Stavileci: Komponenti ekologjik duhet të jetë kriter primar i çdo projekti publik

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka vlerësuar se Projekti për Blerjen e Motoçikletave/Biçikletave Ekologjike (E Bicycle) nga Posta e Kosovës është një projekt me dimension të mbrojtjes së mjedisit, por njëkohësisht përmirëson shërbimet e kësaj kompanie ndaj qytetarëve.

Këto komente Stavileci i bëri me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës SH.A”, për “Blerjen e Motoçikletave/Biçikletave Ekologjike E Bicycle, e cila u bë nga drejtuesit e tri institucioneve përkatëse.

“Edhe në projektet e mëdha në të cilat ne investojmë, apo do të investojmë në të ardhmen siç është projekti i “Kosovës së Re” dhe shumë projekte të tjera në fushën e energjisë, çdoherë kriteri me peshën më të madhe do të jetë ai ambientalist, që çdo gjë që bëjmë, sado që është në funksion të një mirëqenie ekonomike dhe sociale ta ketë edhe dimensionin ambiental, sepse lidhet drejtpërdrejtë me mjedisin në të cilin jetojmë por edhe me shëndetin publik”, tha Stavileci.

Sipas tij,ky projekti është diçka që i kontribuon drejtpërsëdrejti mbrojtjes së mjedisit, ngase u mundëson punonjësve të Postës të kryejnë shërbimin e tyre në mënyrë efiçiente, por duke dërguar ‘porosi mjedisore’.

Nga ana e tij, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani tha se kjo ngjarje është e rëndësishme në shumë aspekte, e në radhë të parë për Ministrinë e Mjedisit, sepse paraqet një shembull unik të bashkëpunimit në promovimin e një kulture të re që duhet te mbizotërojë, e kjo është mbrojtja e mjedisit.

“Kjo paraqet shembull konkret, përgëzoj Postën dhe MZHE-në për mesazhin i cili shkon te gjithë qytetarët dhe te të gjithë operatorët ekonomikë publik dhe privat që kanë mundësi ta inkorporojnë idenë e mbrojtjes së mjedisit”, tha Agani, sepse kjo përbën një kontribut të drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se kjo ndërmarrje ka hasur në mirëkuptimin e MMPH-së që nga ky vit të fillojë me përdorimin e mjeteve lëvizëse moderne dhe ideja ka qenë që mjetet aktuale me motor të zëvendësohen me eko-motoçikleta me biçikleta që shfrytëzojnë energjinë elektrike.

Sipas tij, përdorimi i këtyre mjeteve në terren nga 300 postierë do të ndikojë në rritjen e efikasitetit, reduktimin e shpenzimeve, e po ashtu edhe në uljen e emetimeve dhe do të jetë shembull për mbrojtjen e mjedisit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …