Ushtria Çlirimtare e Kosovës në radhët e veta ka pasur të rreshtuara shumë luftëtare, vajza trimëresha që shkonin në beteja krah për krah luftëtarëve dhe e luftonin pushtuesin serb pa iu dridhur qerpiku. Hija e vajzës shqiptare në radhët e kësaj ushtrie dhe në istikamet e luftës çlirimtare, e madhëronte UÇK-në, duke e rritur besueshmërinë e saj te masat popullore dhe njëkohësisht e bënte të paluhatshëm besimin në fitoren e luftës çlirimtare. Sepse, inkuadrimi i femrës shqiptare në luftën për lirinë e Kosovës e bënte të plotë angazhimin e tërë potencialit luftarak njerëzor në këtë luftë, duke i dhënë asaj karakterin e mirëfilltë popullor. Njëra prej mijëra vajzave të reja sypatrembura, që veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hodhi krahut pushkën e lirisë dhe xherdanin me fishekë, ishte edhe amazona, dëshmorja Ganimete Gjylani.
Ganimete Gjylani është e lindur në fshatin Baicë të Drenasit, më 6 prill të vitit 1979. Ajo ishte fëmija i katërt i prindërve, Azem dhe Emine Gjylani dhe kishte tre vëllezër e tri motra: Bashkimin, Blerimin, Beratin, Mihrien (motër nga babai), Burbuqen dhe Ibadeten. Në luftën e UÇK-së kishte marrë pjesë dhe kishte kontribuuar edhe vëllai i Ganimetes, Bashkimi, i cili kishte marrë pjesë në aksionin për bartjen e armatimit nga Shqipëria e kufijve politikë, për nevojat e luftës në Kosovë.
Arsimin fillor, Ganimetja e kishte kryer në shkollën fillore “Migjeni” të Baicës, ndërsa ishte nxënëse e gjimnazit të Drenasit kur filloi lufta çlirimtare dhe u dha kushtrimi i atdheut për të gjithë ata që do të kishin forcë e zemër për t’i dalë zot pushkës së lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës po mirëpriste në radhët e saj të gjithë dalëzotësit e Kosovës së robëruar, prandaj edhe vajzës shtat – hedhur e me gërsheta të gjatë, që i gjasonte një zane mali, Ganimete Gjylani i ishte fiksuar dëshira për t’iu bashkuar luftëtarëve të lirisë. Këtë dëshirë, një ditë pranvere ajo ua kishte përcjellë prindërve të saj nëpërmjet luftëtarit çlirimtar dhe eprorit të UÇK-së, njëherit edhe bashkëfshatar i Ganimetes, Rasim Kiçina (dëshmor), i cili kishte për mision edhe rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të UÇK-së me qëllim të masivizimit të saj. Pas pëlqimit të prindërve që ajo të angazhohej në luftë, Ganimetja fillimisht u sistemua në pikën ushtarake në Vasilevë të Drenasit, pastaj në Nekofc dhe në muajin e fundit në Açarevë të Skënderajt. E veshur me uniformë me ngjyrë të zezë, ajo po kryente detyrën e polices ushtarake. Shoqe e ngushtë e saj ishte Vjollcë Halilaj nga Terdevci.
Herë pas here Ganimetja po i vizitonte prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes, në shtëpi, ku njëkohësisht po shfrytëzonte rastin ta afirmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj për liri, duke rrëfyer për trimërinë dhe heroizmin e të rinjve e të rejave në istikamet e luftës. Për herë të fundit, familjen e vet e kishte vizituar tri ditë para se të binte në altarin e lirisë, të premten e 21 gushtit të vitit 1998. E përmalluar për ngrohtësinë e vatrës së saj familjare, asaj radhe ajo kishte shkelur çdo skutë të oborrit, me plot vullnet, gjallëri e krenari atdhetare. Pas po i shkonte e ëma, Eminja, me kureshtjen që ta dëgjonte prej saj ndonjë fjalë lidhur me angazhimin në frontin e luftës, që të kuptonte nëse po e kishte të rëndë apo nëse po përjetonte frikë gjatë luftimeve. Kur ajo e kishte pyetur nëse po frikësohej nga granatimet dhe luftimet, Ganimetja ishte përgjigjur: – Qe besa hiç, asnjë fije!
Pasditën e 21 Gushtit, Ganimetja ishte larguar nga shtëpia dhe së bashku me luftëtarin emblematik të UÇK-së, Rasim Kiçina, të cilin e konsideronte tezak, pasi që të dy ishin nipër të fshatit Kizharekë, ishte nisur drejt Açarevës ku e prisnin detyrat ushtarake. Atë e kishte përcjellë e ëma, së cilës, në ndarje, Ganimetja ia lë premtimin se do të rikthehej sërish të hënën tjetër. Në atë moment ndarjeje, ajo i ishte dukur më e bukur se çdoherë tjetër. Mirëpo, pas dy ditësh, të dielen e 23 Gushtit, forcat pushtuese serbe ndërmarrin ofensivë të ashpër granatimesh, e pastaj edhe me armë të tjera kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Açarevë. Zjarri i luftës kishte vazhduar gjatë tërë ditës, gjatë të cilit, predhat e snajperit serb e kishin përshkuar pjesën e majtë të kraharorit të trimes Ganimete Gjylani.
Lajmin për rënien e Ganimetes dhe trupin e saj, në mesnatën e 23 Gushtit, në familjen e dëshmores e kishin sjellur bashkëluftëtarët. Të nesërmen më 24 gusht 1998 u organizua ceremonia e vorrimit në fshatin e lindjes, Baicë. Trupi i njomë i dëshmores Ganimete Gjylani, i veshur me uniformën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.u mbulua me dheun e Kosovës. (Nezir Myrtaj)