Paneli i Gjykatës së Apelit, i cili vepron po në kuadër të Gjykatës Speciale, ka refuzuar tri kërkesat e dorëzuara nga avokatët e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me mangësitë evidente në aktakuzat e tyre. Në njoftim thuhet se më 22 gusht 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë tri apele, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, kundër vendimit të mëparshëm të gjykatësit të procedurës paraprake, në të cilin u hodhën poshtë disa nga mocionet e mëparshme të mbrojtjes dhe Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Speciale. Më 29 prill të këtij viti Zyra e Prokurorit ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor të vitit 2020. Të gjitha këto akuza janë kundërshtuar nga krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët për afër dy vjet janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë. Përpos tyre në paraburgim janë duke u mbajtur edhe Sali Mustafa, e Pjetër Shala, ndërsa në vuajtje të dënimeve po mbahen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.