Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj është liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Lajmin e ka bërë me dije kjo gjykatë. Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 14 prillit 2022, Begaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro. Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit dhe e ka ndryshuar aktgjykimin dënues, me arsyetimin se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë nuk kanë qenë të drejta, me rastin e konstatimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarit, për faktin se nuk është vërtetuar dashja apo qëllimi i të akuzuarit për të kryer veprën penale, që nënkupton se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilën akuzohej. Sipas Kolegjit të Apelit, jo çdo shkelje përkatësisht çdo tejkalim apo çdo mos përmbushje e detyrave zyrtare konsumon veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit, ngase në mungesë të dashjes, shkeljet e tilla mbesin në kategorinë e shkeljeve administrative. Ndërsa nga ana e Gjykatës së Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u vlerësua si jo lëndore, për faktin se pretendimet ankimore ishin vetëm në drejtim të sanksionit penal, e që me ndryshimin e aktgjykimit në atë lirues pretendimi është i pa objekt. (BetimipërDrejtësi)
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Buxheti i 2025-ës është anti-Kushtetues
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se buxheti për …