Arbanë Qeriqi-Gashi: Pse “Burgu i Idealit” e jo “Burgu i vuajtjeve e mizorive”, apo...?

Arbanë Qeriqi-Gashi: Pse “Burgu i Idealit” e jo “Burgu i vuajtjeve e mizorive”, apo…?

Mendoj që askush, askurrë nuk e do burgun, pavarësisht e meriton apo jo. Personalisht kam urrejtje pa fund për burgun, qelitë, por edhe për uniformen e ish-milicisë, policisë, ngase e nisa fëmijërinë me praninë jo pak herë nëpër shtëpi, të  policisë gjakatare jugosllave, kohë e pa kohë.

Ata vinin zakonisht para agimit, kur dyert kërcisnin,  edhe thyheshin nga shqelmat e policëve serbë e jugosllavë. Kur ata hynin në dhomë, ne strukeshim në një kënd të saj, ata i kërkonin Nënës ta lironim dhomën në mënyrë që ta bastisnin pa i penguar ne, por ndodhte që ende pa dalë bënin rrëmujë gjithçka dhe iknin, sërish vinin e sërish iknin… Kërkonin Babin, i cili asokohe ndodhej në arrati. E urreja policinë sepse babëlokut, gjyshit tim,  i duhej çdo  tri ditë në javë të lajmërohej në stacionin policor në Ferizaj.  Arratia e babait im zgjati 14 muaj…

Më vonë gjyshi  na tregonte se priste me orë të tëra për të lajmëruar se nuk dinte gjë për djalin e tij,  në kohën kur ai ishte në ilegalitet. E urreja policinë dhe burgun sepse,  ajo polici na prishi ëndrrat fëmijërore, ajo na la pa Babin shtatë vite. Na mungoi babi për përkujdesjen, përrallat, për  arsimin,  diturinë, këngët, poezinë për ditëlindjet, për festat në shkollë, për plotë gjëra. Mbetëm pa babin, kur kishim nevojë më së shumti.

 Tani kur është rihapur burgu për herë të dytë, mora guximin dhe e vizitova së bashku me Safete Shalën dhe Dren Brahimajn. Që në hyrje më pengoi emri “Burgu i Idealit”, nuk e di kush ka propozuar,  kush i ka vendosur emrin, por për mendimin tim duhej të ishte një emërtim tjetër p.sh. Burgu i Gjakut, Burgu i Vuajtjeve. Nuk më pëlqeu edhe panoja e vendosur me thëniet e tre katër të burgosurve politikë. Duhej të ishte gjithëpërfshirëse, të paktën të ishin emrat e mbiemrat e atyre qe kanë bërë burgun aty. Po ashtu brendia e burgut ishte transformuar shumë, nuk ishte ajo siç e kanë treguar  baballarët e të burgosurit që kanë vuajtur dënimin aty. Qelitë kishin dritare plastike të mëdha, kishin banjë secila, në atë burg ishte transformuar shumë çka…

Pse u deshtë të hapet burgu pa disa legjenda, në të cilat  do të shkruhej historiku i tij nga themelimi e deri sot, të tregoheshin të gjitha ndryshimet që janë bërë. Po ashtu do të duhej të shkruhej emri dhe mbiemri i stafit e Drejtorisë së Burgut  në secilën periudhë.

Në vizitën që i bëmë Burgut të Prishtinës, vërejta se ky hap edhe pse  i nxituar, nuk është menduar mirë, nuk i kanë sheshuar të gjitha materialet. Shtrohet pyetja pse u hap me kaq mangësi? Për mendimin tim hapja në këtë mënyrë lë shumë për të dëshiruar. Ata që kanë vuajtur burgun aty e din si ka qenë dikur. Hapja bëhet për të treguar atë periudhë kohore të paprekur ose të paktën të shënoheshin periudhat kohore me të burgosurit…. Puna e bërë me shumë nguti, është jetë shkurtër.

Fatkeqësisht nëse ka të interesuar nga të huajt, ndonjë historian, ose studiues, ata do të bëjnë foto nga burgu i sotëm, që ka shumë ndryshime, nga i mëparshmi, dhe faktet nuk janë reale.  Ky burg u ngjanë burgjeve të sotme, por assesi qelive të burgjeve jugosllave, sikur na i kanë rrëfyer baballarët, vëllezërit  e bashkëvuajtësit e tyre.

Andaj unë mendoj se kjo hapësirë burgu duhet të begatohet edhe me të dhëna shtesë që do të jenë në harmoni me periudhën kohore nga themelimi i tij e deri më sot. Por praktika na ka treguar se projektet e tilla janë kalimtare, sepse janë pjesë e programeve politike. Andaj edhe janë gjysmake.

 Edhe disa të burgosur politikë që kanë vuajtur dënimin në këtë burg të Prishtinës, nuk duhet të mjaftohen vetëm me një vizitë, vetëm me ca fotografi, vetëm me disa postime në fc, por duhet të mbledhin faktet, te dhënat dhe të prezantohen aty.

E vërtetë që është e dhimbshme dhe nuk u takon te burgosurve politikë të vrapojnë pas këtyre projekteve, por derisa institucionet tona heshtin, ose e bëjnë punën dosido, barra bie sërish mbi ta, dhe nga ata sërish kërkohet të angazhohen e të veprojnë…

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …