Kontaktet e vazhdueshme dhe konsultimet e përbashkëta shkollë-familje janë ndihmë dhe inkurajim për të dy palët. Për ta realizuar këtë me sukses, për ta njohur situatën dhe për të përcaktuar saktë drejtimet e punës në të ardhmen drejtoritë e shkollave marrin një sërë nismash:
Vendosen në korridoret e shkollës e në klasa stenda të veçanta, ku prindërit do të gjejnë informacione e probleme me interes.
Kuti postare në hyrje të shkollës, në të cilën prindërit japin mendime e këshilla për punën e mësuesve e të drejtorisë dhe përmirësime në të ardhmen.
Anketime me prindërit që kanë si objekt vjeljen e informacionit për çështje të tilla:
Efektshmëria dhe paefektshmëria e bashkëpunimit shkollë-familje, gjithmonë i efektshëm, kryesisht i efektshëm, kryesisht i paefektshëm, gjithmonë i paefektshëm.
Gjithmonë bashkëpunojnë kryesisht bashkëpunojnë, kryesisht nuk bashkëpunojnë, asnjëherë nuk bashkëpunojnë.
Bashkëpunojnë për rezultatet në mësime për sjelljen e pahijshme, për mungesat, për qëndrimin në klasë e tjerë…
Vihet re: një përmirësim i dukshëm, një farë përmirësimi, asnjë ndryshim, përkeqësim i mëtejshëm.
Mbi bazën e të dhënave që vilen nga anketimi bëhet analiza në këshillin pedagogjik, një diskutim i hapur, me kritika të drejtpërdrejta dhe me pjesëmarrjen e sa më shumë prindërve.
Mbi bazën e një grafiku organizohen me prindërit biseda me tema:
Fëmija im dhe çfarë më shqetëson tek ai.
Fëmija im dhe çfarë kërkon ai në moshën e adoleshencës.
Përse nuk e kuptoj fëmijën tim?…
Si reagoj kur nuk e kuptoj sjelljen e tij?
Si e përfytyron të ardhmen e fëmijës?
A jemi të kënaqur nga atmosfera në familje? Ç’atmosferë do të dëshironim të kishim ne në familje?
Përveç këtyre mësuesi duhet të bashkëbisedojë me prindërit për:
Metodologjinë e të mësuarit.
Si duhet të nxiten ata për të treguar kujdes të vazhdueshëm ndaj veprimtarisë së vetëdijshme të fëmijës lidhur me atë se çfarë, pse, si, me se, me kë dhe për kë, kur dhe kur duhet arritur?
Pse lindin konfliktet e mosmarrëveëshjet prindër-adoleshentë, si mund të shmangen, duke sqaruar se të gjithë adoleshentët kanë pika të forta, shprehi që i kryejnë mirë, tek të cilat duhet mbështetur, por ata kanë edhe nevoja e shprehi që kërkojnë ndihmën e prindërve e të shkollës për t’u kryer më mirë. Në qoftë se prindërit nuk e kuptojnë se zgjimi i ndërgjegjes politiko-shoqërore të breznisë së re nga njëra anë dhe ngulmimi i prindërit “për t’ia mbyllur gojën”, nga ana tjetër e futin në konflikt prindërin me fëmijën e tij, ata nuk mund t’i shmangin konfliktet.
Sekreti i evitimit të grindjeve qëndron në komunikimin e bazuar mbi respektin për njëri-tjetrin. Për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje është e nevojshme të zgjerosh pikëpamjen tënde, në mënyrë që të mund të përfshish dhe të integroni në të edhe një mendim tjetër. (Grej Xhon, Tiranë 2001, f.160).
Adoleshenca nuk është krizë -, por një periudhë ndryshimi që është krejtësisht tjetër për të. Pjekuria seksuale çon në rrethana konflikti, që duhen vlerësuar e trajtuar me seriozitet. A e kanë parasysh këtë mësuesit e prindërit? A duhet të jenë të përgatitur për t’iu përgjigjur me punën e tyre këtyre ndryshimeve? Ka shumë rëndësi mënyra se si i shohin dhe i kuptojnë këto ndryshime të rriturit, si reagojnë ndaj tyre?
Prindëri ka nevojë të kuptojë përse vuan fëmija i tij adoleshent. Fjalët e tij drejtuar atij (asaj): “E kuptoj se ndihesh i(e) lënduar, por kam nevojë të reflektoj”, “Je i rëndësishëm për mua”, “E meriton të dëgjohesh dhe unë kam dëshirë ta bëj një gjë të tillë” – janë shumë inkurajuese për adoleshentët. Mbi të gjitha katër fjalët magjike: “Nuk është faji yt” nga goja e prindit krijojnë një klimë të re, të ngrohtë në komunikimet dhe marrëdhëniet prindër-doleshentë dhe i shkrijnë akujt midis tyre.
Shumë prindër ankohen për rënien në mësime të fëmijëve të tyre kur kalojnë nga tetëvjeçarja në shkollën e mesme dhe befasohen kur dëgjojnë rezultatet e ulta të tyre. A e dinë ata se kalimi i nxënësve nga një cikël në tjetrin shoqërohet me probleme dhe duhet patjetër edhe ndihma e familjes për t’i kapërcyer ato, kujdesi i vazhdueshëm i saj. Këtë moment të rëndësishëm dhe delikat duhet t’ua sqarojnë mësuesit, duke programuar cikël të veçantë bisedash e takimesh në formë debati dhe ballafaqimi.
A e kanë parasysh prindërit statusin social të adoleshentit apo këtë moshë e konsiderojnë një moshë të papjekurish. Për ta thuhet se janë “firifiu”, e për ta “ç’fluturion, hahet”. Shumë prindër bëhen xhelozë për fëmijët e tyre që rriten. Bëhen xhelozë nga fakti që fëmijët e tyre mund të kenë mendime të pavarura.
A tregohet mirëkuptim ndaj jetës së tyre private, apo ndërhyhet brutalisht, vend e pavend e pa gjetur momentin e përshtatshëm? A shprehet besimi ndaj tij? Një adoleshent thotë: “Ëndërroj dialog të thjeshtë, pa mëri dhe ligësi, me humor e dhëmbshuri, duke e dëgjuar njëri-tjetrin pa paragjykime. Mbetem fëmijë dhe ju dua, besoj tek ju, keni besim edhe ju tek ne”. Makarenko porosiste: “Autoriteti i vërtetë bazohet mbi veprimtarinë tuaj të qytetarit, mbi ndjenjën tuaj të qytetarit, mbi dijeninë tuaj të jetës së fëmijës, mbi ndihmën që ju i jepni fëmijës, mbi përgjegjësinë që ju ndjeni për edukimin e tij. (Makarenko, Tiranë 1950, f.37).
A i njohin dëshirat dhe interesat e fëmijës së tyre? Fakti që shumica e adoleshentëve të anketuar shprehen se “Prindërit na duan të mirën”, duke mos e ditur se për çfarë kanë nevojë ata apo çfarë dëshirojnë” – shpreh qartë indiferencën e prindërve ndaj dëshirave dhe ëndërrave të tyre rinore.
A krijohet mjedisi i përshtatshëm në familje për të shprehur lirshëm mendimet fëmijët e kësaj moshe e për një sërë çështjesh, qoftë edhe intime. Kur adoleshenti shprehet gjithë mllef: “Mami, unë vuaj, vuaj shumë! Përse dje ishe e nervozuar? Përse nuk dëshiron të më dëgjosh? Përse më detyron të iki nga shtëpia” – kjo do të thotë se komunikimet janë të rralla, sporadike, të ftohta, të pezmatuara.
Me rritjen e fëmijës në moshë e arsimim përmirësohen edhe strategjitë komunikative që adaptojnë prindërit. Horizonti i gjerë shkencor është emacipim. Kështu kur ke atë, atëherë edhe marrëdhëniet në familje janë më demokratike, të natyrshme e jo të sforcuara. Është kjo arsyeja që interesimi, preokupacioni dhe ndihma e prindërit për të arritur rezultate të larta fëmija i tij në shkollë, janë përpjekje dhe preokupacioni i vazhdueshëm i tij për të demokratizuar edhe jetën në familje, për të realizuar socializimin komunikativ të fëmijës së tij, duke shërbyer si model për komunikimet e tij në të ardhmen kur të ketë fituar statusin e qytetarit të rritur.
Në komunikimin me adoleshentin ka rëndësi:
Zgjedhja e momentit të duhur për të biseduar me të.
Qëndrim jourdhërues. Adoleshetin nuk e lëndon ajo që i themi, por mënyra se si ia themi.
Konçiziteti, jo fjalë shumë, pa bereqet dhe që e mërzisin, moralizime të panevojshme.
Mënyra e të komunikuarit drejtpërdrejtë me të, e hapur, pa nënkuptime e ironi.
Të komunikohet me të pa e lënduar dhe e fyer.
Prindi i drejtohet atij me fjalët: “Jam shumë i kënaqur që mund të bisedojmë bashkë”, “Kur flas për këto gjëra me ty më bën shumë mirë”, “Është një lehtësim i madh për mua kur flas për këto probleme”, “Tani që flasim bashkë ndjehem shumë mirë, “Falemindërit për mirëkuptimin”, “Jam i hapur dhe i sinqertë për biseda të tilla edhe në të ardhmen…”.
A u ofrohen atyre një numër alternativash të pranueshme? A vlerësohet diversiteti i mendimeve si progres për shoqërinë, pra edhe për familjen? A respektohen mendimet e njëri-tjetrit në familje?
Për të gjitha këto probleme duhen organizuar debate e diskutime të përbashkëta, ku mund të aktivizohen edhe prindër pedagog, sociolog, mjek apo psikolog. Në Tiranë dhe në qytetet e tjera të mëdha duhet shfrytëzuar më me efektivitet kjo mundësi. Sipas sociologëve dhe psikologëve amerikanë “Nuk janë gjithmonë prindër të mirë ata që dijnë shumë mbi zhvillimin fizik, mendor dhe emotiv të fëmijës, por ata që kanë personalitet të integruar dhe të përshtatshëm”. (Brada Riza, Pejë 1995, f.122).
Shkolla duhet të ndihmojë prindërit si duhet arrirë e realizuar kjo: rrugët, metodat, vështirësitë, mundësitë, përvoja e mbi të gjitha ta kuptojnë si një domosdoshmëri për të demokratizuar marrëdhëniet në familje, për të rritur ndihmën pozitive e të pranueshme të prindërit mbi adoleshentin. Prindërit zakonisht pyesin mësuesin si mëson fëmija i tij, si sillet ai, por nuk parashtrojnë pyetje të tilla: “A është egoist fëmija im? A është mëndjemadh? A është cmirëzi? A është ambicioz? A i ndihmon shokët? A e duan ata?” Edhe mësuesit nuk kujtohen të thonë diçka për këto anë e të bisedojnë me prindërit. (Vëmendja kryesore përqëndrohet tek notat në regjistër dhe në mungesat)
Ambicja e prindërit duhet të jetë fisnike, por edhe e matur mirë e në pajtim me mundësitë e aftësitë e fëmijës sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një zhvillim i drejtë i personalitetit të tij. Këto aftësi duhet t’i dijë edhe mësuesi.
Ka prindër që nuk i lejojnë fëmijët e tyre të luajnë me shokët, të shëtisin me ta, të shkojnë në kinema, koncerte apo teatër sepse humbin kohën e studimit e kushedi ç’mund të bëjnë. Mill thotë: “Çfarëdo kufizimi i madhe në parim është i paarsyeshëm… Liria shpesh lejohet atje, ku do të duhej të kufizohej dhe se kufizohet atje, ku do të duhej të lejohej.” (Mill, Pejë 1998, f.172,175) Apo ka prindër që bredhin bibliotekave për të gjetur literaturën që u duhet fëmijëve për lëndë të ndryshme, u kërkojnë të afërmëve apo shokëve e miqve të tyre t’ua bëjnë hartimet, referatet, vizatimet, apo t’u zgjidhin ushtrime e probleme me “yll” që nga mësues të veçantë – vlerësohen me notën dhjetë. Veprime të tilla janë të dëmshme në aspektin psikologjik, social, pedagogjik. I dembelosin nxënësit, i mësojnë të gjejnë rrugë të lehta në jetë, u edukojnë individualitetin, egoizmin, karrierizmin, i shmangin nga komunikimet me njerëzit. Këto duhet të jenë objekt analizash mësues-prindër. Fjalët e Makarenkos: “Në qoftë se doni të helmoni fëmijën tuaj, atëherë i jepni të pijë në një dozë të madhe lumturinë tuaj personale dhe ai do të helmohet”, kanë vlerë edhe sot. (Makarenko, Tiranë 1967, f.278)
Këshilla e prindërit, fjala e tij e ngrohtë, mendimi i tij i pjekur janë tepër të rëndësishme për fëmijën. Për këtë duhet gjetur momenti i përshtatshëm, duhet treguar kujdes në mënyrën si i parashtron kërkesat dhe në zgjidhjen e fjalëve kur bisedohet me ta, deri në diksionin e zërit. Zemërimi i tepërt ndikon në sistemin nervor të fëmijëve. S’ka fëmijë nervoz pa prindër nervoz. Qëndrimi taktik, miqësor, mirëkuptimi për nevojat e dëshirat e fëmijëve të rritur, ruajtja nga mosmarrëveshjet me ta, krijimi i një atmosfere të qetë e me humor, durimi, marrëdhëniet humane e të ndershme ndikojnë fuqimisht në afrimin e fëmijës me prindërit, në arritjen e ndikimit të prindërit në zhvillimin e mëtejshëm të personalitetit të tij.
Kur kemi prindër problem, do të kemi edhe fëmijë problem, hapësira stabile e bën fëmijën të jetë stabël. (Dyla Besim, Gjakovë 1996, f. 38).
Para së gjithash mësuesi duhet të fitojë besimin e prindërve, duke dëgjuar me vëmëndje problemet e tyre, pa i paragjykuar dhe pa qenë autoritar. Ka rëndësi sjellja me ta, duke i vlerësuar si njerëz, si partner dhe jo si prindër që kanë fëmijë vetëm me probleme. Në bisedat e para me prindërit këshillohet dëgjimi me durim, që do të thotë përdorimi i pyetjeve jo të drejtpërdrejta dhe ndihmëse. Pyetjet e drejtpërdrejta për çështjet vetjake dhe delikate mund të rritin shqetësimin e tyre, mund të krijojnë mosbesim dhe të pengojnë procesin e njohjes, duke e bërë atë të mbrohet në përgjigjet e tij. Dëgjimi me kujdes do të thotë gjithashtu që vazhdimisht të kontrollohet dhe të sigurohet që prindin e kemi kuptuar drejt.
Mësuesi në marrëdhëniet me prindërit duhet të jetë i afrueshëm, të shprehë ngrohtësi, të vlerësojë tek nxënësi anët pozitive sepse kështu rrit besimin e prindërit e të nxënësit. Nuk mund të ketë sukses puna me adoleshentët pa i njohur dhe pa u mbështetur në anët pozitive të tyre. Kur prindit i flitet vetëm për anët negative, me ton të lartë, veçanërisht në prezencë edhe të prindërve të tjerë, ai revoltohet me fëmijën e tij, i bërtet dhe e kërcënon dhe e qëllon në ndonjë rast po ta ketë pranë vetes dhe i humbet dëshira për të ardhur më në shkollë, prandaj duhet gjetur gjuha e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit. Në disa raste kur mësuesi bisedon me prindërit, ky i fundit vihet në rolin e të pandehurit. Mësuesi i thotë: “Fëmija yt nuk vjen në shkollë në kohë, ikën nga mësimi, merr katra, bën zhurmë, u kthen fjalën mësuesve e tjerë”. Një situatë e tillë e mërzit prindin, e largon atë nga shkolla dhe i ndërlikon edhe marrëdhëniet e tij me fëmijën. Komunikimi mësues-prindër, nuk është vetëm një komunikim racional, kjo po se po, por veç kësaj ai është edhe një komunikim emocional.
Mësuesi kërkon leje të parashtrojë shqetësimet e tij në vend që të mendojë se këshilla e tij është e kërkuar. Ai nuk shpreh vetëm ankesat dhe shqetësimet. Ai hyn në dialog me ide për zgjidhjen e problemit. Kur një prind është i nxehur për diçka është mirë të njohim e të ndajmë me të ndjenjat e tij. Ndjenjat e njeriut janë të vlefshme edhe kur ankesa e tij nuk qëndron. Mësuesi mund të thotë: “Më vjen keq që ndodhi kjo. E shikoj se je mërzitur, por do të bëj gjithçka të mundur për të zgjidhur problemin”. Mësuesi duhet t’i kërkojë edhe prindit mendimin për zgjidhjen e problemit. Ai e mbyll bisedën me një përmbledhje të marrëveshjes së arritur pastaj mësuesi e informon prindin për gjithçka që ka bërë për të zgjidhur problemin dhe së bashku vendosin për veprimet e mëtejshme.
Në komunikimet e prindit me adoleshentin kërkohet shkathtësi, dinamizëm, elasticitet, durim, takt e veprim ballor i kombinuar me veprimin krahmarrës, kërkohet përdorimi me vend i fjalës së ëmbël e të ngrohtë, qëndrim dashamirës e inkurajues. Adoleshentit nuk i duhet thënë kurrë: “Mos bëj kështu se nuk është mirë”, por t’i flitet ndryshe: “Unë e di se ti nuk do të veprosh kështu se ti nuk je si ai ose ajo”. (Makarenko, Tiranë 1950, f.108).
Cilido qoftë burimi i perceptimit – kulturor, ekonomik, psikologjik, gjinor, ideologjik, etnik – është fakt që prindërit në mënyrë sporadike ndajnë të njëjtat prioritete për të njëjtat qëllime në shkollë për fëmijët e tyre. Këtë duhet ta ketë parasysh shkolla, të mos e harrojë në punën e saj me prindërit.
Burimet
Ajdukoviç Dean “Programe të ndihmës psikosociale për fëmijët viktima të dhunës së organizuar”, Tiranë 1999.
Brada Riza “Pedagogjia familjare”, Sh.B. Pejë 1995.
Dyla Besim “Struktura e elementeve mësimore”, Gjakovë 1996.
Frashëri Mit’hat “Pjesë të zgjedhura nga vepra”, Phoenix, Tiranë 1997.
Grej Xhon “Meshkujt vijnë nga Marsi, femrat nga Afërdita”, Globus R, Tiranë 2001.
“Ligji për sistemin arsimor parauniversitar”, Tiranë 1995.
Makarenko, “Vepra të zgjedhura”, Tiranë 1950.
Makarenko, “Vepra të zgjedhura”, Tiranë 1967.
Merxhani Branko “Formula të neoshqiptarizmës”, Sh.B. Apollonia, Tiranë 1996
Mill “Mbi lirinë”, Pejë 1998.
Myra Pallacke Sadker“ Mësuesit, shkolla dhe shoqëria”, Eureka, Tiranë 1995
David Miller Sadker.
“Për një komunitet aktiv në qeverisje”, Toena 2002.
Dr. Skënder Demaliaj është pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë