Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar vendimet e regjimit të Millosheviqit në lidhje me favorizimin e Manastirit të Deçanit mbi pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. “Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të ishin të kundërta prej trashëgimisë fashiste e gjenocidale të Milosheviqit. Fatkeqësisht një institucion i Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese, legjitimoi një vendim të vitit 1997, me të cilin Qeveria e atëhershme e Serbisë ia kishte dhuruar pronat e ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” Manastirit të Deçanit”, ka thënë Ymeri. Kreu i Vetëvendosjes ka komentuar përkrahjen e kryetarit Thaçi ndaj vendimit të Kushtetueses, që sipas tij, përshëndeti legjitimimin e vendimeve të Millsheviqit. Për Ymerin, bartja e pronës së ndërmarrjeve shoqërore është e padrejtë, meqë shpronëson punëtorët e këtyre ndërmarrjeve dhe sjellë pabarazi në mesin e qytetarëve.
