëtarin e paepur të lirisë, nga Tropoja, Tahir Sinani, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të betejave të ardhshme në frontet e trojeve etnike shqiptare ende nën pushtimin serbe e maqedonas. Shpërthimi i luftës çlirimtare në trevën e Kosovës Lindore, në fillim të vitit 2000, nuk e la indiferent as shpirtin liridashës të Hyrës. Ajo, së bashku me Tahir Sinanin, kishte krijuar lidhjet me disa prej luftëtarëve që po luftonin në këtë trevë dhe po ndiqte me interesim zhvillimet e luftës atje. Duke përjetuar fuqishëm jehonën e kushtrimit të luftës, kur ajo shpërtheu në trojet etnike nën Maqedoni, Hyra në bashkëpunim me shokët e saj të luftës, siç ishin Tahir Sinani, Brahim Ademi, Vjollca Hamiti e të tjerë, përgatit terrenin për t’u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Për këtë arsye, në maj të vitit 2001, ajo tërhiqet nga shërbimi në radhët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke dhënë dorëheqjen. Sapo arrin në Maqedoni, Hyra me shokë angazhohet për të shtrirë frontin edhe më në jug të trojeve shqiptare, në rrethinat e Dibrës e të Gostivarit. Dy muaj më vonë, në një aksion ushtarak, “Mira” bie në krye të detyrës, në Kuk Zabel të Gostivarit. Në këtë rast bien edhe bashkëluftëtarët e pandashëm të saj, Tahir Sinani, Brahim Ademi, nga Kosharja e Ferizajt, Naser Ademi dhe Hisa Fazliu, dy të fundit nga Gostivari, ndërsa plagosen Vjollca Hamiti nga Prelezi i Ferizajt dhe Hajrullah Fejzulli nga Gostivari. Trupat e këtyre dëshmorëve varrosën nga bashkëluftëtarët në afërsi të vendit të rënies. Kjo kishte qenë edhe dëshira e “Mirës”, e cila me rastin e ndarjes nga vëllai, Enveri në Kukës, kur ishte nisur për në frontet e luftës së fundit, kishte kërkuar nga ai që në rast të rënies, të varrosej aty ku do ta derdhte gjakun. Por këtë amanet te saj e kishin thyer bashkëluftëtarët e saj, duke e rivarrosur trupin e dëshmores Hyrë Emini në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj. Bartjen e trupit të saj, të Tahir Sinanit e Brahim Ademit, deri në kufirin me Kosovën, më 20 maj të vitit 2002, e kishte organizuar bashkëluftëtari i dëshmorëve, i quajtur komandant “Baci” me bashkëluftëtarë të tjerë.

Si dëshmi e pjesëmarrjes së saj në dy luftëra, sot ruhen me përkushtim uniformat ushtarake të “Mirës” me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me atë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në rrugën e saj çlirimtare, ajo kishte pasur edhe përkrahjen e vëllezërve, Ramadanit dhe Enverit. Ramadani kishte ndikuar edhe në frymëzimin e saj kombëtar, duke qenë i dënuar me 5 vjet burg politik, më 1986, si pjesëtarë i një organizate ilegale antijugosllave.

Në motivimin kombëtar të Hyrës kishte ndikuar fuqishëm edhe rezistenca e dajës së saj, Shaban Biba-Jezerci, kundër ushtrisë jugosllave të Titos, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Si bashkëluftëtarë i Hysen Tërpezës, ai kishte luftuar kundër ushtrisë jugosllave për dy vjet rresht, derisa pushtuesi ia kishte marrë peng familjen, për ta detyruar atë të dorëzohet, me ç’rast më 1947 dënohet me 14 vjet burg. Traditën e luftës kundër pushtuesit e ndjek edhe mbesa e këtij trimi të rezistencës sonë Kombëtare, Hyrë Emini. Në historinë e re të luftës për çlirim kombëtar, heroizmi i saj paraqet shembullin me të ndritshëm të figurës së femrës shqiptare dhe të flijimit të saj për lirinë e atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …