Më mirë flakë e gjak, se armiku në prag” (Popullore)
“Trimëri e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës dhe atdheut. Të tjerat janë egërsi”: (Faik Konica)
Në doktrinën e luftërave ka teori, parime, kritere dhe elemente të ndryshme, sipas të cilave përcaktohet karakteri i një lufte, se a është luftë e drejtë apo jo. Këto teori kanë të bëjnë kryesisht me luftërat midis shteteve, por kohëve të fundit janë zgjëruar edhe për luftërat (konfliktet e armatosur) që zhvillohen brenda shteteve. Termi konflikti i armatosur është më i përshtatshëm për t’u përdorur, sepse është nocion më i gjërë, që përfshië edhe luftërat klasike midis shteteve, edhe luftën e grupeve brënda shtetit. Prandaj, edhe për luftën e UÇ-së kundër forcave serbe gjitnjë e më tepër po përdoret kjo terminologji. Kjo nuk ka të bëjë me nënçmimin e luftës së UÇK-së, siç mendojnë disa, por ka të bëjë me përdorimin e një terminologjie të re të pranuar në doktrinën e luftërave. Por, për shkak të terminologjisë më të pranueshëm në Kosovë kur bëhet fjalë për konfliktin e armatosur me forcat serbe, edhe ne këtu do ta përdorim termin: luftë (lufta e UÇK-së).
Për vlerësimin dhe përcaktimin se a është një luftë e drejtë nga pikëpamja juridike, humanitare dhe morale, duhet të merrën parasysh disa faktorë dhe elemente. Në rend të parë vijnë shkaqet që shkaktojnë luftën. Pastaj është kauza që synohet të arrihet me luftë. Janë përpjekjet e bëra paraprakisht, që në rrugë paqësore të arrihet një qëllim i drejtë pa u përleshë me luftë. Lufta të jetë opsion i fundit, pas dështimit të të gjitha përpjekjeve paqësore për arritjen e qëllimit. Është e drejta e popujve për të vendosur për fatin e vet, për çlirim nga një regjim jolegjitim, për vetëvendosje për statusin e vet politik dhe për zhvillim shoqëror dhe ekonomik, duke i shfrytëzuar resurset e veta njerëzore dhe natyrore.
Në rastin e luftës së UÇK-së kundër regjimit dhe forcave okupuese të Serbisë, janë përmbushur të gjitha këto kushte, elmente dhe kritere. Prandaj, lufta e UÇK-së është plotësisht e drejtë në pikëpame të doktrinës juridike për luftën.
Së pari, Kosova ishte e okuar nga Serbia qysh prej vitit 1912 dhe e aneksuar me dhunë shtetit të Serbisë. Këtë aneksim e lejoi Konferenca e Londrës (1913), e pas çlirimit të Kosovës (1999), duke folur për sulmet e NATO-s, kundër forcave serbe, ish-sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, (tash i ndjeri) Robin Kuk, pa thënë: “I kam lexuar të gjitha dokumentet e asaj Konference. Atë padrejtësi që është bërë atëherë, po e ndreqim tash”.
Nën regjimin e Serbisë e të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1912 -1941), populli shqiptarë i ishte ekspozuar padrejtësive, diskriminimit dhe terrorit në baza nacionale, fetare, sociale, ekonomike,kulturoe e në çdo bazë tjetër.
Se çfarë qëndrimi kishte shteti serb kundër shqiptarëve mund të ilustrojmë me disa theksime nga Platforma e akademikut e ministrit serb, Vasa Çubrilloviq, kur e arsyeton programin e tij për shpërnguljen e Shqiptarëve; ai thotë: “Ne Serbët nuk kemi armiqë më të mëdhenj se Shqiptarët. Nëse duhet ta ngrejmë kokën tonë, duhet ta ulim kokën e tyre; nëse duhet të ndjehemi gjërësiht në hapësirë, duhet t’ua ngushtojmë hapësirën e tyre; nëse duhet të na dojë bota neve, duhet të bëjmë çmos që t’iurrejë ata. Që Iliro-Dardanët ta braktisin vendin e tyre, duhet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë t’ua nxijmë jetën. Që të arrijmë këtë, së pari duhet t’ua mohojmë origjinën iliro-epirote-dardane dhe t’ua marrim krenarinë ilire,t’ua shkatërrojmë votrat dhe t’ua ndërrojmë emrat, t’ua njollosim emblemat dhe t’ua fshijmë simbolet e lashta ilire. Dodosdomshmërisht duhet t’i bëjmë që të bjerrin gjuhën dhe zakonet e tyre dhe njëkohësisht t’a rrëmbejmë gjithçka që kanë të lashtë ilire e ta përvetësojmë ne. Duhet t’i lëmë pa miq rreth e rrotull, derisa ata të urrehen e mos durojnë njeni-tjetrin dhe përfundimisht ta mohojnë vetveten. Që të finalizohet kjo platformë, duhet domosdoshmërisht që antishqiptrizmi të jetë filozofia dhe deviza e vetme e shtetit tonë. Mos harroni se mosqenja e Shqiptarëve, është vetë ekzistenca e kombit Serb”!
Në frymën e kësaj platforme të akademikut Çubrilloviq, ka vepruar tërë kohën regjimi serb kundër Shqiptarëve.
Nga dhuna e ushtruar shtetërore, një pjesë e madhe e shqiptarëve janë detyruar të shpërngulën për në Turqi, në Shqipëri apo në shtetet e Perëndimit, ndërsa në tokat e Shqiptarëve ka sjellë kolonistë Serbë, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë së Kosovës.
Në Luftën e Dytë Botërore Shqiptarët u radhitën në aleancën kundër fashizmit e nacizmit, me shpresë dhe me premtime se pas çlirimit do t’iu lejohet bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë, gjë që nuk iu lejua. Vazhdoi e njëjta politikë e diskriminimit dhe represionit dhe Kosova mbeti e vetmja koloni (e Serbisë) nga të gjitha kolonitë e çliruara prej shteteve koloniste të Europës. Populli Shqiptar kurrë nuk u pajtua me pozitën kolonialiste, diskriminuese që iu imponua, por në mënyra e forma të ndryshme shfaqte paknaqësinë e vet kundër regjimit.
Pas Kushtetutës së RSFJ-së (1974) Kosova, si krahinë autonome, fitoi statusin e njësisë federale të Jugosllavisë dhe nisi një zhvillim të hovshëm ekonomik, kulturor, arsimor dhe në të gjitha aspektet. Por ky zhvillim i Kosovës dhe përparim i Shqiptarëve e pengonte nacional-shovinizmin klerofashit serb, ashtu që me dhunë policore-ushtarake (1989) e suprimoi atonominë e Kosovës dhe shtriu regjimin e dhunshëm të Serbisë në të gjitha segmentet e jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore, madje në sporte. Vazhdoi me respresalje brutale kundër shqiptarëve: përjashtimin prej pune, prej shkollave, burgosje, rrahje, vrasje. Serbia ishte okupatore dhe pushteti i saj nuk kishte legjitimitet në Kosovë, pasi ai pushtet nuk kishte përfaqësuesit as pëlqimin e popullit Shqiptar. Lufta çlirimtare e një populli kundër një okupatori, gjithherë dhe kudo është luftë e drejtë.
Populli Shqiptar i mbledhur rreth LDK-së, si një lëvizje politike gjithëpopullore, u përpoq të bënte një rezistencë paqësore kundër dhunës së regjimit brutal të Serbisë dhe e internacionalizoi problemin, duke kërkuar zgjidhje paqësore për statusin e vet të pavarur, por politika paqësore nuk dha rezultate, veçse gjendja sa vinte keqësohej e më tepër, aq sa zullumi u bë i padurueshëm.
U bënë përpjekjet në rrugë diplomatike e juridike për zgjidhje paqësore. Në këtë frymë, Kuvendi legitim i Kosovës më 2 korrik miratoi Deklaratën Kushtettuese për Kosovën Republikë e barabartë me republikat e tjera në kuadër të federatës apo të konfederatës jugosllave, por regjimi i Serbisë e okupoi tërësisht dhe shtriu dhunën mbi institucionet, ndërmarrjet dhe mbi popullin e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës (shtator 1990) dhe Referendumi i mbajtur për pavarësinë e Kosovë (tetor 1991), veçsa i shërbyen si pretekst Serbisë për të shtuar dhunën e represaljet. E ndihmuar nga mediat e regjimit dhe inspiruar nga Kisha Ortodokse Serbe, kundër Shqiptarëve u krijua urrejtje e paparë, që sa vjen e rritet edhe sot 23 vjet pas çlirimit të Kosovës.
Meqë durimi dhe shpresa për zgjidhje paqësore ishin shterrur dhe nuk dhanë rezultate, populli u detyrua t’i çaset edhe metodës të përgjigjes së dhunës me dhunë. Kështu, grupe të caktuara ilegale herë-pas-herë kryenin aksione të armatosura kundër forcave serbe. Ishte kjo shenjë se populli është i vendosur të luftojë për t’u çliruar nga regjimi kolonial gadi njëshekullor i Serbisë. Gradualisht u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mori mbi vete barrën dhe përgjegjësinë për luftë të armatosur kundër Serbisë, me kauzën e drejtë – për çlirim e bashkim kombëtar. Kauza e luftës së UÇK-së nuk ishte e re, ajo i ka rrënjët nga Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja e Prizrenit (1878), për liri e bashkim kombëtar. Kjo kauzë shihet edhe nga formula e betimit të ushtarëve të UÇK-së, që kishte këtë përmbajtje:
“Si pjesëar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se:
Do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin e tyre;
Do të jem përherë besnik, luftëtar i denj i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm në çdo kohë, pa kursyer jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut;
Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj – qoftë i humbur gjaku im! Betohem!”.
Lufta e drejtë për pavarësi e Shqiptarëve në Jugosllavi, e personfikuar tashmë në forcën e saj të armatosur, UÇK-në, e ka mbështetjen e fortë edhe në “Deklaratën e KB mbi dhënien e pavarësisë vendeve dhe popujve kolonialë” (Rezoluta 1514/XVI e Asamblesë së Përgjithshme të KB, 14 dhjetor 1960). Në pikën 2 të asaj Rezolute thuhet: “Të gjithë popujt kanë të drejtën të vendosin lirisht për fatin e tyre; në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin politik të tyre dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor”.
E drejta e vetëvendosjes së popujve, rrjedhimisht lufta e drejtë e UÇK-së, është e përforcuar edhe në dy dokmnente tjera paraprake juridike të KB, pikërisht në Paktin Ndërkmbëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966). Në nenet e para të të dy atyre Pakteve është përcaktuar se “Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe sigurojnë në liri zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.
Çështja e vetëvendosjes së popujve është definuar edhe në Aktin Final të Helsinkit, në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (1975). Në Kapitullin VIII të atij Akti (Barazia dhe vetëvendosja e popujve), në paragrafin e dytë është përcaktuar se: “Në bazë të parimit të barazisë së popujve e të drejtës së tyre për vetëvendosje, të gjithë popujt kanë gjithnjë të drejtën të vendosin në liri të plotë, kur të duan dhe si të duan, statusin e tyre politik të brendshëm e të jashtëm…dhe të vazhdojnë sipas deshirës së vet zhvillimin e tyre politik, ekonomik, shoqëror e kulturor”. Ndërsa në Kartën e Parisit të KSBE-së (1990), është garantuar se: “Ne do të sigurojmë që secli (popull,v.j.) të gëzojë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet efektive të mbrojtjes juridike kombëtare ose ndërkombëtare kundër çdo shkelje të të drejtave të tij”. Lufta e UÇK-së për çlirim, pavarësi e vetëvendosje bëhej në bazë të këtyre parimeve të akteve ndërkombëtare, dhe asnjë mendje e shëndshë nuk mund të mohojë atë se ka qenë luftë të drejtë.
Përkah numri, Shqiptarët ishin kombi i tretë në ish-Jugosllavi (pas Serbëve dhe Kroatëve), por iu mohohej statusi i kombit dhe për ta kishin shpikur një term “kombësi”, për t’ua mohuar të drejtën e vetëvendosjes, të cilën e kishin kombet tjera shumë më të vogla (malazezët, maqedonët).
Se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë kundër agresionit të Serbisë në Kosovë, vërtetohet edhe me vetë intervenimin e NATO-s, në ndihmë UÇK-së, në mbështetje të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Po të mos ishte e drejtë lufta e UÇK-së, NATO si aleancë e shteteve më demokatike nuk do të radhitej përkrah saj.
Nga çfarëdo aspekti që të marrësh, lufta e UÇK-së për çlirimin e vendit dhe të popullit nga okupimi serb ishte luftë e drejtë. Si rezultat i asaj lufte të drejtë, erdhi çlirimi dhe formimi i shtetit të Kosovës, të cilin e njohën shumica e vendeve më demokratike të botës dhe e njohu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila vërtetoi se me shpalljen e pavarësisë, Kosova nuk ka shkelur asnjë parim ose normë të së drejtës ndërkombëtare, madje as Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 1244.
A ishte e pastër Lufta e UÇK-së
Çështja e pastërtisë së luftës nuk është objekt rregullimi i të drejtëssë luftës, respektivisht të konfliktit të armatosur. Kjo çështje i takon të drejtës ndërkombëtare humanitare, e cila parasheh mbrojtjen e kategorive të caktuara të njerëzve, të objekteve, të infrastrukturës e të tjera, në rastet e konflikteve të armatosura. Për këtë ekzistojnë katër konventa të Gjenevës (1949) dhe protokollet shtesë të tyre: 1) Konventa për të Plagosurit dhe të Sëmurët e Forcave të Armatosura Tokësore; 2) Konventa …për të Sëmurët dhe dhe të Plagosurit në Anijet e Përmbytura të Forcave Detare; 3) Konventa për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës; dhe 4) Konventa për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte. Të gjitha ato konventa mbajnë datën 12 gusht 1949, dhe të gjitha i obligojnë palët nënshkruese (nënshkruese ka qenë edhe Jugosllavia), që gjithëherë dhe në çdo rast të respektojnë rregullat e të drejtës humanitare, pavarësisht se a i respekton ato pala kundërshtare ose jo. Në këtë aspekt nuk vlenë parimi i reciprocitetit. Dhe këto parashohin përgjegjësinë e individëve për shkeljen e rëndë të normave të kësaj të drejte, si për rastet e luftës midis shteteve ashtu edhe për konfliktet e brendshme.
Në dispozitat e përbashkëta të të katër konventave parashihen sanksione penale për shkeljen e konventave. Për konfliktin e armatosura të karakterit jondërkombëtar, që ndodh në territorin e njërës paë (të konventës, v.j.), secila nga palët në konflikt është e detyruar të zbatojë të paktën dispozitat që vijojnë:
“1. Personat që nuk marrin pjesë drejtëpërdrejt në luftime, bashkë me forcat e armatosura që kanë dorëzuar armët dhe janë nxjerrë jashtë luftimit për shkak plagosje, zënie rob, sëmundje ose për çdo shkak tjetër,- në të gjitha rrethanat duhet të trajtohen njerëzisht, pa asnjë dallim rece, ngjyre, feje ose besimi, seksi, lindjeje ose pasurije apo çdo kriteri tjetër analog.
Kundër personave të kategorive të lartëpërmendura janë të ndaluara, në çdo kohë e në çdo vend:
dhunimi kundra jetës ose tërësisë trupore, sidomos vrasja në të gjitha format, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat dhe ndëshkimet;
marrja e pengjëve;
cënimi kundra dinjitetit personal, sidomos trajtimet poshtëruese dhe çnjerëzore;
dënmet e dhëna dhe ekzekutimet e bëra pa një gjykim paraprak të dhënë prej një gjykate të formuar rregullisht dhe të veshur me ato garanci gjyqësore që janë njohur si të domosdoshme prej gjithë popujve të qytetëruar.
- Të plagosurit dhe të sëmurët do të mbldhen dhe do të kurohen.
Se si kanë vepruar forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë – dihet botërisht. Ato kanë vrarë, masakruar e djegur për së gjallë civilë të cilët fare nuk kanë qenë të armatosur as të involvuar në luftë. Nuk kanë kursyer as gjini as moshë. Në mesin e të vrarëve e masakruarëve të tillë kanë qenë edhe 1400 fëmijë, ndërsa janë dhunuar mbi 20 mijë femra, disa prej të cilave i kanë vrarë pas dhunimit. Të mos e përmendim plaçkitjet e gjithçka që kishte vlerë dhe që mund ta lëviznin, ndërsa shtëpitë ua digjnin, shpeshherë me familjarë brenda!
Por, në kontekst të të drejtës humanitare të konventave të përmendura, ai barbarizëm i forcave serbe, nuk i justifion krimet eventuale që mund t’i kenë kryer individë të prirur për krime edhe nga radhët e UÇK-së, ndaj personave të palës tjetër, sepse është vështirë të përmbahen kur shohin e dëgjojnë se çfarë kanë bërë forcat serbe ndaj të afërmëve të tyre apo përgjithësisht ndaj civilëve shqiptarë.
Duhet konstatuar e pranuar këtu, se asnjëra palë e konflktit të armatosur, pas atij konflikti, nuk i ka proceduar fajtorët e krimeve të kryera nga radhët e forcave të veta. Përkundrazi, në Serbi krimnelët e tillë janë trajtuar si heronjë e janë avancuar në pozita shtetërore. Tribunali i Hagës i ka gjykuar një numër të vogël për krime të tilla.
Nuk mund të thuhet me siguri të plotë se edhe nga individë të caktuar, pjesëtarë të UÇK-së, nuk ka pasur shkelje të dispozitave humanitare në kuptimin e konventave të përmendura më sipër. As gjykatat e UNMI-ut e të EULEX-it, as gjykatat vendore të Kosovës nuk e kanë dhënë provimin për procesuimin e personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra kriminale nga konflikti i armatosur. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare insistoi të formohet një gjykatë speciale për procesuimin e pesonave të dyshuar. Gjykata edhepse quhet se është Gjykatë Speciale e Kosovës, ajo nuk ka të bëjë asgjë me sistemin gjyqësor të Kosovës, selinë e ka në Hagë, të gjitha instancat gjyqësore janë në kuadër të saj, kurse gjykatësit dhe prokurorët janë të gjithë të huaj, pa asnjë shqiptar. Absurdi më i madh është se gjykata është themeluar për gjykime njëetnike, vetëm të shqiptarëve. Absurdi tjetër është se edhepse është speciale për gjykime të periudhës së luftës, kompetencën e vet e ka shtrirë prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, e dihet se lufta ka përfunduar më 10 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, dhe se UÇK-ja është shpërbërë në qershor të atij viti. Përshtypja është se ajo gjykatë do të gjykojë në bazë të gënjeshtrave të Sigurimit dhe të Prokurorisë së Serbisë, të grumbulluara e dërguara Gjykatës, në formë të “provave me shkrim e me fotografi”, dhe në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të përgatitur prej atyre organeve, qofshin ata si “viktima” apo si dëshmitarë të akuzës. Fundja, ajo Gjykatë u themelua në bazë të raportit të Dick Martit, i përpiluar kryekput në bazë të shpifjeve dhe gënjeshtrave të organeve të Serbisë, gjoja për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve, për të cilat nuk janë gjetur prova përkundër hetimeve të thella qe dhjetë vjet që janë bërë nga organet hetuese ndërkombëtare. Prandaj, jemi skeptik se Gjykata Speciale do mund të gjykojë drejtë, as personat të cilët gjendën aktualisht në proces, as të tjerët që do t’i procesuojë pas tyre.
Sidoqoftë, përgjegjësia është individuale dhe çfarëdo vendimesh të merrë Gjykata Speciale, nuk do të mund ta njollosë pastërinë e luftës së UÇK-së. Sepse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, luftë çlirimtare, me kauzë të qartë.
UÇK nuk ka vrarë e masakruar as fëmijë as gra civile serbe. Vrasja e fëmijëve dhe grave është në kundërshtim të rreptë me traditën dhe etikën shqiptare. Nga ana tjetër, civilët serbë të gjithë kanë qenë të armatosur, shteti iu ka dhënë armët, prandaj edhe nëse nuk kanë qenë të mobilizuar apo vullnetarë në formacionet ushtarake, policore e paraushatarake, ata në një mënyrë kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të forcave serbe kundër UÇK-së.