Frika, që ka shprehur për mediet e huaja, Albin Kurti, për mundësinë, që Serbia ta sulmojë Kosovën, ka nxitur reagime të shumta, por edhe interesim të mediave ndërkombëtare për situatën, në Kosovë. Opozita ka reaguar sa për sy e faqe, por pa i bërë një analizë të thellë pretendimeve të kryeministrit Kurti, për ta përdorur e shpërdorur këtë situatë, sidomos në ruajtjen e qetësisë publike, me qëllim për t’ ua mbyllur gojën kundërshtarëve politikë dhe të gjithë atyre qytetarëve të varfër e të pakënaqur me vështirësitë e përditshme ekzistenciale.
Albin Kurti e di fare mirë se nuk mund të ketë luftë në Kosovë, e cila mbrohet nga trupat paqeruajtëse të NATO-s, por këtë e bën për ta zhvendosur vëmendjen e publikut për jetën gjithnjë e më të vështirë të qytetarëve të vendit, të cilët nuk po arrijnë ta përballojnë rritjen dy fish të çmimeve, me pagat e njëjta si të para dy e më shumë viteve.
Albin Kurti e përdor “gogolin” e luftës edhe për të pasivizuar veteranët, protestuesit, sindikatat dhe të gjithë kundërshtarët, sepse realisht po të kishte rrezik nga lufta, dihet se të gjithë shqiptarët në Kosovë, pa dallime partiake do të reagonin unanimisht.
Duke qenë i sigurt se luftë nuk do të ketë, Albini me disa nga të vetët “i ngucë grerëzat me krande” për të treguar trimëri, për të treguar se po i mbanë premtimet, se po e lufton korrupsionin në veri, se po e vendos reciprocitetin me targa dhe jo në aspektet ekonomike e tregtare, dhe , kur e sheh se Xhela si gjithherë ka sharruar atje ku nuk del dot, e pranon tërheqjen për një muaj, pastaj për dy e më shumë…
Me këto ekzibicione të Albin Kurtit, nuk duket se pajtohen të gjithë “sejmenët” e Qeverisë, por në krye për vendime të tilla e të ngjashme, gjithnjë me eksperimente, sa për provë, është vetë Albini me Xhalalin e Besnikun.
Në vazhdim të intervistave me temën e luftës, Albin Kurti, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Reuters, foli për masën e reciprocitetit me targat që pritet të nisin më 1 shtator. Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar. Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha Kurti. Kurti, mes tjerash, deklaroi se nuk jemi në vitin 1998 dhe se Kosova është shumë më e përgatitur për të mbrojtur sovranitetin. Vladimir Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes të përhapte luftën sepse dëshiron të normalizojë atë me Ukrainën.
Me hamendje të tilla, Albin Kurti, duke qenë në krye të Qeverisë së Kosovës nuk tregohet aspak serioz, pasi nuk përmend asgjë konkrete për luftën, por parafrazon, ditët, javët, muajt, vitet, sikur në përralla, duke relativizuar kohën e hapësirën, duke bërë lojë fjalësh, që nuk i kanë hije kryeministrit të një vendi, sepse shpreh mungesë të theksuar të seriozitetit në qëndrime dhe veprime.
Për cilin sovranitet të Kosovës në vitin 1998 flet Albin Kurti, për të konkluduar se tani qenkemi shumë më të fortë? Ku e mbështet këtë fakt në raport me forcën ushtarake të Serbisë, e cila e ka prapa Rusinë. Po të mos jenë trupat e NATO-s në Kosovë, po të mos ishin që nga qershori i vitit 1999, sot nuk do të kishim asgjë nga kjo ku kemi arritur, pavarësisht se 23 vitet e kaluara Kurti i quan dështime, korrupsion, keqqeverisje etj, etj.
Mjerisht, Albini i ka disa nga ata “që e sjellin ujkun fare lehtë në torishtë”, andaj duhet të sillet me tërë forcën e seriozitetit, nëse atë, nuk ia ka dëmtuar sëmundja e entuziazmit delirant dhe vetëkënaqësisë me pushtetin.
Askush nuk mund ta sigurojë as kë se do të ketë, apo nuk do të ketë luftë, në Kosovë e mbase në krejt rajonin
Askush nuk mund ta sigurojë as kë se do të ketë apo nuk do të ketë luftë, në Kosovë e mbase në krejt rajonin, përderisa Serbia nuk heq dorë nga Kosova, konkretisht nga katër komunat e Veriut, ku prej 16 qershorit të vitit 1999, asnjë qeveri e Kosovës, nga ajo e Përkohshmja e deri te kjo e Albinit, nuk e kanë shtrirë sovranitetin, në radhë të parë se “de fakto” ndërkombëtarët, heshtur e kanë njohur dhe e njohin sovranitetin e Beogradit, në veri, mbi parimin e qeverisjes së shumicës etnike, në formulën: shumica shqiptare nuk deshi të jetojë nën Beogradin, por as shumica serbe në Kosovës nuk dëshiron të jetojë me Prishtinën. Nga kjo formulë polli “Zajednica”, e cila zgjidhet me një kompromis të dhimbshëm nga të dyja palët, sikur thotë BE-ja por edhe miqtë tanë.
Albin Kurti i fortë në matematikë dhe politikë e di fare mirë sesi zgjidhet ky ekuacion vetëm me një të panjohur, por pikërisht duke e injoruar këtë realitet ai e ka ndërtuar kauzën e cila e ka sjellë në pushtet. Edhe këtë nuk e ka harruar Kurti, por e dinë dhe nuk e kanë harruar as e harrojnë dot qytetarët e Kosovë, ata të janë me Kurtin dhe ata që nuk janë me të.
Albini dhe albinët nuk kanë të drejtë të sillen si politikanë ndryshe, për të bërë eksperimente e ekzibicione me vendin, sepse Kosova është e të gjithë neve dhe jo e një partie politike, sepse Kosovën e përbëjnë 37 komuna dhe jo vetëm ato katra të Albinit, sepse elektorati i pazarit politik me Vjosa Osmanin ka dështuar në bazën elektorale dhe nuk është më realitet, sepse gabimet, keqqeverisja, kriza e pandemisë, kriza e papunësisë, ikja e të papunëve nga vendi, ngritja e çmimeve pa kontroll, kriza e paralajmëruar energjetike, kriza e një lufte, që fare lehë mund të përshkallëzohet, kërkojnë një tjetër format politik qeverisës, në nivel të detyrës e përgjegjësive dhe jo formatin e tanishëm politik: inatzi, hakmarrës, naiv, prepotent, arrogant, mujshar, shpifës, trillues, profan e shpërfillës.
Komandantët e gjallë të luftës, idealistët që gjithçka i kanë dhënë kombit dhe nuk kanë marrë asgjë nga ai, luftëtarët e lirisë, familjarët e dëshmorëve, invalidët e veteranët, të gjithë shqiptarët liridashës, pavarësisht se cilës parti i takojnë, të cilët mbi të gjitha kanë interesin e Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, duhet të jenë vigjilentë dhe në moment të caktuar në vendet dhe pozicionet, të cilat i kërkon atdheu…
Ahmet Qeriqi
Krojmir
- 8. 2022