leoni

Ahmet Qeriqi: Burgu i Qarkut në Prishtinë, tani Muze nuk është burg vetëm i ish të burgosurve politikë dhe jo më mizori

Ahmet Qeriqi: Burgu i Qarkut në Prishtinë, tani Muze nuk është burg vetëm i ish të burgosurve politikë dhe jo më mizori

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Burgu i Qarkut, apo sikur quhej edhe Burgu hetues  në Prishtinë, tani Muze,  nuk është burg vetëm i të burgosurve politikë, dhe kurrsesi burg- muze i Shoqatës së të Burgosurve politikë të inkuadruar në partinë e quajtur Lëvizje Vetëvendosje, por ishte një burg si të gjitha burgjet e tjera në ish RSFJ.

Duke lënë anash periudhën prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, kur Burgu i Prishtinës ishte i mbushur me luftëtarë të NDSH-së, dhe kur ky burg kishte pronë të veten edhe vendin e quajtur “Strelishte”, në Touk-Bahqe, ku janë pushkatuar qindra eprorë  dhe luftëtarë të NDSH-së, trajtimi i të burgosurve nuk ka qenë më i keq e më mizor për nga persekutimi i të burgosurve, sesa Burgu  i Nishit, i Pozharevcit, i Idrizovës, Goli Otokut e burgje të tjera kudo në ish Jugosllavinë e Titos.

Nuk kanë pasur  histori më të mirë se burgu i Prishtinës, Burgu i Mitrovicës, i Gjilanit, sidomos në vitet 80-të shekullit 20, Burgu i Prizrenit, e burgje të tjera kudo në Kosovë.

Po kështu në këto burgje, nuk ka pasur vetëm të burgosur politikë, por edhe të burgosur të tjerë  të mbajtur për vepra të ndryshme penale, qofshin ata  shqiptarë, serbë, malazez  romë e të  e të tjerë.

Arsyeja pse u zgjodh ky burg të jetë Muze, ka bazën e vetë politike, me pretendime që një grup i të burgosurve politikë të Kosovës, që paraqitet si kreu i gjithë të burgosurve edhe pse nuk e ka  përkrahjen e  të gjithëve, sepse nuk iu nënshtruar rregullores dhe që sa kohë nuk mbajtur një Kuvend  të ligjshëm me krejt anëtarësinë. Ky grup ish të burgosurish  nuk pranon që ata të quhen veteranë të Lëvizjes kombëtare, çka edhe janë logjikisht e realisht, por duan me çdo kusht të trajtohen si ish të burgosur, si viktima të përjetshme, edhe pse tani disa nga këta ish të burgosur janë politikanë, deputetë, zyrtarë e qeveritarë, që kanë shëtitur e kanë përfituar jo pak favore  nga një parti në tjetrën, prej LDK-së në PDK, disa syresh në AAK e në parti të tjera të shumta,  tani në Vetëvendosje, gjithnjë  janë gjetur aty ku është ndarë përfitimi.

Është trimërues vetëm fakti  se shumica dërrmuese ish të burgosurve politikë të Kosovës, Maqedonisë, Kosovës Lindore, Malit të Zi dhe mërgatës kanë përkrahur tri luftërat  tona çlirimtare, madje një pjesë syresh ka marrë pjesë aktive edhe në luftën e UÇK-së, një pjesë ish pacifiste ka ikur nga Kosova gjatë luftës dhe ka qëndruar në Maqedoni, Shqipëri e nëpër shtete të Evropës e të botës.

Prej vitit 1970, kur në burgjet e Kosovës u pranuan në punë edhe shumë gardianë  shqiptarë, trajtimi i të burgosurve ishte më i mirë se në të gjitha burgjet e tjera të ish Jugosllavisë dhe ky fakt mund të dëshmohet me sa e sa fakte e argumente. Edhe disa nga hetuesit, nuk janë treguar aq mizorë sa kanë prirje t’ i paraqesin disa të burgosur që nuk kanë marrë qoftë edhe një shuplakë ndëshkim. Këtë e dimë ne të burgosurit, përbrenda vetes e shokëve, sado që disa kur flasin se në çfarë niveli janë torturuar njeriu mendon si kanë shpëtuar gjallë. Disa edhe nuk kanë shpëtuar edhe kjo dihet. Por Burgu i Qarkut i Prishtinës, nuk ishte burg që për nga trajtimi mizor kundër të burgosurve të mund të krahasohej me burgjet e tjera të republikave të Jugosllavisë. Ishte vetëm burg hetues, burg i Qarkut, sikur qindra burgje të tjera të Jugosllavisë.

Trajtimi i të burgosurve kudo në burgje ka qenë dhe ka mbetur relativ, që në radhë të parë nënkupton individin, peshën e veprës penale, rrezikshmërinë e  pretenduar, por në disa raste edhe reale  për rendin ekzistues, grupin apo grupet që kërkonin përmbysjen e pushtetit.

Përveç disa luftëtarëve të NDSH-së, që janë mbajtur  me kohë të gjatë në këtë burg, të tjetër janë mbajtur vetëm deri në shqiptimin e dënimit dhe pastaj janë dërguar në sikur thuhej, “vuajtje të dënimit” anë e mbanë burgjeve me “famën” më të keqe të ish RSFJ-së.

 

Burgu i Prishtinës, për nga trajtimi i të burgosurve nuk mund të ishte aq mizor, sikur pretendon një segment i  SHBP-së, pasi personeli i burgut ishte me shumicë shqiptare, dhe pavarësisht se personeli ishte besnik i regjimit, nuk ishin të tillë gardianët, disa nga të cilët edhe u suspenduan, disa gjatë detyrës bashkëpunuan me të burgosurit, disa edhe   u burgosën dhe jo pak pret tyre iu bashkuan edhe radhëve të UÇK-së.   

Përzgjedhja e Burgut të Prishtinës për të qenë Burg-Muze, në radhë të parë është përzgjedhje që nuk akordon me realitetin, sepse nuk ka burg në Kosovë, dhe nuk kishte në ish Jugosllavi, tekefundit edhe askund të botë ku të burgosurit trajtohen me mëshirë, me respekt e dashuri.

Çka pretendon të përfitojë  SHBP-ja  nga Burgu-Muze i Prishtinës?

Tendencat për t’ u treguar  liderë, për t’u treguar gjithmonë si krerë  janë pjesë e megalomanisë  së sëmurë të disa individëve, të cilët janë bashkuar rreth një qëllimi, që të qëndrojnë gjithmonë bashkë,  sidomos nga radha e  atyre të burgosurve, që luftën kundër Serbisë e kryen në Tiranë dhe në disa qytete të vendeve të Evropës, e atyre që ikën nga Kosova kur më së shumi i duheshin asaj, atyre të cilëve nën këmbë iu kishte rrëshqitur  toka e atdheut,  kur atdheut i duheshin më shumë se kurrë, e atyre që përfituan para luftës, e sidomos pas luftës.

 

Në mesin e këtyre ikanakëve nuk ishin krejt të burgosurit politikë, nuk ishte në radhë të parë krye i burgosuri, Mandela i Kosovës, pse jo edhe i Evropës, Adem Demaçi, pastaj Jakup Krasniqi, (i burgosur i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së), Shaban Shala, Agim Bajrami, e qindra të tjerë, në mesin e tyre edhe shumë dëshmorë.

Ikanakët duan të tregojnë vlerat e tyre, vuajtjet e tyre nëpër burgje, thuajse se paskan qenë të vetmit që paskan vuajtur, ndërsa realisht vajtjet e tyre dhe të gjithë nesh nëpër burgjet e Serbisë, kanë qenë shumëfish më të rënda sesa ato në Burgun e Prishtinës.

Pretendimet e SHBP-së, për ta përvetësuar këtë Burg-Muze, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, janë krejtësisht pretendime politike, sepse në Burgun e Prishtinës prej vitit 1945 e deri në vitin 1999  kanë vuajtur një kohë të caktuar të hetimeve e dënimeve dhjetëra mijëra të përndjekur kryesisht shqiptarë, dhe jo vetëm të burgosurit politikë dhe jo vetëm këta nga kreu i Shoqatës. Shumë prej tyre dhunën e mizorinë e kanë provuar mbi kurriz në burgjet e ish-Jugosllavisë, të njohura për ushtrim të dhunës e mizorisë…

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …